Dhjetëra qytetarë, prindër dhe fëmijë, morën pjesë këtë të enjte në një marshim nga shkolla “Fan Noli” drejt Ministrisë së Arsimit, si shenjë proteste për vrasjen e 14-vjeçarit nga bashkëmoshatari i tij.
E pranishme në protestën përpara ministrisë ishte dhe tezja e 14-vjeçarit, e cila, në një gjendje të rënduar emocionale, shfaqi probleme shëndetësore gjatë protestës. E shoqëruar nga një e afërme e saj, tezja humbi ndjenjat dhe u detyrua të dërgohej me ambulancë për të marrë ndihmën e parë mjekësore.
Në deklaratën e shkurtër që mbajti përpara kamerave, ajo, mes lotësh, tha se djali ishte dërguar në shkollë dhe jo në luftë, duke shprehur dhimbjen e thellë për humbjen e tij.
“E çuam në shkollë dhe jo në luftë që të na e therin. Nuk më gjen gjë. Gjithë bota ka mbajtur zi për të, jo vetëm Shqipëria. Ç’më duhet uji, ka katër ditë që Martini nuk pi ujë”, tha ajo.
Kujtojmë se 14-vjeçari u vra ditën e hënë nga një bashkëmoshatar i tij, gjatë një konflikti me thikë në ambientet e jashtme pranë shkollës 9-vjeçare “Fan Noli”. Dhjetëra prindër dhe fëmijë u bashkuan në protestën e kësaj të enjteje, duke kërkuar më shumë siguri në shkolla.
LEXONI GJITHASHTU:
- “Boshllëk që s’do mbushet kurrë”- Nëna e 14-vjeçarit përlot protestuesit
- “Djali ka 3 ditë që nuk fle”- Prindër te “Fan Noli” përkujtojnë 14-vjeçarin e vrarë