Kreu i Gjykatës së Lartë: Kodi i Ri Penal duhet të reflektojë nevojat e shoqërisë
Në tryezën konsultative për Kodin e ri Penal, të organizuar këtë të mërkurë, Kryetari i Gjykatës së Lartë deklaroi se qëndrimi i institucionit që ai drejton nuk përbën refuzim të ndryshimeve në Kodin Penal, por një thirrje për t’i bërë ato më të drejta dhe funksionale.
Sokol Sadushi tha se drafti aktual, megjithëse voluminoz dhe me risi, mbetet i paqartë, jo gjithmonë koherent dhe shpesh rrezikon proporcionalitetin dhe humanizmin e drejtësisë penale.
Sipas tij, pesë shtyllat kryesore janë: qartësia dhe siguria juridike; koherenca sistemike dhe përputhshmëria evropiane; dekriminalizimi dhe parimi i “ultima ratio”; filozofia humane e drejtësisë penale; dhe respektimi i proporcionalitetit me diskrecion gjyqësor.
“Drejtësia nuk matet me shpejtësinë e miratimit të ligjeve, por me cilësinë e mendimit intelektual dhe respektin për lirinë e qytetarit”, tha Sadushi, duke shtuar se procesi i reformës duhet të rifillohet mbi baza metodologjike, transparente dhe profesionale, për të siguruar një Kod Penal modern, të drejtë dhe të besueshëm.
Sadushi theksoi se në praktikën evropiane më të mirë, hartimi i një Kodi të ri fillon jo me shkrimin e neneve, por me ndërtimin e një metodologjie të qartë, që përcakton filozofinë e drejtësisë penale.
Pjesë nga fjala e Kryetari të Gjykatës së Lartë
“Faza përgatitore, e ndërtuar mbi transparencë dhe gjithpërfshirje, bashkon gjyqtarë, prokurorë, akademikë, avokatë, përfaqësues të institucioneve të ekzekutimit të vendimeve, kriminologë, psikologë, sociologë, statistikë dhe shoqëri civile. Ndryshe nga kjo praktikë, procesi aktual nuk duket se është mbështetur mbi një metodologji të tillë. Relacioni shpjegues përmend nevojën për reformë, por nuk shpjegon mënyrën e ndërtimit. Mungon dokumenti orientues që përcakton filozofinë e drejtësisë penale dhe analizën e ndikimit kriminologjik, ekonomik dhe social të ndryshimeve të propozuara. Konsultimi institucional ka qenë i kufizuar dhe i pjesshëm.
Si pasojë, projekti, ndonëse voluminoz dhe me risi, mbetet i paqartë në disa pjesë dhe i pabarazpeshuar në filozofi, duke rrezikuar që në vend të thjeshtojë sistemin penal, ta bëjë atë më të vështirë në zbatim. Kur u prezantua projekti në korrik, Kryetari ngriti disa pyetje thelbësore: A është ky Kod i qartë dhe funksional? A është human dhe proporcional? A i flet qytetarit apo profesionistëve? A ndihmon në konsolidimin e praktikës gjyqësore apo krijon më shumë dilema?
Pas publikimit të projektit dhe hapjes së konsultimeve publike, Gjykata e Lartë është përfshirë aktivisht përmes një analize të hollësishme të zhvilluar nga gjyqtarët dhe këshilltarët ligjorë të Kolegjit Penal. Analiza, e mbështetur në praktikën gjyqësore dhe nevojën për një ligj penal të zbatueshëm dhe të drejtë, u përmbledh në një dokument prej afro 50 faqesh me vërejtje, komente dhe propozime konkrete, i hartuar profesionalisht dhe i miratuar nga Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë. Dokumenti i është përcjellë Ministrisë së Drejtësisë dhe Grupit të Punës dhe shërben si shprehje e përgjegjësisë institucionale dhe reflektimit profesional të Gjykatës së Lartë.
Dokumenti evidenton çështjet themelore që kërkojnë rishikim të kujdesshëm, për të siguruar që Kodi i ri Penal të jetë i qartë në filozofi, i zbatueshëm në praktikë dhe në shërbim të besimit të qytetarëve tek ligji. Projekti aktual, me mbi 950 nene, shpesh të mbingarkuara dhe të paqarta, rrezikon të zhvendosë theksin nga mbrojtja e lirive drejt forcimit të ndërhyrjes shtetërore. Edhe pse riafirmon ndalimin e dënimit pa ligj (neni 2), mungon një dispozitë që të përmbledhë filozofinë moderne të së drejtës penale: ndëshkimi si mjet i fundit, liria si parim themelor.
