Maqedonia e Veriut pret që në muajt e parë të 2020-tës të bëhet anëtarja e 30-të e NATO-s. 28 vende anëtare tashmë kanë ratifikuar protokollin për pranimin e Maqedonisë së Veriut në aleancë, ndërsa pritet vetëm edhe verdikti spanjoll, që po vonon më shumë për arsye teknike. Zgjedhjet parlamentare dhe kriza institucionale në Spanjë kanë prolonguar për disa muaj ëndrrën e shtetasve të Maqedonisë së Veriut, për tu bërë aleat krah për krah me më të mëdhenjtë.
Por përkundër statusit formal të papërfunduar, vendet e NATO-s tashmë e pranuan të barabartë në tavolinë edhe vendin e vogël ballkanas, duke nisur nga Samiti i Londrës në fillim të dhjetorit.
Duket sikur fundi i rrugës, por i një rruge aspak të lehtë. Një çerek shekulli luftë për ta çuar në port ëndrrën strategjike të disa gjeneratave.
Aspiratat e Maqedonisë për anëtarësim në NATO kanë filluar menjëherë nga pavarësimi i vendit në vitin 1991. Kuvendi i Republikës së Maqedonisë në vitin 1993 miratoi rezolutën për anëtarësim në NATO. Në vitin 1995 Maqedonia nënshkroi marrëveshjen kornizë për pjesëmarrje në partneritetin për paqe. Në vitin 1999 vendi bëhet kandidat zyrtar për anëtarësim në NATO. Në vitin 2008 arrin veto zyrtare nga Greqia në Samitin e Bukureshtit që i pamundëson Republikës së Maqedonisë anëtarësimin në NATO. Që nga atëherë bëhen përpjekjet për të gjetur një zgjidhje për çështjen e emrit, e që më në fund vjen në vitin 2018.
Që nga pavarësimi nga ish-Republika Federative e Jugosllavisë, emri Maqedoni u kontestua fuqishëm nga Greqia. Fqinjët pretendonin ekskluzivitetin mbi këtë term dhe historinë e Maqedonisë Antike. Shteti i ri u pranua në OKB me referencën FYROM – Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë, si kompromis i përkohshëm deri sa të gjendet një emër i pranueshëm për të dyja palët.
Por bisedimet nën ombrellën e OKB-së zgjatën me vite dhe një marrëveshje mes maqedonasve dhe grekëve nuk po arrihej. Kryesisht mosmarrëveshjet ishin mbi identitetin e popullit maqedonas, gjuhën, historinë dhe natyrisht emrin e shtetit. Të dy vendet ishin në prag të marrëveshjes në vitin 2008, kur pushtetin qendror në Shkup e kishte Nikolla Gruevski, ndërsa presidencën Branko Cërvenkovski i LSDM-së. Por marrëveshja për emrin Republika e Maqedonisë (Shkupi) dështoi në moment të fundit dhe bëri që Greqia të vendosë veto ndaj anëtarësimit të fqinjit të saj verior në NATO. Që atëherë qeveria Gruevski dukej e pa interesuar për kompromis, duke çuar Maqedoninë thuajse në izolim total.
Me ndërrimin e pushtetit në Shkup në vitin 2016 dhe kalimin e Zoran Zaev në krye të Qeverisë, u ringjall dialogu mes dy vendeve. Më në fund, bisedimet u kurorëzuan me Marrëveshjen e Prespës, të firmosur me 12 qershor 2018.
“Do t’i hapim kufijtë për fqinjin tonë për të bashkëpunuar. Së bashku do të ruajmë stabilitetin dhe sigurinë. Për ata që janë kundër marrëveshjes kam një porosi: grekët, maqedonasit dhe evropianët janë më të fuqishëm se frika që mbjellin. Janë kundër ksenofobisë dhe propagandës. Kur të gjithë na thoshin se nuk ka rrugëdalje, ne gjetëm zgjidhje. E di që nuk ishte lehtë edhe për miqtë tanë grek, por ju falënderoj që jeni në anën e mirë të historisë,” tha Zoran Zaev për marrëveshjen e Prespës.
“Sot gjendemi këtu duke e shikuar në sy historinë e popujve tanë, gjendemi këtu që të dy të kryejmë detyrën tonë patriotike . Me mund arritëm deri te marrëveshja e pranueshme për të dy palët, e cila tërësisht i respekton parimet themelore dhe vlerat e dy palëve, marrëveshje e cila sot na lejon t’u drejtohemi qytetarëve të të dy vendeve, t’i shikojmë në sy dhe t’u bëjmë thirrje ta lexojnë dhe përkrahin pa paragjykime”, tha kryeministri grek i asaj kohe, Aleksis Cipras.
Më e vështirë se arritja e marrëveshjes ishte implementimi i saj. Sidomos i pikës kryesore, ndryshimin e kushtetutës në Republika e Maqedonisë së Veriut. Zoran Zaev kërkoi verdiktin e qytetarëve në një referendum popullor që do të kishte karakter konsultativ dhe jo obligues.
