Pas shpalljes së gjendjes së emergjencës globale nga coronavirusi i ri në pikat kufitare që lidhin Shqipërinë me Malin e Zi, policët doganorë kanë shtuar kontrollet.
Dy mjekë dhe 3 infermierë ndodhen në pikën kufitare të Muriqanit, të cilët të pajisur me maska mbrojtëse kryejnë kontrollin e personave që hyjnë në vendin tonë. Mjekja znj. Amela Bushati u shpreh për Euronews Albania se bluzat e bardha po mbajnë nën monitorim situatën në pikat kufitare.
“Është ngritur një dhomë, e cila do të shërbejë në rast se do të ketë raste të cilat do të identifikohen me problematikë të virusit, pastaj në bashkëpunim me shërbimin e epidemiologjisë dhe njësinë vendore të kujdesit shëndetësor në Shkodër dhe Operatorin Shëndetësor do të bashkëpunojmë për monitorimin e rastit, rast pas rasti”- u shpreh znj. Amela Bushati,e cila mban postin e drejtoreshës në qendrën shëndetësore në Ana Malit.
Kontrolle kryhen kryesisht shtetasve aziatikë, por dhe personave që udhëtojnë nga vendet në të cilët ka pasur raste të përhapjes së virusit.
Sipas informacionit më të fundit nga Korça në pikën doganore të Qafë Thanës janë vendosur mjekë të cilët bënë verifikimin e udhëtarëve. Jo në të gjitha pikat kufitare janë marrë masat për kontrolle të hyrje daljeve nga Shqipëria. Raportohet se nuk ka të njëjtën gatishmëri për masat kundër coranovirusit të ri në Kapshticë.
“Kemi frikë, por deri tani nuk dimë gjë se në Shqipëri ka virus”- theksoi një udhëtar.
Në këtë pikë kufitare nuk ka mbërritur asnjë mjek për të kontrolluar udhëtarët që kalojnë nga Greqia në Shqipëri. Ministria e Shëndetësisë mblodhi ditën e djeshme Task-Forcën pas shpalljes së emergjencës globale nga OBSH-ja për coronavirusin e ri, prej të cilit raportohet se kanë humbur jetën mbi 200 persona, ndërsa me mijëra të tjerë janë infektuar.
Ministrja e Shëndetësisë, znj. Ogerta Manastirliu, tha dje se deri tani nuk raportohet për asnjë person të infektuar me këtë virus në Shqipëri, ndërsa shtoi faktin se vëmendja e strukturave përkatëse është në nivele maksimale.
Më tej ministrja e Shëndetësisë tha se Shqipëria është një ndër vendet më pak të rrezikuara nga virusi, edhe pse deri tani raportohet se janë prekur mbi 18 shtete të botës.
Lexoni më shumë: https://euronews.al/sociale/2020/01/31/ministria-e-shendetesise-mbledh-task-forcen-per-masat-kunder-coronavirusit