Tragjedia në Koçan, presidentja maqedonase: Askush nuk duhet t’i shmanget ligjit
Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova, në një konferencë për mediat u shpreh mirënjohëse për mbështetjen e pakursyer të shprehur nga dhjetëra vende të botës, pas tragjedisë me 59 viktima në një diskotekë të Koçanit.
Ajo tha se përgjegjësit duhet të mbajnë përgjegjësi për këtë tragjedi ndërsa shtoi se asgjë nuk është më e rëndësishme se jeta e një të riu.
“Të gjithë jemi në shok, edhe unë vetë jam e tronditur: si nënë, si njeri, si presidente. Ende nuk mund ta besoj se tragjedia e tmerrshme në Koçan është realitet.
Nuk e di me çfarë fjalësh t’ju shpreh ngushëllimet e mia prindërve dhe më të afërmve të viktimave. Dhimbja juaj e pamasë është edhe e imja.
Sot në mëngjes vizitova spitalet. Para tyre më pritën prindërit e të plagosurve, me shpresë dhe besim te personeli mjekësor. Edhe unë, ashtu si ata, besoj se ata do të bëjnë jo vetëm të mundshmen, por edhe të pamundshmen për t’u ndihmuar të dashurve të tyre.
E di dhe e ndiej se nuk jemi vetëm, sepse menjëherë reaguan jo vetëm fqinjët tanë, por edhe shtetet më të largëta.
Të plagosurit më rëndë po dërgohen në klinikat e specializuara në Bullgari, Serbi, Greqi dhe Turqi për të marrë ndihmën dhe ndërhyrjet më të avancuara mjekësore. Njerëzit e mirë nga i gjithë rajoni, Evropa dhe bota janë me ne. Kurrë nuk do ta harrojmë këtë akt bujarie. Do të jemi gjithmonë mirënjohës.
Të nderuar dhe të dashur qytetarë,
Ju lutem, të udhëhequr nga humanizmi dhe empatia, të bashkohemi në këtë dhimbje, të vetëdijshëm se vdekja dhe sëmundja na prekin të gjithëve njësoj, pa dallim përkatësie.
Nuk është koha për ndasi dhe përplasje, veçanërisht kur bëhet fjalë për të rinj, jeta e të cilëve u shua në çast për shkak të papërgjegjshmërisë, improvizimit dhe manipulimit.
Asnjë veprimtari nuk duhet të funksionojë pa standarde dhe rregulla.
Askush që mban përgjegjësi nuk duhet t’i shmanget drejtësisë, ligjit dhe ndëshkimit!
Të mos e përdhosim sakrificën e pafajshme të viktimave, por të bashkojmë forcat për të mbështetur të mbijetuarit. Të mos lejojmë më që dikush të rrezikojë jetën e njerëzve të pafajshëm.
Kurrë më të mos sakrifikojmë standardet dhe sigurinë e njerëzve për fitimet dhe pasurinë e individëve.
Asgjë nuk është më e vlefshme se jeta njerëzore, e sidomos ajo e të rinjve”,-tha presidentja Davkova.
LEXONI GJITHASHTU:
Momente paniku në Madrid, qindra persona evakuohen nga zjarri në rrokaqiellin 49-katësh
Misteri i 84-vjeçares së zhdukur, publikohen mesazhet tronditëse të rrëmbyesit
Vila legjendare e Berlusconit në Sardenjë blihet për 350 milionë euro nga dinastia Al Thani (FOTO)
- 17:02 Le Pen mbështet Melonin në përplasjen me Trumpin: Ai ishte shumë ofendues
- 16:57 Macja Larry në Britaninë e Madhe që ka përcjellë gjashtë kryeministra
- 16:55 Rama pret ambasadorin e ri të Turqisë në Shqipëri
- 16:51 Italia kritikon shefin e NATO-s, deklaroi se 500 baza ushtarake italiane do përdoren kundër Iranit
- 16:49 Braçe flet për protestën: Unë mbetem socialist, deligjitimimi i zgjedhjeve do dëmtonte procesin në BE
- 16:47 Rrebeshe të forta shiu përfshijnë Elbasanin, vështirësi në qarkullimin rrugor