Mark dhe Frances Walker kanë ardhur nga Londra. Ata mbajnë numrin 260 të turistëve që kanë vizituar Bylisin e Ilirisë gjatë muajit maj.
Çifti ka punuar gjithë jetën si ekonomistë financier. Të dy po shijojnë daljen në pension me një tur vizitash në Shqipëri.
Sot po vizitojnë Bylisin. Këtë qytet ia kanë prezantuar miqtë e tyre.
“Ne zgjodhëm Shqipërinë sepse miqtë tanë na e kanë rekomanduar. Është një vend ku ne kemi dëshirë ta vizitojmë, sepse këtu ka kulturë romake dhe helene”, shprehet Mark.
“Duke qenë se ne jemi diplomuar në klasicizëm, është një dëshirë e jona për të njohur dhe parë këto qytete antike. Normalisht për ne është një vizitë e cila na ofron një hapësirë të re”, thotë Frances Ëalker.
Parku arkeologjik Bylis ofron hapësirën e tij me shumë momente duke e bërë atë një nga sitet më të bukura dhe një nga qytetet ilire që dominon mbi lumin e Vjosës.
Ky park ka një hapësirë më të madhe të vizitueshme duke pasur një pjesë të mirë e monumenteve është mirëmbajtur.
“Kjo do të thotë që pjesa e vizitueshmërisë sivjet nuk do të ketë në fokus vetëm monumentet por edhe mozaikët. Gjatë muajit Qershor do të bëjmë dhe hapjen e një pjese të mozaikëve të tij për vizitorët”, thotë Ornela Dyrmishaj, drejtoreshë e parkut.
Parku Bylis ofron një infrastrukturë më të pasur informuese për vizitorët duke filluar nga sinjalistika në territorin e parkut, tabelat informuese dhe të gjitha broshurat e nevojshme që cilido vizitor dëshiron.
E rëndësishme është që ky park ka edhe një aplikacion dixhital, ku çdo kush mund ta shkarkoj në telefonin e tij dhe të ketë një guidë personale në çdo hapësirë që viziton brenda këtij parku.
Në krahasim me të njëjtën periudhë, numri i turistëve që kanë vizituar Bylisin është më i madh. 1300 turistë vizituan këtë qytet antik në këto 5 muaj.