Romët hasin probleme me strehimin dhe legalizimin e vendbanimeve

26 Janar 2022 | 11:44

Qeveria shqiptare u zotua se do të rrisë numrin e personave të komunitetit rom dhe egjiptian si “përfitues kryesorë të programit social të strehimit”, në kuadër të strategjisë 2021-2025 mbi integrimin e komunitetit rom.

Por sot e kësaj ditë, strehimi mbetet një prej problemeve më të mëdha me të cilat përballet ky komunitet.

Një prej projekteve më në zë është ‘Tirana e Bregut të Lumit’, ose “Tirana Riverside” i cili planifikon të mirëpresë rreth 12 mijë banorë, shtëpitë e të cilëve u shkatërruan prej tërmetit që goditi Shqipërinë më 26 nëntor 2019, në mesin e tyre dhe shumë familje rome që jetojnë në zonën e 5 Majit prej vitesh.

Në faqen zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, projekti është ende “në proces përpilimi”.

Pak kohë më parë, kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj njoftoi në Instagram se disa prej familjeve të dëmtuara nga tërmeti do të hyjnë në shtëpitë e tyre të reja përpara natës së ndërrimit të viteve.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Erion Veliaj (@erionveliaj)

Euronews Albania bisedoi me Dritën, banore e rrugës 5 Maji, për t’u njohur me historinë e saj.

Autoritetet bashkiake i patën premtuar bonus qiraje dhe çelësat e një apartamenti të  ri, në këmbim të shtëpisë së saj, e cila pretendohet se ndodhet aty ku së shpejti do të ndërtohet një autostradë e re.

Por Drita thotë se ata zyrtarë nuk u dukën më që prej asaj dite, e deri më sot ajo nuk ka marrë asnjë qindarkë nga bonusi i qerasë.

Në një deklaratë zyrtare publikuar nga Ministria e Infrastrukturës thuhet se lista me emrat e familjeve të prekura nga projekti është publikuar dhe se të gjithë banorët mund të parashtrojnë pretendimet e tyre pasi të kenë dorëzuar dokumentet përkatëse pranë bashkisë Tiranë. Ndërsa ata që nuk kanë gjetur emrin në këto lista kanë një afat kohor prej 15 ditësh për të aplikuar.

Por një prej problemeve të nënvizuara në plan-veprimin e qeverisë për integrimin e romëve është vështirësia që ata kanë në qasjen e këtyre programeve, kryesisht për shkak të pamundësisë së tyre për të plotësuar aplikimin, gjë e cila sjell dhe vonesa në marrjen e bonusit si dhe procedurat e legalizimeve.

Një tjetër problematikë e ngritur është se familjet që aplikojnë për bonus qiraje shpesh nuk janë të regjistruara në gjendjen civile të kryeqytetit, e cila kthehet në problem kur duan të firmosin kontratat me qiradhënësit.

“Kjo është arsyeja përse shumë familje nuk aplikojnë për bonusin”, deklaron bashkia.

Euronews Albania bisedoi me Liri Qoshi, drejtuese a Njësisë Administrative nr. 4 në Tiranë, e cila shpjegoi se qytetarët duhet të pajisen me kontratë qiraje në mënyrë që të përfitojnë bonusin, si dhe të paraqesin llogarinë bankare të personit që do të marrë shtëpinë me qira dhe një dokument identifikimi.

Megjithatë, qeveria është zotuar se po hulumton mënyra për ta zgjidhur këtë problematikë, në kuadër të angazhimeve të firmosura në Deklaratën e Poznanit midis 6 shteteve te Ballkanit Perëndimor në 2019.

Gjashtë krerët e shteteve u zotuan se “Kudo që të jetë e mundur, të legalizohen të gjitha vendbanimet joformale ku jetojnë Romët; ose të sigurohet strehim i përhershëm, i mirë, i përballueshëm dhe jo të ndara për Romët që aktualisht të jetojnë në vendbanime joformale që nuk mund të legalizohen për arsye të justifikuara;”

Gjatë inaugurimit të projektit Tirana Riverside, Veliaj deklaroi se janë marrë masa për të ndihmuar ato familje që nuk kanë dokumentet e duhura ligjore që vërtetojnë pronësinë e truallit ku kanë ndërtuar banesën dhe se “askush nuk do të marrë më pak metra katrorë nga çfarë kanë”.

Sipas zëdhënëses së bashkisë Tiranë, 20 familje janë shpallur fituese për bonusin e qirasë, nga 26 aplikime.

“Familjet rome te komuniteti të 5 Majit janë përfshirë në programin e bonusit të qirasë dhe mbas ndërtimit të apartamenteve të tërmetit do të stabilizohen në hapësirat e reja”, deklaroi zëdhënësja e bashkisë.

Gjithashtu, ajo shton se janë krijuar banesa sociale në zonën Lanabregas dhe në Shkozë të cilat janë pa pagesë.

Shumë qytetarë braktisën vendet e tyre të lindjes në vitet 90 dhe ndërtuan shtëpitë të reja në kryeqytet, kryesisht në sipërfaqe që ishin në pronësi të shtetit. Në shumicën e rasteve, kjo është toleruar nga autoritetet për sa kohë shtëpitë e tyre nuk ndodhen në projekte infrastrukturore madhore.

LEXONI GJITHASHTU

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Dita e tretë e protestës, qytetarët kërkojnë anulimin e projektit në Zvërnec! Dalin me pankarta në duar

Protesta kundër projektit në Zvërnec vijoi edhe këtë të martë, duke shënuar ditën e tretë radhazi të kundërshtimeve nga banorët dhe qytetarët e zonës. Të...
18:23 | 02/06/2026

Nisin provimet e Maturës Shtetërore 2026, sot provimi i Gjuhës së Huaj

Mbi 26.600 maturantë në të gjithë vendin nisin sot provimet e Maturës Shtetërore 2026, me testin e parë, atë të Gjuhës së Huaj. Procesi do...
08:14 | 02/06/2026

Protestat për Pishë-Poron, Rama: Zona është e kategorisë së pestë dhe lejon aktivitet ekonomik

Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij para grupit parlamentar të PS-së, sqaroi edhe çështjen e mbrojtjes së zonës së Pishë-Poros, për të cilën u...
10:54 | 01/06/2026