Dispozitat kyçe shpesh përmbajnë formulime të paqarta, duke krijuar hapësirë për interpretime të ndryshme nga gjykatat dhe duke cenuar parimin nullum crimen, nulla poena sine lege certa. Disa nene, si neni 18, ndërthuren pasaktë elementë materialë me nocione procedurale; neni 20 përdor shprehjen “probabilitet i lartë” për lidhjen shkakësore; dispozitat për përgatitjen, tentativën, bashkëpunimin dhe format e fajësisë krijojnë paqartësi dhe hapësirë për interpretime subjektive.
Dispozitat mbi ndërhyrjet në lirinë e shprehjes dhe të drejtën për informim (nenet 235, 509, 517, 863, 865) kërkojnë rishikim për të mos ndërhyrë pa nevojë në shoqëri demokratike. Normat e reja duhet të garantojnë ekuilibrin midis mbrojtjes së autoritetit të gjyqësorit, të drejtave të të tjerëve dhe lirisë së shprehjes. Dispozitat jashtëzakonisht të gjata (nenet 175 dhe 224) cenojnë qartësinë ligjore dhe teknikën legjislative.
Disa nene që trajtojnë çështje procedurale, si masat ndaj të miturve (nenet 116–120), lirimin me kusht (nenet 175–176) apo pezullimin e veprimtarisë së personave juridikë (neni 125), duhen të rregullohen në Kodin e Procedurës Penale. Dispozita të tjera përfshijnë çështje të rregulluara nga Kodi Civil, legjislacioni disiplinor apo Kod Rrugor, duke krijuar dublime normative dhe mungesë koherence ndërkodike.
Një Kod Penal modern duhet të jetë i integruar në rendin juridik dhe në përputhje me standardet evropiane për proporcionalitet dhe parashikueshmëri. Shteti ndëshkon vetëm kur nuk ka mjete të tjera; ndëshkimi si mjet i fundit është themeli i çdo sistemi penal modern. Projekti aktual nuk reflekton qartë këtë filozofi dhe zgjeron pa kriter fushën e ndërhyrjes penale.
Dënimet duhet të synojnë rikthimin e individit në shoqëri dhe jo hakmarrjen. Projekti për dënimet maksimale deri në 45 vjet dhe tendenca drejt formulave fikse rrezikon ta zhvendosë drejtësinë nga humanizmi drejt ashpërsisë mekanike, duke kufizuar diskrecionin gjyqësor. Risocializimi duhet të jetë parim themelor i Kodit, jo thjesht fazë ekzekutive.
Reforma duhet të ngrihet mbi tri shtylla: metodë, transparencë dhe mirëbesim institucional. Vetëm mbi këto baza ajo fiton legjitimitet teknik dhe besueshmëri publike. Drejtësia nuk është zbatim i verbër i ligjit, por ekuilibër mes forcës dhe urtësisë, rregullit dhe lirisë, garanci për dinjitetin, sigurinë dhe besimin e qytetarëve në shtetin e së drejtës.
Gjykata e Lartë vlerëson se procesi i reformës penale duhet të rifillohet mbi baza të qëndrueshme metodologjike dhe profesionale, jo si pengesë, por si garanci për cilësinë, integritetin dhe koherencën e sistemit penal. Ky nuk është thirrje për ndalim, por për përmirësim dhe bashkëpunim, me synim një sistem penal modern, të drejtë dhe të qëndrueshëm. Vërejtjet dhe propozimet e paraqitura përfaqësojnë punë të thellë dhe të përgjegjshme, që kërkon reflektim serioz nga grupi i punës dhe institucionet përkatëse, duke synuar ligj më të drejtë dhe sistem që i shërben qytetarit”, tha Sadushi.
LEXONI GJITHASHTU:
Protesta qytetare dhe fëmijët që luajnë, Rama ndan videon: Tirana e lirive të barabarta
Karamuço komenton protestën te Parlamenti: Nuk duhet kaluar kufiri drejt destabilizimit të vendit
Stuhi e fortë në Vranisht, Lumi i Vlorës përfshihet nga reshje intensive dhe erë e fuqishme (VIDEO)
- 08:58 Mandati i Macron drejt fundit, Franca cakton datat e zgjedhjeve presidenciale
- 08:48 Netanyahu sfidon marrëveshjen SHBA-Iran: Izraeli do ta sulmojë sërish Teheranin nëse është e nevojshme
- 08:38 Ish-kryeministri izraelit kritikon ashpër Netanyahun: Është i paaftë për të qeverisur
- 08:21 Protesta qytetare dhe fëmijët që luajnë, Rama ndan videon: Tirana e lirive të barabarta
- 08:12 Tërmetet në Venezuelë, shpëtohet pas 6 ditësh nën rrënoja një fëmijë trevjeçar
- 08:02 Zyrtari i lartë amerikan: Këceva nga gëzimi kur Irani u eliminua nga Kupa e Botës