Shkelën vullnetin e votuesve, mbyllen katër qendra ilegale për punë sociale në veri
Policia e Kosovës i ka mbyllur të premten objektet e Qendrës për punë sociale në Mitrovicën e Veriut – të cilat funksiononin në kuadër të sistemit paralel serb – për shkak të dyshimit se aty janë kryer “veprime të paligjshme lidhur me procesin zgjedhor”.
Policia ka thënë përmes një njoftimi se është duke kontrolluar objektet e kësaj Qendre në tri komuna me shumicë serbe në veri – Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan – pasi ka dyshime për “veprime të kundërligjshme lidhur me procesin zgjedhor”.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se në këtë aksion nuk është arrestuar askush dhe se është duke u zhvilluar një intervistë informative me drejtorin përgjegjës të Qendrës për Punë Sociale në Mitrovicën Veriore dhe Zveçan.
“Dyshohet për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve”, ka thënë Elshani.
Policia e Kosovës ka thënë përmes një deklarate se ka kërkuar leje nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë për t’i kontrolluar objektet e Qendrave për punë sociale pasi katër punonjës të kësaj Qendre në Zubin Potok ishin arrestuar më 8 shkurt për “shkelje të vullnetit të votuesve”.
Sipas komunikatës, këta zyrtarë të “institucioneve paralele dhe ilegale” dyshohet se i kanë telefonuar qytetarët dhe i kanë kërcënuar, apo u kanë treguar se si të votojnë, duke i kushtëzuar me pagesën e ndihmës sociale.
Zgjedhjet parlamentare në Kosovë u mbajtën më 9 shkurt dhe sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit aktual, Albin Kurti fitoi më së shumti vota, ndërsa në mesin e komunitetit serb, Lista Serbe, e mbështetur nga Beogradi, fitoi bindshëm.
Më 21 shkurt, Lista Serbe ka reaguar ndaj bastisjeve në Qendrat e punës sociale në disa komuna në veri të Kosovës, duke pretenduar se kryeministri Kurti “po i shfrytëzon ditët e fundit për të sulmuar edhe një herë gjithçka serbe”.
“Lista Serbe e dënon ashpër këtë veprimtari të paligjshme dhe antiserbe të falangës së Kurtit dhe dërgon mesazh se asnjë nga të punësuarit apo shfrytëzuesit e përfitimeve sociale nuk do të mbetet pa të drejtat e veta dhe se sot kryesia e partisë sonë do të takohet me të punësuarit dhe do të ofrojë të gjithë mbështetjen e mundshme”, thuhet në komunikatë.
Partia më e madhe serbe e Kosovës i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të dënojë “lëvizjet në rritje që rrezikojnë në mënyrë drastike jetën e mijëra përfituesve të mirëqenies sociale”.
Pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë marrin të ardhura të ndryshme nga buxheti i Serbisë, si paga, pensione, ndihmë sociale, shtesa për fëmijë dhe prindër e të ngjashme.
Autoritetet e Kosovës kanë mbyllur shumicën e institucioneve që funksionojnë brenda sistemit serb gjatë vitit të kaluar, me argumentin se puna e tyre është e paligjshme, por Beogradi zyrtar ka vazhduar t’iu japë paga./REL
LEXONI GJITHASHTU:
Aksident me tre automjete pranë rrethrrotullimit të Bradasheshit, bllokohet qarkullimi në hyrje të Elbasanit (VIDEO)
104 vjet miqësi SHBA-Shqipëri, Ambasada Amerikane në Tiranë: Një lidhje që historia nuk mundi ta prishte
Meteorologia paralajmëron rikthimin e vapës ekstreme: Ja dita kur temperaturat do të arrijnë 42°C
- 10:21 Aksident me tre automjete pranë rrethrrotullimit të Bradasheshit, bllokohet qarkullimi në hyrje të Elbasanit (VIDEO)
- 10:16 104 vjet miqësi SHBA-Shqipëri, Ambasada Amerikane në Tiranë: Një lidhje që historia nuk mundi ta prishte
- 10:11 Incidenti me dokumentin e huasë 302 milionë dollarë, Sekretariati i Etikës përjashton Shehajn 60 ditë nga Kuvendi
- 10:04 Arrestohen në Zubin Potok dy serbë të dyshuar për krime lufte kundër civilëve shqiptarë
- 09:47 Tërmeti me magnitudë 7.1 ballë godet ishullin Kyushu në Japoni, lëshohet paralajmërim për cunami
- 09:36 Meteorologia paralajmëron rikthimin e vapës ekstreme: Ja dita kur temperaturat do të arrijnë 42°C