English

Ministria e Shëndetësisë mbledh Task-Forcën për masat kundër coronavirusit të ri

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Një ditë pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë vendosi të shpallte emergjencën globale për coronavirusin e ri, Ministria e Shëndetësisë në Shqipëri ka mbledhur sot Task-Forcën. Kjo Task-Forcë mblidhet për herë të dytë brenda pak ditësh dhe synon shtimin e masave për të frenuar çdo rrezik të mundshëm nga përhapja e virusit vdekjeprurës, i cili ka shkaktuar alarm në shumë vende të botës.  

- Advertisement -

Ministrja e Shëndetësisë, znj. Ogerta Manastirliu, tha se deri tani nuk raportohet për asnjë person të infektuar me këtë virus, ndërsa shtoi se vëmendja e strukturave përkatëse është në nivele maksimale. Më tej ministrja e Shëndetësisë tha se Shqipëria është një ndër vendet më pak të rrezikuara nga ky virus, edhe pse deri tani raportohet se janë prekur mbi 18 shtete të botës.

Për të rritur masat mbrojtëse ndaj virusit vdekjeprurës, Ministrja e Shëndetësisë theksoi se struktuarat përgjegjëse në Shqipëri po ushtronjnë kontrolle të rrepta në të gjithë pikët hyrëse tokësore, detare dhe ato ajrore.

“Do të përforcojmë masat gjurmuese për këto raste. Po ashtu do të vijojmë të kemi një zhvillim të koordinuar të masave të Instituti të Shëndetit Publik, Inspektoratit Shëndetësor, Spitalin Infektiv, në koordinim dhe bazuar në planet dhe udhëzimet e OBSH dhe në zbatim të rregullores ndërkombëtarë të shëndetit. Shqipëria ka survejancë të infeksioneve.

Kemi një sistem që funksionon më së miri. Kemi një laborator të mirë, me stafe të trajnuara për inteligjencën epidemike. Kemi të gjitha masat që do të ndërmarrin në raport me shkallën e rrezikshmërisë. Bazuar në rekomandimet e OBSH është e nevojshme, që të gjithë strukturat të përçojnë masat mbi hetimin, gjurmimin në kohë të kontakteve dhe menaxhimin e tyre. OBSH dhe të dhënat që paraqet, ka treguar se kufizimi i njerëzve dhe mallrave mund të jetë më efektiv.

Ndaj do të rrisim dhe këshillimin e udhëtarëve që udhëtojnë drejt Kinës, si një masë parandaluese. Momentalisht ne jemi një vend me rrezik të ulët ndaj virusit, por s’do të thotë që mos të aktivizojmë shkallët e masave. Jemi në të gjitha pikat kufitare tokësore dhe detare, të cilat do të përforcohen dhe pas vendimit të fundit të OBSH. Nuk ka asnjë rast të virusit në Shqipëri, por ne do të përforcojmë masat për atë çfarë po ndodh sot në botë. Përveç Kinës, 18 vende të botës kanë raste të virusit.

Po kryhet me imtësi vlerësimi i çdo rasti. Mjekët që janë pjesë e ISHP po koordinojnë veprimet në zbatim të udhëzimeve ndërkombëtare për të asistuar çdo rast dhe për të marrë masat e nevojshme. Deri tani nuk ka asnjë rast me këtë virus në Shqipëri. Por në do të përforcojmë masat në raport me atë që po ndodh sot në botë”-theksoi Ministrja e Shëndetësisë.

Shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, znj. Silva Bino u shpreh se shpallja e emergjencës globale nga OBSH-ja nuk implikon masa ekstreme për Shqipërinë.

“Shpallja e emergjencës nuk implikon masa ekstreme për Shqipërinë. OBSH-ja nuk rekomandon kufizimin e udhëtimeve dhe shkëmbimeve tregtare me Kinën. Plani hartohet në bazë të shkallës së rrezikshmërisë. Situata do vlerësohet rast pas rasti, me vendet që ne kemi fluturime herë pas here”, u shpreh znj. Bino.

Specialistja e ISHP-së, znj. Silva Bino theksoi se strukturat përgjegjëse po rrisin përgjegjshmërinë e personelit mjekësor me synimin që  të respektohen masat bazë të higjienës.

“Ne po rrisim kapacitetet laboratorike në lidhje me diagnozën e shpejtë. Po bashkëpunojmë për të rritur masat e kontrollit të infeksionit. Ne duhet të rrisim edhe përgjegjshmërinë e çdo personeli mjekësor që të dinë të respektojnë masat bazë të higjienës, në mënyrë që të mos marri formën e një pandemie”-shtoi znj. Bino.

 Përfaqësues i OBSH-së në Shqipëri, z. Gazmend Bejtja i pranishëm në mbledhjen e Task-Forcës u shpreh se akoma nuk ka detaje mbi origjinën e virusit, i cili ka vënë në lëvizje shumë shtete të botës.

“OBSH-ja e mori vendimin për shpalljen e emergjencës duke parë përhapjen e virusit në vendet e tjera, përveç Kinës. Masat në mënyrë të koordinuar merren për të parandaluar përhapjen.

Duhet transparencë në implementimin e masave. Nuk e dimë akoma saktësisht nga ka ardhur virusi, nuk e dimë saktësisht si përhapet dhe nuk ka të dhëna të plota se kush është më I ndjeshëm ndaj infeksionit”-theksoi z. Bejtja.

Meta apelon që Shqipëria të marrë masa kundër coronavirusit të ri

Presidenti i Republikës, z. Ilir Meta tha në një prononcim për media se duhen marrë masa të menjëhershme në parandalimin e përhapjes së mundshme të coronavirusit të ri.

“Mendoj se pas shpalljes së gjendjes së emergjencës në nivel global nga OBSH duhen marrë masat më të forta të mundshme sanitare dhe epidemiologjike për të parandaluar këtë virus për të penetruar në vendin tonë. Aq më tepër kur janë konstatuar dy raste në Italinë fqinje por ndoshta dhe në vende të tjera pranë nesh.

Mendoj se është koha për të marrë masat më të forta. Shqipëria ka një eksperiencë me raste të tilla, sikurse ka qenë parandalimi i suksesshëm i SARS-it dikur por është e rëndësishme të theksohet që çdo nënvlerësim mund të jetë me pasoja kritike dhe unë shpresoj dhe inkurajoj marrjen e masave më të forta parandaluese.

Jemi në një proces komunikimi. Mendoj se rastet në Itali dhe ndoshta dhe një rast në një vend tjetër fqinj e tregojnë shumë qartë, që ne jemi seriozisht të ekspozuar dhe duhet të parandalojmë me çdo kusht dhe me çdo mjet depërtimin e virusit në vendin tonë, ashtu sikurse Shqipëria ka qenë shumë e suksesshme në parandalimin e SARS-it para 16-17 vitesh dhe ne i kemi të gjitha mundësitë, në rast se të gjithë bëjnë detyrën me përgjegjshmëri maksimale”-theksoi z. Meta.

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

Euro 2024| A mendoni se Shqipëria do të mund ta kalojë grupin e “ferrit” në kampionatin Evropian?