Ilaçi i ri kundër kancerit dyfishon mbijetesën e pacientëve gjatë provave klinike

31 Maj 2025 | 10:49

Një provë klinike ndërkombëtare ka sjellë shpresë të re për qindra mijëra pacientë me kancer të avancuar të kokës dhe qafës, duke treguar se imunoterapia mund të dyfishojë kohën e rikthimit të sëmundjes dhe të përmirësojë ndjeshëm mbijetesën.

Rezultatet, të cilat po prezantohen në takimin vjetor të Shoqatës Amerikane të Onkologjisë Klinike, përfaqësojnë përparimin e parë domethënës në trajtimin e këtij lloj kanceri pas më shumë se dy dekadash. Studimi, i quajtur Keynote, përfshiu 192 spitale në 24 vende dhe u drejtua nga Shkolla Mjekësore e Universitetit të Uashingtonit në St. Louis, me financim nga kompania farmaceutike MSD.

Një nga pacientet pjesëmarrëse në provë, Laura Marston, 45 vjeçe nga Derbyshire, ka treguar se falë imunoterapisë ajo ka mbijetuar gjashtë vjet pas një diagnoze me kancer të avancuar të gjuhës. Ajo mori ilaçin imunoterapik pembrolizumab para dhe pas operacionit, duke e ndihmuar trupin të ndërtojë një reagim më të fortë kundër rikthimit të tumorit.

“Imunoterapia më ka shpëtuar jetën. Jam ende këtu dhe po punoj me kohë të plotë. Prognoza ime ishte e zymtë, por sot jam në një pozicion të mirë dhe po ia dal shumë mirë”, tha Laura për BBC News.

Sipas Prof. Kevin Harrington nga Instituti i Kërkimeve për Kancerin në Londër, i cili drejtoi provën në Mbretërinë e Bashkuar, qasja e re i lejon sistemit imunitar të “njohë” tumorin përpara se ai të hiqet kirurgjikisht, dhe më pas e forcon reagimin imun me trajtim të vazhdueshëm për një vit.

Rezultatet tregojnë se kjo metodë dyfishon mesatarisht kohëzgjatjen e mbijetesës pa rikthim të kancerit, nga 2.5 në 5 vjet. Gjithashtu, pas tre vitesh, pacientët që morën pembrolizumab kishin një rrezik 10% më të ulët për rikthim të sëmundjes në pjesë të tjera të trupit.

“Kjo qasje mund të ndryshojë botën për pacientët me këtë lloj kanceri. Është një përparim që ul ndjeshëm gjasat që kanceri të përhapet dhe të bëhet i patrajtueshëm”, u shpreh Prof. Harrington.

Në Mbretërinë e Bashkuar diagnostikohen rreth 12,800 raste të reja me kancer të kokës dhe qafës çdo vit. Shumica prej tyre përballen me një prognozë të vështirë, ku më shumë se gjysma e pacientëve me forma të avancuara të sëmundjes humbasin jetën brenda pesë vitesh.

Studiuesit tani po bëjnë thirrje që trajtimi me imunoterapi të bëhet pjesë e standardit të kujdesit në NHS dhe sistemet shëndetësore në mbarë botën, duke parë përfitimet e qarta për të gjithë pacientët që morën pjesë në provë./Marrë nga BBC

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Tentoi të vidhte me thyerje një market në Krujë, shoqërohet në polici 14-vjeçari

Një 14-vjeçar është shoqëruar në Komisariatin e Policisë së Krujës, pasi dyshohet se ka tentuar të vjedhë me thyerje një market në pedonalen e qytetit....
14:51 | 16/07/2026

Britania dënon deklaratat e ministres serbe për Kosovën: Të neveritshme dhe pa vend në shoqërinë e sotme

Ambasada britanike në Prishtinë ka publikuar një komunikatë, në të cilën thuhet se një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme britanike ka dënuar ashpër deklaratat e...
14:30 | 16/07/2026

Rama dhe Lamallari në Qendrën e Komandës dhe Kontrollit të “Smart City”: Detekton rreziqet në kohë reale

Është prezantuar këtë të enjte Qendra e Komandës dhe Kontrollit, një nga komponentët kryesorë të projektit kombëtar “Smart City”. Në ceremoninë ku morën pjesë Kryeministri...
14:18 | 16/07/2026