English

Digjitalizimi i shërbimeve publike pengesë për anëtarët e komunitetit rom

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Rovena Berisha është një 40-vjeçare nga komuniteti rom që jeton në zonën e treshit në Tiranë.
Ajo jeton në një familje të madhe prej 8 personash, bashkëshorti dhe 6 fëmijët. Çifti Berisha na rrëfen vështirësitë me të cilat përballet familja për marrjen e shërbimeve publike nga zyrat e shtetit. Ky proces vështirësohet edhe më shumë se në familjet e tjera, pasi çifti nuk di të lexojë dhe as të shkruajë mirë dhe janë fqinjët e tyre ata që i ndihmojnë.

- Advertisement -

Zinxhiri i problemeve, që nis që nga mungesa e informacionit, vështirësitë në të shkruar dhe lexuar, varfëria etj. finalizohet me mos dërgimin e fëmijëve në shkollë. Familja Berisha i ka fëmijët e mitur por nuk i ka çuar në shkollë, duke rrezikuar që si edhe prindërit e tyre të mos dinë të shkruajnë dhe të lexojnë.

Deri para pak kohësh familja rome, mendonte se vështirësitë kishin arritur maksimumin. Deri ditën kur Rovena mori vesh se shumë zyra të shtetit ishin mbyllur dhe shumë shërbime do të zhvendoseshin online. Ky ishte i gjithë informacioni që ajo kishte. Rovena nuk dinte për ekzistencën e e-albania. Ajo na tregon se as nuk dinte ta përdorte mirë telefonin, përveç se të bënte ndonjë telefonatë apo të shkruante ndonjë mesazh të shkurtër. Ajo na tregoi që shumë rrallë ajo e rimbushte telefonin dhe ndaj as nuk kishte qasje në internet.

Rovena na tha se me ndihmën e fqinjëve ajo kishte mësuar vendndodhjet e institucioneve shtetërore dhe shërbimet që ofronin, por tani ishte shume e paqartë se si do t’ia dilte me digjitalizimin e shërbimeve. Ajo i druhej faktit se a do të kishin mundësi fqinjët ta ndihmonin sërish në këtë proces.

“Nuk e di si do ja dal, unë mezi mësova dy institucione që të paktën të kërkoja dokumentet me rëndësi që më duheshin. Tani që do të ketë më shumë shërbime online do më duhet të kërkoj me shumë ndihmë nga të tjerët ose do ngel në mëshire të zotit.” thotë Rovena Berisha.

Aksesi në shërbimet publike është një nga problematikat që përballet komuniteti rom në vendin tonë. Organizatat e shoqërisë civile e kanë ngritur si shqetësim këtë situatë, ndërkohë që kanë punuar me këta qytetarë që ti ndihmojnë dhe ti orientojnë se si ata mund të përfitojnë shërbime nga shteti.

Olta Tare aktiviste për të drejtat e komunitetit Rom na tregon se prej një viti e ka ngritur këtë shqetësim. Ajo dhe vullnetarë të tjerë janë angazhuar në punën me qytetarë të komunitetit rom për t’i ndihmuar të njohin më mirë rregullat e reja të vendosura nga qeveria. Puna nisi me orientimin e komunitetet rom drejt institucioneve ku duhet të drejtoheshin për shërbime të caktuara. Me vendimin e fundit po ju mësohet edhe si të përdorin aplikacionin e-albania për të aplikuar për shërbimet që ju nevojiten.

Por përveç kësaj aktivistja Tare shprehet se ka edhe një problematike tjetër që vjen me epokën digjitale të shërbimeve.

“Një problem që lidhet me këtë çështje është se disa kancelari dhe persona po përfitojnë nga kjo situatë e vështirë me të cilën përballet komuniteti rom dhe egjiptian, dhe po ju kërkojnë para që t’i informojnë për shërbimet publike ose qe t’ju shkarkojnë një certifikatë nga e-albania, gjë që bëhet falas. Ne rekomandojmë se duhet të vazhdojnë të funksionojnë ‘one stop shops’ nga bashkitë e qyteteve, që u krijuan për te ofruar konsulencë falas për shërbimet publike”- u shpreh Tare.

Një rekomandim tjetër që ajo dha është qe nëpër njësitë administrative të caktohet një person që mund të ndihmojë qytetaret që nuk dinë apo nuk munden të përdorin e-albania. Po ashtu duhet të ketë më shumë zyra të ADISA (Agjencia e ofrimit të shërbimeve publike të integruara) sepse ka shume fluks qytetarësh që kërkojnë ndihmë për të marrë shërbime nga institucionet publike, por edhe duhet edhe të shtohet stafi në zyrat aktuale.
Një tjetër rekomandim është që njerëzit mund të bëjnë punë vullnetare por dhe të bashkëpunojnë me organizatat për t’ju mësuar qytetarëve në nevoje përfshirë edhe të komunitetit rom se si të marrin dhe përdorin shërbime nga e-albania.

Rovena Sefa aktiviste shprehet po ashtu se duhet mbështetje nga institucionet në sportelet e bashkisë deri sa këto familje të arrijnë ta përdorin vetë këtë aplikacion online dhe të fitojnë aftësi digjitale. Znj. Sefa rekomandon se organizata të ndryshme duhet të ofrojnë ndihmën e tyre për të lehtësuar këtë shërbim për komunitetin rom.

Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal po punon për Axhendën Dixhitale dhe ka fokus që romët të mos mbeten jashtë. Aftësitë Dixhitale dhe Ekonomia Dixhitale është një fushë me mundësi të mëdha për përfshirjen e grupeve vulnerabël, përfshirë romët.

Si nga popullsia më e re në Ballkanin Perëndimor, me aplikimin e Axhendës Dixhitale, qytetarët romë mund të zhvillojnë aftësi dhe të fitojnë mundësi për të edukuar veten, për të vepruar në mënyrë inovative dhe për të ndjerë përfitimet e transformimit digjital me qëllim për të hyrë në tregun e punës.

Plani Ekonomik dhe i Investimeve i Komisionit Evropian i prezantuar së fundmi përmend në mënyrë specifike romët në transformimin digjital, veçanërisht në planin e veprimit të arsimit digjital që synon të promovojë barazinë dhe aksesin në arsimin online. Romët dhe arsimi digjital për romët përmenden gjithashtu nën kapitullin e Kapitalit Njerëzor, veçanërisht lidhur me tregun e punës dhe arsimin, në këndvështrimin që arsimimi digjital do të kontribuojë në rritjen e mundësive të punësimit për ta.

 

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

Kush mendoni se mund ta marrë drejtimin e Rithemelimit nëse Berishës i caktohet masa “Arrest në shtëpi”?
×