Ditën e sotme në mjediset e “Shtëpisë së Evropës”, ekspertët e Bankës Botërore dhe të institucioneve të Kombeve të Bashkuara kanë publikuar gjetjet kryesore të Raportit të Vlerësimit të Nevojave pas tërmetit të 26 nëntorit. Sipas të dhënave të publikuara nga grupet përkatëse, fatura e dëmeve nga tërmeti i 26 nëntorit arrin në shumën e 985 milionë eurove, kurse nevoja reale për rimëkëmbjen e të gjithë sektorëve të dëmtuar është përllogaritur në shifrën e 1,07 miliardë eurove.
Sipas përllogaritjeve, bazuar edhe nga shifrat e publikuara këtë të mërkurë nga grupet e punës del që nevojat e procesit të rindërtimit janë 85 milionë euro më shumë se dëmet e tërmetit.
Tërmeti shkatërrimtar i vitit që shkoi la pasoja të mëdha në disa qarqe të vendit, ndërsa më të prekurit ishin Durrësi dhe Tirana. Sipas përllogaritjeve të bëra, qyteti i Durrësit pësoi një dëm ekonomik prej 310 milionë eurosh, kurse Tirana humbi 303,5 milionë euro.
Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, z. Luigi Soreca i pranishëm në publikimin e faturës së dëmeve nga tërmeti pohoi se në konferencën e donatorëve me 17 shkurt në Bruksel do të marrin pjesë përfaqësues nga 100 vende të botës.
“U bë një vlerësim i plotë i nevojave dhe tani është faza e tretë e rindërtimit. Ky dokument do të ndahet me ndërkombëtarët që mezi po e prisnin për të kuptuar se çfarë fondesh do të ishin. Nevojat janë mjaft të mëdha deri në shifrën e 1 miliard eurove. Konferenca do të bëjë bashkë përfaqësues nga më shumë se 100 vende”-tha z. Luigi Soreca.
Koordinatori i OKB-së në Shqipëri z. Brian Willimas theksoi se vëmendja duhet të përqendrohet tek njerëzit, ndërsa apeloi për një bashkëpunim më të ngushtë mes agjencive dhe ministrive të linjës.
“Mos të harrojmë që në qendër të jenë njerëzit dhe komunitetet. Agjencitë dhe aktet nënligjore duhet të jenë ekzistuese. Ulja e rrezikut nga fatkeqësitë kërkon që të gjithë agjencitë të bashkëpunojnë me ministritë e linjës, që të mendojnë një rezervë që të jenë të përgatitur, por edhe zyrat e qeverisjes vendore duhet të kenë burimet e tyre”, theksoi z. koordinatori i OKB-së, z. Brian Willimas.
Ky raport mbështetet mbi metodologjinë e PDNA-së. Një shifër e tillë është përmendur publikisht edhe nga ekspertë të njohur inxhinierë dhe operatorë turistike të vendit. Kompania britanike e sigurimeve AON, në raportin e saj vjetor të katastrofave natyrore për vitin 2019, e klasifikon tërmetin në Shqipëri si më të dëmshmin në nivel botëror, me një dem total financiar prej 1.1 miliardë dollarë.
Metodologjia PDNA është një metodologji vlerësimi e Bankës Botërore, e miratuar nga Bashkimi Europian dhe sistemi i organizatave të Kombeve të Bashkuara. Për ta zbatuar edhe tek ne, në fillim të janarit erdhi në Tiranë një ekip ekspertësh të huaj të fushës. Që nga viti 2008 i krijimit, PDNA është zbatuar me sukses ne dhjetëra raste katastrofash te renda natyrore në të gjithë botën. Vetëm që nga viti 2017, metodologjia është përdorur në 55 katastrofa natyrore në vende të ndryshme.
Metodologjia vlerëson demet materiale në sektorët prodhues, të shërbimeve dhe në sektorët socialë, demet në infrastrukturë dhe në uljen e pritshme të zhvillimit ekonomik të vendit të goditur. Ajo propozon masa të zbatueshme për qeverinë, biznesin dhe donatorët, si dhe jep shifra të bazuara mirë dhe të besueshme nga donatorët.
Më e rëndësishmja, PDNA parashikon ndërhyrje afatmesme dhe afatgjata në zonat e dëmtuara, për të mundësuar një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe social të zonës dhe të vendit ne tërësi.
