KDI: Kryeministri dhe ministrat në detyrë në Kosovë të japin dorëheqje formalisht…

17 Prill 2025 | 15:54
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) shpreh shqetësim e saj për dështimin e përsëritur të Kuvendit për të miratuar raportin e Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve, një ndër hapat e domosdoshëm drejt konstituimit të Kuvendit dhe fillimin e punës së legjislaturës së re.
Sipas KDI-së, mosdorëheqja formale e Kryeministrit dhe ministrave të cilët janë zgjedhur deputetë, përveçse shkelje e qartë e parimeve të ndarjes së pushteteve, po pamundëson votimin e raportit, duke cenuar drejtpërdrejt funksionalitetin institucional të Kuvendit.

“KDI rikujton se sipas legjislacionit në fuqi, anëtarët e ekzekutivit duhet të japin dorëheqje, madje qysh para certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve.

Po ashtu, edhe dispozitat kushtetuese ndalojnë ushtrimin e funksioneve të papajtueshme me mandatin e deputetit. Mosrespektimi i këtyre dispozitave nuk është çështje teknike apo e interpretimeve procedurale, por një shkelje e qartë e normave që rregullojnë ushtrimin e funksioneve publike në një rend demokratik”, thuhet në reagim.

Gjithashtu, KDI vlerëson se mbyllja e sotme e seancës konstituive nga ana e Kryesuesit të saj, deputetit Avni Dehari, përbën shkelje të rregullores dhe praktikës parlamentare, pasi ajo u ndërpre pa u realizuar votimi për raportin nga Komisioni i Përkohshëm dhe pa u konsumuar asnjë nga pikat e rendit të ditës. Një veprim i tillë, që anashkalon procedurat pa vendim formal të Kuvendit, cenon seriozisht legjitimitetin e procesit dhe i shton më tej paqartësitë rreth funksionimit të seancës.

“Fakti që Kuvendi nuk po arrin të verifikojë mandatet për shkak të këtij ngërçi të krijuar nga mungesa e dorëheqjeve formale tregon për një mungesë të vullnetit për të respektuar ligjin dhe për të lejuar funksionimin normal të institucioneve. Ky veprim, apo më saktë mosveprim, nga ana e anëtarëve të Qeverisë në detyrë, po e kthen një procedurë standarde dhe të thjeshtë, në një krizë të panevojshme politike dhe institucionale”, thuhet në komunikatë.

KDI u bën thirrje Kryeministrit dhe ministrave në detyrë, që kanë fituar mandate si deputetë, që të respektojnë detyrimin e qartë ligjor për dorëheqje formale nga pozitat ekzekutive, në mënyrë që të mundësohet përfundimi i seancës konstituive të Kuvendit.

Sipas KDI-së, institucionet nuk mund të konstituohen duke anashkaluar ligjin.

“Çdo zvarritje e mëtejshme është papërgjegjësi politike dhe cenon besimin e qytetarëve në procesin demokratik”, thuhet në fund të reagimit të KDI.

Edhe sot, njëjtë si më 15 prill është ndërprerë seanca konstituive e cila në rend të parë do të duhej të kalojë raportin e komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandatit të deputetëve. Ajo pritet të thirret brenda 48 orëve të ardhshme, të shtunën në orën 12:00./Kosovapress

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Tensione te Komisariati Nr. 3, protestuesit thyejnë xhamat, policia ndërhyn me makinën e ujit

Tensione janë shënuar mbrëmjen e sotme pranë Komisariatit Nr. 3 në Tiranë. Disa protestues kanë thyer xhamat e godinës së komisariatit. Policia ka ndërhyrë me...
00:15 | 05/07/2026

Arkivoli në protestë, Balla tregon kush e solli dhe sulmon Berishën: E ka bëre 28 vite më parë

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar në lidhje me arkivolin që u soll nga disa protestues gjatë ditës së 35-të...
22:08 | 04/07/2026

Dita e 35-të e protestës, qytetarët, aktivistët dhe diaspora nisin marshimin në rrugët e Tiranës

Pas rreth dy orësh tubim para Kryeministrisë, ku qytetarë, aktivistë dhe shqiptarë të ardhur nga diaspora mbajtën fjalimet e tyre, protestuesit nisën marshimin në rrugët...
21:54 | 04/07/2026