Reagime te shumta ka pasur nga komuniteti nderkombëtar për dakordësinë e arritur më 18 mars në Ohër mes Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiçit.
Sekretari amerikan i Shtetit, Blinken vlerëson se marrëveshja Kosovë-Serbi do të hapë rrugën për integrim në BE.
“Ne përgëzojmë Presidentin e Serbisë dhe Kryeministrin e Kosovës për lidershipin e tyre në arritjen e kësaj marrëveshjeje”, tha Blinken.
“Përmbushja e detyrimeve të Kosovës dhe Serbisë sipas Marrëveshjes Themelore, si pjesë e përkushtimit të qëndrueshëm për pajtim, do të sigurojë mundësi të rëndësishme për njerëzit e të dy vendeve dhe do të përshpejtojë rrugën e tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, shtoi ai.
Blinken shtoi se Shtetet e Bashkuara “do të mbeten të angazhuara në mënyrë aktive”, në koordinim me partnerët e BE-së, për të mbështetur Serbinë dhe Kosovën në funksionimin e zbatimit drejt një marrëdhënieje “të parashikueshme dhe paqësore”. SHBA do të vazhdojë të mbështesë avancimin e stabilitetit dhe prosperitetit në Ballkanin Perëndimor.
“Falënderojmë BE-në për lehtësimin e bisedimeve dhe Qeverinë e Maqedonisë së Veriut për pritjen e palëve dhe mbështetjen për finalizimin e kësaj marrëveshjeje”, tha Blinken.
Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Jeff Hovenier ka thënë se zbatimi i marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Serbisë, është moment vendimtar për zhbllokimin e së ardhmes së Kosovës “.
Zbatimi i kësaj marrëveshjeje është vendimtar për zhbllokimin e së ardhmes së Kosovës. ‘Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë me popullin e Kosovës për të realizuar një nga prioritetet tona kryesore, të përbashkëta: sigurimin që Kosova të zë vendin e saj të merituar në institucionet evropiane dhe euroatlantike”, ka shkruar Hovenier.
Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill u shpreh se rezultati më i rëndësishëm i negociatave të 18 marsit në Ohër, është se Serbia e ka përqafuar të ardhmen evropiane dhe planin e qartë drejt saj.
Hill, ka thënë se vendimi ka kërkuar “mençuri, integritet dhe kurajë”.
“Ka ende shumë punë për të bërë, dhe Shtetet e Bashkuara do të jenë me ju në çdo hap”, ka thënë Hill, përmes një postimi në Twitter.
NATO-s, ka mirëpritur dakordimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiç për marrëveshjen e propozuar nga Bashkimi Evropian.
“Ne i shtyjmë të dyja palët që sa më shpejtë të zbatojnë atë që kanë rënë dakord, po ashtu kërkojmë që të ketë zbatim të plotë te marrëvesheve”.
“Ne jemi të përkushtuar për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor duke përfshirë edhe KFOR-in”, ka shkruar ajo në Twitter.
Zëdhënësi i Qeverisë Federale të Gjermanisë, shkroi në Twitter se tani gjithçka mbetet te zbatimi.
“Urime për këtë përparim për të vendosur marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës në një bazë të re! Tani gjithçka ka të bëjë me marrjen e udhëheqjes për mbajtjen dhe zbatimin e asaj që është rënë dakord. Ne do të jemi në krahun tuaj për ta përmbushur perspektivën tuaj europiane!”, shkroi ai.
Edhe Ministria e Jashtme e Turqisë thotë se do të mbështesë të gjitha nismat që synojnë normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Ne mirëpresim që në vazhdën e arritjes së marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel më 27 shkurt 2023, në kuadër të udhërrëfyesit të Bashkimit Evropian, liderët e Kosovës dhe Serbisë ranë dakord për zbatimin e aneksit të lartpërmendur me marrëveshje më 18 mars 2023 në Ohër”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme turke.
LEXONI GJITHASHTU
- Blinken: SHBA mirëpret marrëveshjen e arritur në Ohër mes Kosovës dhe Serbisë
- Opozita në Serbi reagon ndaj Vuçiçit për rezultatin e bisedimeve në Ohër
- Borrell: Kosova dhe Serbia janë pajtuar mbi aneksin e zbatimit të marrëveshjes