English

“Sllovenët janë të neveritshëm” – Deklarata e Vuçiç në OKB shkakton reagime

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç është përballur me kritika të ashpra pas një veprimi të cilësuar gjerësisht si “skandaloz” gjatë punimeve të seancës së Këshillit të Sigurimit në OKB.

- Advertisement -

Vuçiç tha të martën se Serbia ra në kurthin e ngritur nga SHBA, Zvicra dhe Sllovenia.

“Kur u vonua seanca e Këshillit të Sigurimit, pyeta se për çfarë bëhej fjalë, por më pas kuptuam se për këtë ishin marrë vesh amerikanët, sllovenët dhe zviceranët. Nuk dihet kush është më i neveritshëm, sllovenët apo dikush tjetër”, tha Vuçiç.

“Presidenti serb Aleksandër Vuçiç, në një deklaratë në punimet e seancës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ka përdorur shprehje jashtëzakonisht fyese që nuk i përkasin presidentëve të shteteve, e aq më pak marrëdhënieve miqësore mes popullit slloven dhe atij serb”, u shpreh kryeministri slloven Robert Golob, duke komentuar një deklaratë të Vuçiç.

Kryeministri Robert Golob tha se një retorikë e tillë nuk i përshtatet një kreu shteti, e lëre më për marrëdhëniet miqësore midis sllovenëve dhe serbëve. “Deklarata të tilla na kujtojnë një kohë tjetër dhe janë të padenjë për marrëdhëniet mes dy vendeve”, citohet të ketë thënë ai nga zyra e tij.

Si anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Sllovenia po punon sinqerisht për pajtimin midis kombeve dhe “një qëndrim respektues ndaj këtyre përpjekjeve tona është më e pakta që presim nga presidenti i Serbisë mike”, shtoi Golob.

Ministria e Punëve të Jashtme e Sllovenisë ftoi të ngarkuarin me punë në ambasadën e Serbisë në Lubjanë pas deklaratës së Vuçiç kundër Sllovenisë pas seancës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën.

Ministrja e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon, i quajti fyese dhe të papranueshme fjalët e Vuçiç, ndaj dhe vendosën të ftojnë të ngarkuarin me punë të Serbisë për t’i paraqitur nje note proteste

“Kërkojmë një shpjegim, një falje. Kjo nuk është në frymën e marrëdhënieve fqinjësore apo miqësore”, tha Fajon, duke shtuar se nuk mund ta imagjinonte një bashkëpunim të mirë nëse dikush përdor fjalë të tilla ofenduese dhe fyen një komb të tërë.

“Ne presim që Serbia të veprojë në frymën e vlerave evropiane që ajo vetë mbron,” shtoi ajo

“Nëse lëndova dikë në Slloveni, kërkoj falje, por nuk do t’u kërkoj falje politikanëve sllovenë”, tha presidenti serb Aleksandër Vuçiç nga Nju Jorku.

“Unë thashë se sllovenët ishin të neveritshëm, duke iu referuar seancës së Këshillit të Sigurimit. Kjo ishte tema dhe të gjithë e kishin të qartë se kishte të bënte me individin dhe me politikën e tyre. Sigurisht që nuk është fjalori që duhet përdorur, por në mënyrë njerëzore thashë atë që mendoj për politikën e tyre”, tha Vuçiçi në një fjalim para gazetarëve, raporton N1.

Ai shtoi se mendon më të mirën për sllovenët si popull dhe se ka shumë miq dhe të afërm në Slloveni.

“Nëse kam ofenduar dikë, dua t’i kërkoj falje gjithë publikut të Sllovenisë dhe në të njëjtën kohë të them se nuk do t’u kërkoj falje politikanëve sllovenë, sepse ata udhëheqin një politikë të neveritshme ndaj Serbisë dhe popullit serb”, tha Vuçiçi më tej.

Presidenti serb ka shtuar se deklarata e tij është nxjerrë jashtë kontekstit dhe është vlerësuar si diçka “e tmerrshme”, por se cenimi i integritetit territorial të Serbisë nuk është vlerësuar si “e tmerrshme”.

“Nuk është e tmerrshme që ata po sponsorizojnë rezolutën për Srebrenicën kundër popullit tonë, pa u konsultuar me ne, pa na informuar apo pyetur paraprakisht. Gjithashtu shfrytëzoj rastin të ftoj (Kryeministrin e Sllovenisë) Robert Golob dhe Presidenten (sllovene Natasha) Pirc Musar në Beograd dhe Serbi. Sigurisht që është e nevojshme të kërkoj falje edhe një herë, të theksoj se sigurisht që nuk mendoja për sllovenët, por t’u them atyre në sy se çfarë mendoj për politikën e tyre të keqe ndaj Serbisë dhe popullit serb”, përfundoi Vuçiçi.

Vuçiç u zemërua nga fakti që presidentja e Kosovës Vjosa Osmani u shoqërua nga  gra  viktima te dhunës seksuale dhe jo vetëm gjatë luftës së Kosovës, në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së më 22 prill për të dëshmuar për krimet serbe të luftës.

Duke e akuzuar Osmanin se kishte gënjyer se gratë ishin anëtare të zyrës së saj, Vuçiç tha se pasi u zbulua ato nuk u lejuan të merrnin pjesë në seancë sipas protokolleve të OKB-së. Megjithatë, “një nga superfuqitë ndërhyri” për t’u siguruar që në fund të marrin pjesë në seancë, shtoi ai duke iu referuar “kurthit” te pretenduar prej tij ndaj Serbisë.

Në seancë, Osmani i bëri thirrje presidentit serb që t’u kërkojë falje viktimave të regjimit të dikurshëm serb, pjesë e të cilit, sipas saj, ishte edhe Vuçiç.

Ajo që gjithashtu ngriti pluhur në Serbi ishte një projekt-rezolutë e paraqitur në OKB javën e kaluar, e cila bën thirrje për një ditë ndërkombëtare përkujtimi të gjenocidit të Srebrenicës. Sllovenia, një anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit, u përfshi në hartimin e propozimit.

 

LEXONI GJITHASHTU:

 

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

Altin Dumani paraqiti raportin e Prokurorisë së Posaçme, si e vlerësoni punën e SPAK për vitin 2023?
×