Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare Marlind Laçi ishte këtë të premte i ftuar në Euronews Albania ku ka analizuar deklaratat e presidentit të SHBA-ve, Donald Trump i cili është shprehur se “palestinezëve u duhet një tokë e re”.
Sipas Laçit, Trump po legjitimon spastrimin etnik të palestinezëve në Gaza. Ai tha se në takimin mes kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu dhe Donald Trump, ky i fundit “ka ngulur gozhdën e fundit, rendit të vjetër botëror që mundohej të mbane në këmbë një paqe dhe të izolonte konflikte botërore”.
“Takimin mes tyre e kam parë si një takim legjitimues, në sjelljen politike, ushtarake, qoftë morale, të Benjamin Netanjahut, gjatë gjenocidit 15 mujor në Gaza. Deklaratat e Donald Trump në atë takim, por edhe pas takimit janë tepër të rrezikshme për rendin global. Ai i ka ngulur gozhdën e fundit rendit botëror që mundohej të mbane në këmbë një paqe dhe të izolonte konflikte botërore, të paktën nuk ishte aq i egër sa ky rend botëror në të cilin, Trump beson. Donald Trump është e qartë që beson në një ligj xhungle, të paktën në deklartat e fundit lidhur me deportimin e 2.1 mln qytetarëve palestinezë nga Gaza dhe dërgimin e tyre në disa destinacione si Egjipti, Jordania, madje u përmend edhe Republika e Shqipërisë. Sipas çdo konvente dhe çdo teksti të marrëdhënieve ndërkombëtare, spastrimi etnik konsiderohet derivat i gjenocidit, apo krimeve të luftës”,-tha studiuesi Laçi.
Eksperti shtoi se kjo sjellje e Donald Trump, mund të hap “kutinë e Pandorës” për çdo popull të pambrojtur.
“Kjo sjellje diplomatike e presidentit të shteteve më të fuqishme në botë, është tepër flagrante, sepse kjo do të hapte “kutinë e Pandorës” për çdo popull të pambrojtur. Sipas logjikës së Trumpt, çdo shteti të fortë, i lind e drejta për gllabëruar tokën e një shteti më të dobët kufitar”.
I pyetur rreth deklaratave të Richard Grenell i cili tha se qeveria e Kurtit nuk ka qenë kurrë e besueshme për SHBA-të, Laçi tha se shqiptarët duhet ti marrin me skepticizëm këto shprehi e duhet të kuptojnë se tashmë është “Epoka e Trump” dhe jo e Bill Cinton që vendosi të bombardonte Serbinë.
Sipas tij deklarata e Grenell është ndërhyrje direkte në zgjedhjet në Kosovë, të cilat do të zhvillohen të dielën më 9 shkurt.
“Unë edhe më parë e kam parë me skepticizëm Grenell, i cili është dekoruar si një person që u ka shërbyer interesave serbe në raport me Kosovën. Deklarata e tij, është ndërhyrje flagrante në zgjedhjet e Kosovës. Nga ana tjetër kryeministrit Kurti, i lind detyra që të rifitojë zgjedhjet, për sa kohë që ai udhëhiqet nga interesi kombëtar dhe ka ndjenja sovraniste që fuqive të mëdha mbase nuk u pëlqejnë. Është detyrë e shqiptarëve të ndihen sovranist dhe të përkrahin një qeveri që udhëhiqet nga interesi kombëtar”.
Laçi tha se tashmë duket sikur Serbia tashmë është “më e afërt” me miqtë amerikanë gjë që sipas tij mund të shkaktojë probleme për shqiptarët.
“Duket se shqiptarët kanë humbur pe në raport me serbët lidhur me miqtë amerikanë. Ndaj duhet parë me skepticizëm edhe sjellje e Grenëllit në raport me kryeministrin Kurti, pasi mund të na hapë edhe probleme të mëtejshme”,-tha Marlind Laçi.
LEXONI GJITHASHTU:
- Grenell sulmon ashpër Kurtin: S’është i besueshëm për SHBA-të, mos u mashtroni
- “Ne do ta marrim Gazën, plani që kemi”- Çfarë deklaroi Trump krah Netanyahu-t
- Laçi: Pashë me sytë e mi fëmijën që iu drejtua arma në kokë! Ai buzëqeshi dhe…