English

“Udhëtarët” vizitojnë Maliqin dhe pyllin e fazanëve

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Rreth 14 kilometra në veriperëndim të qytetit të Korçës ndodhet qyteti i vogël Maliqit, njohur kryesisht për prodhimin e sheqerit gjatë viteve të diktaturës. Mirëpo edhe pse i vogël, ky qytet dhe rrethinat e tij mund të ofrojnë shumë për vizitorët që kërkojnë një fundjavë çlodhëse.

- Advertisement -

“Udhëtarët” Loneta Progni dhe Renaldo Salianji tregojnë në serinë e radhës këtë qytet që për sipërfaqe është më pak se 4 kilometra katrorë dhe që njëkohësisht është dhe vendlindja e Renaldos.

Maliqi si qyteti u ndërtua pas Luftës së Dytë Botërore nga regjimi komunist dhe asistenca e sovjetikëve. Zona urbane, pranë një zone kënetore, u mendua për të strehuar qindra punëtorë që do të kishte “Kombinati i Sheqerit”, fabrika e nishestesë, apo dhe ajo e alkoolit.

Zona kënetore e Maliqit ka një nga historitë më tragjike të përndjekjeve të diktaturës komuniste. Në vitin 1946, për vonesa në realizimin e bonifikimit të kënetës, regjimi sajoi akuza “sabotimi” ndaj inxhinierëve që ishin ngarkuar me punimet.

Të paktën shtatë inxhinierë të shkolluar jashtë, u përfshinë në të ashtuquajturin “grupi sabotator” prej të cilëve, katër inxhinierët Zyrika Mano, Kujtim Beqiri, Abdyl Sharra dhe Vasil Mano u dënuan me vdekje ndërsa Aleks Vasili, Mirush përmeti dhe Hans Vala u dënuan me 30 vite burg.

Sot Maliqi ka pak kujtesë për këtë ngjarje, megjithatë Renaldo Salianji tregon se në tërësi të rinjtë kanë mësuar nga e shkuara teksa tregon me nostalgji aktivitetet e kulturës që zhvilloheshin në Pallatin “Dhimitër Orgocka”, rrënuar nga një zjarr pak vite më parë.

Pavarësisht vështirësive, Islam Kondi, ish-koleg i artistit të njohur Dhimitër Orgocka thotë se të rinjtë vijojnë të zhvillojnë festivalin e monodramës në një ambient me qira.

Sidoqoftë qyteti ka një shëtitore dhe krah tij një pyll mjaftë tërheqës për ata që kërkojnë një fundjavë të qetë. Më saktësisht rreth 4 kilometra në lindje të qytetit, në ish-zonën kënetore, sot shtrihet një pyll, i cili u mboll në vitet 50-të si pjesë e projektit të bonifikimit të tokës.

Marsel Nazifi, drejtor i Drejtorisë së Pyjeve dhe Kullotave në Bashkinë Maliq, tregon se në fillim pylli qe konceptuar si rezervat gjuetie ku kryesisht u mbarështua fazani. Në fakt në vitin 1956 nga Rumania u importuan rreth 500 shpendë fazani dhe disa vite më vonë në këtë zonë nisi në formë eksperimentale rritja e tyre me metoda shkencore dhe më vonë natyrore.

Në vitin 2002 ai u kthye në monument natyre dhe tashmë mban emrin “Pylli i fazanëve”. Pylli është rreth 50 hektarë me bredha, bli, shelgje dhe plepa dhe në të mund të kundrohen shpendë si fazani dhe soditen edhe kafshë si lepuj, apo drerë.

“Udhëtarët” Loneta dhe Renaldo kanë eksploruar pothuajse gjithë veriun, ndërsa deri në fund të muajit korrik pritet të vizitojnë të gjitha vendet e tjera të Shqipërisë.

LEXONI GJITHASHTU:

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

Euro 2024| A mendoni se Shqipëria do të mund ta kalojë grupin e “ferrit” në kampionatin Evropian?