Konferenca e Donatorëve në Bruksel, fokusi te rindërtimi i Shqipërisë
Bashkimi Europian do të organizojë një konferencë ndërkombëtare donatorësh më 17 shkurt në Bruksel, e cila synon mbledhjen e fondeve në përpjekje për të ringritur zonat e shkatërruara nga tërmeti i vitit të shkuar. Lëkundjet e mëngjesit të 26 nëntorit 2019 shkaktuan pasoja të rënda, ku 51 qytetarë humbën jetën dhe shumë shtëpi i shkatërruan.
Në një njoftim të publikuar në faqen e internetit të Komisionit Europian u dhanë më shumë detaje për konferencën. Sipas këtij njoftimi, Bashkimi Europian, shtetet anëtare, partnerë të Ballkanit Perëndimor, përfaqësues të shteteve të tjera si dhe organizata ndërkombëtare dhe institucione financiare ndërkombëtare, duke përfshirë Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe Bankën Botërore, do të jenë pjesë e kësaj konference.
Konferenca Ndërkombëtare e Donatorëve “Së bashku për Shqipërinë” (Together for Albania) do të nisë në orën 14:30. Presidentja e Komisionit Europian, Znj. Urusla von der Leyen do të kryesojë konferencën së bashku me kryeministrin e Shqipërisë Z. Edi Rama. Në fillim të konferencës do të prezantohet një llogaritje e të gjitha nevojave post-katastrofike (PDNA) dhe më pas do të vijojë një konferencë për shtyp.
Më 26 nëntor 2019, një tërmet me magnitudë 6.4 të shkallës Rihter tronditi Shqipërinë duke sjellë shkatërrimin e shumë infrastrukturave publike dhe private si dhe la pas 51 viktima, 1000 persona të lënduar dhe rreth 14,000 persona të cilët kanë zhvendosur përkohësisht vendbanimin e tyre.
Mijëra godina kanë pësuar shembje serioze, duke përshirë këtu shkolla dhe spitale. Ekipe të kërkim-shpëtimit u dërguan menjëherë në Shqipëri nga Mekanizmi i Bashkimit Europian për Mbrojtjen Civili pas kërkesës së Qeverisë së Shqipërisë, së bashku me inxhinierë strukturorë dhe ndihma të tjera nga shtetet anëtare të BE dhe partnerë të tjerë të rajonit.
Ekipi i Mbrojtjes Civile të BE qëndroi në Shqipëri nga 27 nëntori deri më 20 dhjetor dhe koordinoi përgjigjen ndërkombëtare.
Komisioni Europian njoftoi një ndihmë prej 15 milionë eurosh për rindërtimin e godinave prioritare publike, gjatë takimit të parë në dhjetor. Gjithashtu përgjatë dhjetorit është krijuar një llogaritje e nevojave post-katastrofike nga Bashkimi Europian, OKB dhe Banka Botërore e cila do të finalizohet përpara konferencës. Kjo llogaritje është e nevojshme për konferencën pasi do të shërbejë si bazë për përpjekjet e rikonstruktimit dhe rehabilitimit që pritet të pasojnë.
Kryeministri z. Edi Rama gjatë intervistës për Euronews Albania
Kryeministri i Shqipërisë z. Edi Rama gjatë vizitave që zhvilloi në Itali, Gjermani dhe në Bruksel vuri theksin tek nevoja e madhe që ka vendi ynë për të tejkaluar pasojat sociale të tërmetit. Shefi i qeverisë shqiptare gjatë qëndrimit në Bruksel foli rreth pritshmërive nga Konferenca e Donatorëve.
Ai i tha korrespondentit të Euronews Albania, Ernest Bungurit se Shqipëria beson shumë tek suporti financiar që do të marrë vendi ynë më 17 shkurt në Bruksel.
“Ne patëm një bisedë shterruese me Presidenten e Komisionit, e cila është organizatorja e konferencës, që ka ftuar të gjithë vendet e Bashkimit Europian dhe përtej vendeve të BE, që të bashkohen në një tryezë për të mbështetur Shqipërinë dhe kemi besim që konferenca do të jetë një sukses, edhe pse e dimë shumë mirë përpara dhe e kam thënë qysh në fillim se nevojat e të gjithë procesit nuk do mund të përmbushen nga konferenca, por sidoqoftë, një pjesë e nevojës është më se e mjaftueshme dhe për me tepër e rëndësishme që BE dhe vende e tjera të jenë me ne në këtë rrugëtim”-tha z. Rama për Euronews Albania.
Më poshtë gjeni të detajuar dëmet nga tërmeti i 26 nëntorit dhe faturën financiare sipas sektorëve