Gjykata e Lartë ka vendosur të mos pranojë rekursin e ish-deputetit Ervin Salianji, duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit për dënimin e tij me 1 vit burg lidhur me çështjen “Babale”..
Salianji, i cili ndodhet në qelitë e burgut të Fierit që prej 27 shtatorit, e cilësoi vendimin si politik dhe akuzoi kryeministrin Edi Rama si orkestrues të dënimit të tij.
Në një reagim në rrjetet sociale, ai deklaroi se Gjykata e Lartë nuk kishte guximin të vendoste drejtësi dhe t’i dilte kundër kryeministrit Rama.
Ai shtoi se dënimi i tij është një përpjekje për ta larguar nga beteja politike.
Salianji e cilësoi veten si një viktimë të përdorimit të drejtësisë për hakmarrje politike dhe u shpreh se do të vijojë luftën për një Shqipëri me institucione të pavarura dhe një shtet ligjor të vërtetë.
Reagimi i Salianjit:
Nuk jam i habitur nga vendimi i Gjykatës së Lartë.
Lënia në fuqi e një ndëshkimi të nxitur, kërkuar dhe stisur nga Edi Rama e draftuar prej tij, e lajmëruar prej tij në Parlament, mbrojtur me zjarr prej tij, është rruga e shkurtër dhe komode që Gjykata e Lartë zgjodhi sot. Nuk kanë etikë profesionale dhe as guximin minimal që të japin drejtësi e të hyjnë në konflikt me Edi Ramën.
Kjo është një vijë sjellje.
Nëse Gjykata e Lartë do të ishte garanci për të drejtën, do të ishte garanci për proces juridik të rregullt e të ligjshëm, as gjykatat më poshtë s’do të guxonin të firmosinin farsat që firmosen.
Dënimi im politik bëhet për të më eleminuar nga beteja politike!
Ne çdo përballje e kam mundur Edi Ramën dhe shpurën e tij. Më e fundit në Kavajë në fitoren e bashkisë, e kudo tjetër.
Denimi im politik është kërcënim i hapur për cilindo që lufton krimin, korrupsionin dhe mafien e veshur me pushtet.
Dënimi im politik është një mbështetje e hapur ndaj mafies dhe trafikantëve ndërkombëtarë. Koha e zgjedhur për të dhënë vendimin një ditë para shpalljes së listave është po ashtu një mesazh kërcënimi për këdo guxon e flet të vërtetat!
Në këto kohë parade turpi, kohë aferash të renda financiare, unë jam me zero korrupsion, zero akuzë për asnjë qindarkë. Ndaj, burgosja për denoncimin, për fjalen, është një medalje.
Jam krenar për betejat e mia në interes të njerëzve. Kam zgjedhur që në fillim luftën e pakompromis dhe qytetarët më kanë mbeshtetur për këtë.
Gjykimet ndaj meje do hyjnë në turpet historike, të kauzeve gjyqësore si rast i përdorimit të drejtësisë për hakmarrje personale nga Rama e Xhafaj.
E nisën duke paguar deshmitarë të sajuar, u kapen në pergjime drejtorët e policisë duke paguar dëshmitarin e sajuar, manipuluan në gjykata duke caktuar gjyqtar si fillim ushtarin e Aldo Bares, me pas me kunatën e Belinda Ballukut dhe ish përfaqesuesin e PS në KQZ dhe sot duke manipuluar shortin në Gjykatë të Lartë, zëvëndësuan trupën gjyqësore e lanë për të më gjykuar ish-ministrin e drejtësisë së Partisë Socialiste dhe një komunist, birin e ish-drejtorit të dëbim internimeve dhe ish-sekretar të parë!
Nuk janë këto institucionet që meritojmë, nuk janë shtet i së drejtës dhe as sundim i ligjit.
Për cilindo që shqetesohet i them ta marrë paradhënie dhe zvarritjen dhe vendimin kundër në Gjykatë Kushtetuese, dhe më pas do shohim se si do jetë e drejta në Strasburg.
Unë do të luftoj e do ta kërkoj të drejten deri në fund. Shqipëria do të jetë nje vend më i mirë kur të ketë drejtësi, kur Gjykatat do të kenë kurajon të japin drejtësi edhe kur kjo nuk i pelqen autokratit.
Ky vend i mirë mund të duket utopi, por nuk është e largët dita ku dhe për drejtësinë fjalën e madhe do ta kenë qytetarët.
Pavarësisht se nga izolimi së bashku do të luftojmë për një Shqipëri të denjë e normale ku sundon ligji! Personalisht zgjedh betejën dhe jo qurravitjet!
Nderin dhe respektin e qytetarëve e kam fituar unë, turpin dhe neverinë e hanë me korrupsionin e përditshëm “të burgosurit” e autokratit, që nuk kanë as ndërgjegje dhe as guxim të shkojnë as në tualet pa lejen e tij!
LEXONI GJITHASHTU:
- Gjykata e Lartë merr vendimin për rekursin e Ervin Salianjit
- Berisha flet nga burgu i Fierit pas takamit me Salianjin: Të burgosurit pa ngrohje