“Sot pres që të ketë masivitet në dalje dhe të dëshmohet bashkimi ndëretnik dhe politik i shoqërisë tonë. Shpresoj që Kuvendit ta ndjekë mesazhin e qytetarëve që do të dalë nga rezultati i këtij referendumi, pasi do të jetë një tregues i qartë në cilin drejtim duhet të shkojë shteti jonë. Pas këtyre vendimeve pres që Maqedonia të arrijë aspiratat e saj strategjike për anëtarësim në BE dhe NATO,” u shpreh Zaev për referendumin.
Ali Ahmeti nga ana e tij komentoi se “Ne të gjithë jemi angazhuar që nga 1 tetori Maqedonia të jetë pranë vendeve ku aspirojmë ne. Pranë Bashkimit Evropian. Sigurisht që është bërë mjaft mund. Jo vetëm njëanshëm, partitë politike, por të gjithë njëzëri, sidomos gjatë 15 viteve të fundit që vendi ynë të jetë pjesë e BE-së dhe NATO-së”.
Vetëm 36,89% e qytetarëve dolën në referendumin për ndryshimin e emrit. 94% e atyre që dolën ishin pro emrit Maqedonia e Veriut, por pjesëmarrja nën 50% e bëri referendumin ligjërisht të dështuar. Pavarësisht kësaj, Zaev zgjodhi të lexojë rezultatin e atyre që morën pjesë në referendum, dhe vendosi të çojë përpara implementimin e marrëveshjes.
Me votat e të gjitha partive shqiptare në pushtet dhe opozitë, por edhe 8 deputetë të VMRO-së, shumica parlamentare arriti të sigurojë 80 votat e nevojshme për ndryshimin e emrit kushtetues.
Tetë deputetët e VMRO DPMNE-së që përkrahën ndryshimet, që atë natë u përjashtuan nga partia.
“Sot në Republikën e Maqedonisë është një ditë e trishtë. Një e premte e zezë. E premtja më e zezë në historinë e demokracisë së Maqedonisë së pavarur. Do mbetet e shkruar në histori se populli nuk e tradhtoi Maqedoninë, por Zaevi dhe disa afër tij. Vullneti i qytetarëve të cilët në referendum treguan qartë se janë kundër ndryshimit të emrit ishte shkelur nga dy të tretat e deputetëve në Parlament por edhe nga tetë deputetë të opozitës të cilët shkuan kundër vullnetit të qytetarëve. Më kanë informuar se u janë bërë presione dhe kërcënime të shumta. U është premtuar se do të lirohen prej akuzave, dhe u janë ofruar para,” komentoi ndryshimet kushtetuese politikani i VRMO-DPMNE Hristijan Mickoski.
Me përmbylljen e detyrimit kryesor të dalë nga Marrëveshja e Prespës, Maqedonia e Veriut eliminoi pengesën greke në rrugën drejt NATO-s. Greqia u bë ndër shtetet më këmbëngulëse për pranimin e Shkupit në tryezën veri-atlantike.
Nano Ruzhin, ish ambasador i Maqedonisë së Veriut në NATO u shpreh se me zgjidhjen e problemit me fqinjin jugor, praktikisht u realizuar dëshira e madhe e gjeneratës sime, por edhe të tjerëve për anëtarësim të plotë.
“Tani po e fitojmë anëtarësimin dhe kjo për neve do të thotë se do të kemi kufij të sigurt, do jemi anëtarë të një klubi i cili është më i fuqishmi në historinë e sigurisë dhe politikës. Në mesin e tridhjetë shteteve të zgjedhura do të jenë edhe politikanët tanë të parë, ekspertët tanë civil dhe ushtarak. Është mirë që të jemi anëtarë”, tha ai.
Ish-ambasadori i Maqedonisë në NATO Nano Ruzhin, njohës i mirë i procesit integrues, thotë se vendi do të shohë menjëherë përfitimet nga anëtarësimi.
“Do të kemi përfitime të sigurisë, do jemi shtet të cilit do ti garantohet integriteti territorial, sovraniteti, kufijtë, shtet që do të hapë rrugë për investime nga shtete të pasura të cilat investojnë ekskluzivisht në shtete që janë anëtare të NATO-së. Shteti jonë do të mund të eksportojë produktet e saj dhe të kyçet në proceset teknologjike të prodhimit të produkteve të caktuara që nevojiten për teknologjinë e NATO-së . E të mos flas edhe për lobimin,” komentoi Nano Ruzhin.
Të gjithë sytë në Shkup tani janë kthyera nga Madridi. Pritet përfundimi i krizës institucionale në Spanjë dhe ratifikimi i protokollit për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO. Shpresat janë që kjo të ndodh para 11 shkurtit, me qëllim që parlamenti aktual i Maqedonisë së Veriut të ratifikojë procedurën për anëtarësim para shpërbërjes së Kuvendit, për shkak të zgjedhjeve të caktuara për më 12 prill.