Tradita që jeton, këpucari i vetëm në Sukth sfidon kohën dhe harresën
Në një kohë kur zanatet po zbehen nga modernizimi dhe të rinjtë largohen për mundësi më të mëdha, në Sukth, një dyqan i vogël këpucari sfidon kohën dhe ndoshta ky është mjeshtëri i fundit në zonë.
Enea Jaholli, 35 vjeç, është kthyer në një shembull të rrallë përkushtimi, ndërsa prej 15 vitesh ushtron këtë profesion me pasion ku vazhdon të riparojë e ti japë jetë të re këpucëve, ndonëse profesioni i tij po shuhet, pa pasur kush ta trashëgojë.
Rruga drejt këtij zanati nisi që në fëmijëri, kur vizitat në vendin e punës së prindërve ndezën një kureshtje që më pas u kthye në profesion.
“Si fillim prindërit e mi kanë punuar në fabrikë këpucësh dhe unë isha diku tek 12-13 vjeç. Shkoja, i shikoja ku punonin, si punonin. Ditëve të diela shkoja zakonisht. Duke vajtur një herë, dy herë, u bë interesante dhe shkoja gjithmonë”, thotë Enea Jaholli.
Përvojën e ndërtoi hap pas hapi, pranë mjeshtërve të zanatit, derisa arriti të fitojë respektin e komunitetit për punën e tij të detajuar dhe cilësore.
“Shtysën për këtë zanat ma dhanë drejtori ku punoj aktualisht dhe kolegët, kur e mora si mendim. Pavarësisht se kisha dyshime nëse do funksiononte, ata ishin shtysa”, tregon ai.
Në një kohë kur këpucët shpesh zëvendësohen më lehtë sesa riparohen, klientët e tij tregojnë të kundërtën.
“Kur e hapa në fillim, nuk e mendoja që do kishte kaq shumë kërkesë, sepse në këto kohë të sotme blejmë një palë këpucë, prishen dhe i hedhim. Por ndodhi e kundërta. Kam pasur goxha punë, shumë kërkesa. Kam punuar që nga mosha 18 vjeç deri tani, me profesionistë të ndryshëm – dikush më mësoi bojërat, dikush qepjen, dikush ngjitjen. Deri sa arrita këtu ku jam. Të punosh vetëm këtë punë është pak e vështirë në ditët e sotme.”
Sfida më e madhe për të mbeten porositë e shumta dhe koha e kufizuar për të ruajtur cilësinë që klientët kërkojnë.
“Koha është vështirësia më e madhe. Të vijnë shumë porosi dhe nuk arrin t’i kapësh të gjitha në një kohë. Është punë e lodhshme sepse do përqendrim maksimal, precizion. Nëse nuk je i përqendruar, e prish punën dhe dëmton këpucën”, shprehet Enea.
Në tregun ku është i vetëm, ai e ndien mungesën e konkurrencës dhe brezit pasues.
“Mendoj se do ishte mirë të kishte konkurrencë, sepse bëhet diferenca. Zanatçinjtë e vjetër po plaken, nuk kanë më precizionin e duhur. Kush ka interes si puna ime, ka marrë eksperiencë që në kohë. Po ta fillosh në moshën 25 vjeç, do shumë kohë. Çunat sot e kanë afër kurbetin, jo zanatin. Nuk kanë interes – shikojnë vetëm lekun. Por unë mendoj që gjithçka nuk është vetëm te paraja”, thotë ai.
Mes përditshmërisë së lodhshme, dorës që nuk gabon dhe mungesës së brezit pasues, Enea Jaholli është shembulli i një mjeshtërie që po shuhet. Por ai zgjedh të qëndrojë, të punojë dhe të mbajë gjallë një traditë.
LEXONI GJITHASHTU:
Deklarata e ministres serbe për spastrimin etnik në Kosovë, reagon Hoxha: E papranueshme dhe fyese për viktimat
Përplasjet në Zvërnec, Apeli ndryshon masën e sigurisë për njërin prej rojeve të arrestuarve
Efekti Haaland në Peru, qindra foshnja pagëzohen me emrin e sulmuesit norvegjez
- 22:21 SHBA rifillon bllokadën detare ndaj porteve iraniane, hyn në fuqi urdhri i Trump
- 22:18 Zyrtari iranian: Nuk kemi asnjë detyrim për marrëveshje me SHBA-në
- 22:17 Trajneri Deschamps, mbreti i pankinës në Botëror! Francezi thyen rekordin 48 vjeçar
- 22:10 Nurellari: Kërkimin shkencor e kemi në duar të sigurta me Ministrin e Ramiz Alisë
- 22:04 “10 mijë euro për t’u bërë mësues”, Koka: Ja sa paguhet për t’u futur në sistemin arsimor
- 22:02 Rama nga Brukseli: Thanë nuk do hapen negociatat, sot u mbyllën tre kapitujt e parë