Gazetari Alen Xhelili, i ftuar në emisionin “Barometri” në Euronews Albania, ka shprehur shqetësime të forta për mundësinë e ndikimit politik në procesin e votës së emigrantëve shqiptarë për zgjedhjet e 11 majit.
Xhelili theksoi se ky ndikim mund të dëmtojë procesin dhe besueshmërinë e tij, duke sjellë konfuzion dhe kontestime që mund ta njollosin atë.
Ai u shpreh se nëse politika shqiptare do të marrë kontrollin e menaxhimit të votës së diasporës, do të shkaktonte një ndikim negativ në procesin zgjedhor, duke e vënë në dyshim vlefshmërinë e votave të emigrantëve.
Sipas tij, për 30 vite Shqipëria nuk ka arritur të zhvillojë procese zgjedhore shembullore, dhe kjo ka krijuar një mjedis të përshtatshëm për korrupsion dhe abuzime.
“Unë kam një merak që nuk do ta kisha po mos të ishte ndikimi politik dhe nëse do flisnim për një votë me vullnet të lirë. Ne po flasim për një handikap, ku në 30 vite nuk është se kemi bërë ndonjë proces zgjedhor shembullor. Jo më larg se sot ODHIR bënte thirrje të njëjtat që ka bërë, kujdes administratën, kujdes korrupsionin, kujdes kudo. Kam përshtypjen se dhe këtë proces do ta njollosim,” tha Xhelili.
Ai gjithashtu theksoi se nëse mekanizmat dhe praktikat e menaxhimit të zgjedhjeve që përdoren në Shqipëri do të kalonin jashtë kufirit, procesi do të humbiste çdo besueshmëri. Xhelili e paralajmëroi politikën shqiptare për mundësinë që ky proces të ndikojë negativisht në vlerën e votave të emigrantëve shqiptarë.
“Në momentin që politika shqiptare e merr në dorë ta menaxhojë, do ta njollosë. Ne jetojmë në një vend ku një qark gdhihet demokrat dhe ngryset socialist, dmth këtu ndodhin gjëra të çuditshme, dhe nëse këto mekanizma kalojnë dhe jashtë kufirit dhe teknikat që kemi këtu aplikohen edhe jashtë, kam përshtypjen që do të njolloset procesi dhe sa vlerë do kenë pastaj ato 100 mijë vota”, tha gazetari Xhelili.
LEXONI GJITHASHTU:
- “Besojmë te vullneti i lirë”, Garo: Emigrantët të djathtë, do sjellin ndryshimin
- Socialistët dhe demokratët, shpresa të njëjta për votën e diasporës