Pr.ligji për surrogacinë, KNFSH: Mos të kalojë në Kuvend, cenon dinjitetin e gruas

28 Maj 2024 | 15:30

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë, ditën e sotme më 28 maj 2024 ka zhvilluar një takim në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Në këtë takim në emër të KNFSH-së merrnin pjesë disa nga anëtarët e grupit të punës të ngritur në lidhje me projektligjin “Për shëndetin seksual dhe riprodhues”, përfaqësues të pesë komuniteteve fetare në Shqipëri dhe specialistë të fushës juridike, mjekësore, sociale dhe etiko-teologjike.

Grupi i punës i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë i drejtuar nga Prof. Asoc. Dr. Genti Kruja, Sekretar i Përgjithshëm i KNFSH është pritur nga zv/ministret e Shëndetësisë znj. Mira Rakacolli dhe znj. Entela Ramosaçaj, si dhe anëtarë të grupit të punës, përfaqësues të ministrisë.

Në emër të KNFSH-së z. Kruja fillimisht pasi ka falënderuar Ministrinë e Shëndetësisë për pranimin e kërkesës së Këshillit Ndërfetar për realizimin e këtij takimi ka shpalosur edhe një herë qëndrimin e qartë të komuniteteve fetare, bazuar në këto pika:

Së pari: ne jemi kundër parashikimit të sterilizimit si metodë e planifikimit familjar, veç rasteve kur ka tregues mjekësorë, sepse sterilizimi është një ndërhyrje mjekësore e pakthyeshme dhe ndikon negativisht në shëndetin dhe jetën e personit, i ndaluar edhe në vendet më të zhvilluara; si dhe gjithashtu sepse bie ndesh me parimet që mbrojnë familjen dhe jetën.

Së dyti: në asnjë gërmë të projektligjit nuk gjejmë kujdesin e nevojshëm, që i duhet kushtuar politikave për shtimin e mbështetjes dhe nxitjen e lindshmërisë në vendin tonë me masa sociale, ekonomike, edukative dhe shëndetësore.

 treti: ne jemi kundër ndërprerjes vullnetare të shtatzënisë, veç rasteve kur ka tregues mjekësorë, jo vetëm pse besimet tona janë pro jetës dhe e konsiderojnë abortin si krim përveç rasteve kur bëhet për të ruajtur shëndetin e nënës. Për më tepër, një argument kritik që përbën këmbanë alarmi për çdo politikbërës janë statistikat rreth nivelit të lindshmërisë, në vendin tonë niveli i ligjshmërisë është 1.4 fëmijë për çift ndërkohë, që niveli i mbijetesës së shoqërisë është minimalisht 2.1 lindje për çift. Me këto ritme cili do të jetë fundi i pashmangshëm?

Së katërti: ne kërkojmë që mëmësia zëvendësuese/surrogate të mos lejohet në Shqipëri për shkak se cënon rëndë dinjitetin e gruas dhe fëmijës; përbën rrezik të shtuar për trafikim të qënieve njerëzore, trafikim organesh, shfrytëzim të të miturve, shfrytëzim të femrave për lindje të porositura për qëllime kriminale, të cilësuar edhe nga Direktiva e Parlamentit Evropian; për më tepër mëmësia zëvendësuese e kthen qënien e ngjizur në një objekt për të cilin me ligj mund të negociohet; mund të krijojë trauma të forta psikike e psikologjike për fëmijën kur të vihet në dijeni për mënyrën e ngjizjes, si dhe për nënën që e mbart për nëntë muaj në mitrën e saj.

Së pesti: projektligji prek drejtpërdrejt konceptin e familjes me prindër nënë dhe baba dhe shkon deri aty sa zëvendëson lidhjen bashkëshortore me termin “femra pa partner”, përkufizimi i të cilit bie ndesh me normat dhe frymën e Kodit të Familjes, me të drejtat e fëmijës për të patur kushtet “për një zhvillim të plotë e hamonik të personalitetit”.

Sa më sipër, Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë, si përfaqësues i vullnetin të të gjithë besimtarëve tanë pjesë e pesë komuniteteve fetare zyrtare dhe shoqërisë shqiptare, kërkon që projektligji “Për shëndetin seksual dhe riprodhues” të mos kalojë në Kuvendin e Shqipërisë dhe dëshiron, që kjo kërkesë të marrë vëmendjen e duhur nga ana juaj dhe të gjithë së bashku, të punojmë për një të ardhme më të mirë e më të sigurt për brezat e rinj, me besim te Zoti e te ligji për të mirën e përbashkët.

Zv/ministrja znj. Rakacolli ka falënderuar KNFSH-në për punën e bërë, materialin e dorëzuar dhe argumentet e sjella më parë me shkrim, si dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunim.

Më pas palët kanë diskutuar dhe analizuar argumentet e tyre, ndërsa KNFSH përfundimisht mbetet konçiz materialit të hartuar nga grupi i ekspertëve të tij dhe shpresëplotë që ministria përkatëse do të marrë parasysh kërkesat e saj, duke reflektuar mbi argumentet e paraqitura.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Protestat në Tiranë, Gjyli: Mendimi ndryshe po përballet me linçim në rrjete sociale

Duke komentuar protestat në Tiranë, analistja dhe pedagogia Arsejda Gjyli tha në emisionin “Now me Erla Mëhillin” se figurat që dalin në krye të protestës...
22:35 | 24/06/2026

Analisti Lita: Protestat në Tiranë do të vazhdojnë deri në mbylljen e tranzicionit

I ftuar në emisionin “Now me Erla Mëhillin”, analisti Lavdrim Lita komentoi protestat në Tiranë, duke u ndalur te zhvillimet dhe perspektiva e tyre në...
22:24 | 24/06/2026

E rëndë në Kavajë, u godit me thikë nga vëllai, humb jetën një person

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e kësaj të mërkure në Kavajë, ku një 74-vjeçar ka humbur jetën pasi dyshohet se është goditur me...
21:37 | 24/06/2026