Presidentja Vjosa Osman i është përgjigjur këtë të mërkurë letrës së dërguar nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës për shkak të mosmiratimit të raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandatev ditën e djeshme.
Osmani shprehet se kushtetuta e obligon që të garantoj funksionimin kushtetues të institucioneve ajo shton se aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese tashmë kanë përcaktuar obligimin e të gjithë deputetëve që të jetësojnë, e jo të bllokojnë formimin e institucioneve, si dhe të gjejnë rrugën përpara për konstituimin e Kuvendit.
Përgjigjja e plotë e presidentes Vjosa Osmani:
Në përmbushje të përgjegjësive kushtetuese si Presidente e Republikës së Kosovës, që kanë të bëjnë me garantimin e funksionimit kushtetues të institucioneve, i përgjigjem kërkesës suaj të pranuar sot në Presidencën e Republikës.
Si pikënisje, konsideroj se duhet pasur parasysh, se duke u bazuar në frymën e Kushtetutës, dispozitat që ndërlidhen me konstituimin e institucioneve shtetërore duhet të interpretohen në mënyrë që ta mundësojnë dhe jo ta pengojnë themelimin dhe funksionimin kushtetues të tyre.
Një parim i tillë është mishëruar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, e cila në Aktgjykimin e saj në Rastin Nr. K072/20, ndër të tjera përcakton se: “struktura e normave kushtetuese që ndërlidhen me themelimin e institucioneve shtetërore që burojnë nga vota e popullit, duhet të interpretohen në atë mënyrë që të jetësojnë dhe jo të bllokojnë themelimin dhe ushtrimin efektiv të funksioneve përkatëse”. Në të njëjtin Aktgjykim, Gjykata gjithashtu sqaron se: “asnjë normë kushtetuese nuk mund të interpretohet në atë mënyrë që të bllokojë themelimin dhe funksionimin efektiv të pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv”, duke theksuar gjithashtu se qëllimi i Kushtetutës sonë është themelimi i shpejtë i institucioneve.
Në Aktgjykimin në Rastin Nr. K072/20, Gjykata Kushtetuese qartazi thekson se: “të gjitha veprimet që ndërmerren nga personat e mveshur me fuqi ose autorizime publike, duhet të jenë në pajtim me Kushtetutën dhe frymën e saj dhe të kontribuojnë në mbarëvajtjen dhe bashkërendimin e punëve me interes publik për Republikën e Kosovës”.
Ngjashëm me këtë, në Aktgjykimin Nr. K0119/14, në të cilin objekt shqyrtimi ka qenë seanca konstituive e Legjislaturës V, Gjykata ka obliguar të gjithë deputetët e Kuvendit që në pajtim me dispozitat kushtetuese dhe dispozitat e Rregullores së Kuvendit, ta gjejnë mënyrën për ta bërë Kuvendin funksional. Për më tepër, në të njëjtin Aktgjykim, Gjykata ka përcaktuar se: “Kryesuesi që kryeson seancën konstituive, edhe pse nuk është i zgjedhur, është i obliguar me Kushtetutë dhe me Rregullore të Punës së Kuvendit për ta realizuar seancën konstituive”.
Në rrjedhë të këtyre parimeve kushtetuese, të përcaktuara nga praktika gjyqësore e Gjykatës Kushtetuese, të cilat tashmë kanë karakter detyrues në nivel të barabartë me Kushtetutën, ua rikujtoj se funksionalizimi i institucioneve të dala nga vullneti i qytetarëve të Republikës së Kosovës është obligim kushtetues i çdo institucioni dhe çdo personi të mveshur me autoritet publik. Në rastin konkret, ky është obligim i juaji si Kryesues i seancës konstituive si dhe i të gjithë deputetëve të zgjedhur në Legjislaturën e Nëntë të Kuvendit.
Rrjedhimisht, gjithashtu ju rikujtoj se fryma e Kushtetutës, praktika gjyqësore e Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullorja e Kuvendit të Kosovës, ju obligon që seancën konstituive ta vazhdoni jo më vonë se brenda dyzet e tetë (48) orëve nga ndërprerja e saj. Andaj, ju ftoj që në përputhje me autorizimet tuaja si Kryesues i seancës konstituive të Legjislaturës së Nëntë të Kuvendit, efektive që nga data 8 prill 2025, ta realizoni seancën konstituive në përputhje me parimet kushtetuese të përmendura më lart, Rregulloren e Kuvendit si dhe legjislacionin në fuqi.
Në përmbyllje të kësaj letre, si Presidente e vendit dhe Kreu i Shtetit, në kuadër të kompetencave kushtetuese përkitazi me nenin 4, paragrafi 3 dhe nenin 84, paragrafi 2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, shpreh gatishmërinë time që t’ju mirëpres juve dhe kryetarët e partive politike parlamentare për ta diskutuar rrugën përpara, në rast se një gjë e tillë konsiderohet e nevojshme.
LEXONI GJITHASHTU:
- Bllokada në Kuvend! Osmani merr letrën, Presidenca: Po analizojmë hapat e mëtejmë
- Instituti Demokratik i Kosovës kritikon mënyrën e dorëheqjes së kabinetit të Kurtit