VMRO-DPMNE shpall fitoren në zgjedhje, sa komuna morën VLEN dhe Koalicioni AKI

20 Tetor 2025 | 08:10

Partia në pushtet, VMRO-DPMNE, shpalli fitore bindëse pas raundit të parë të zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut, më 19 tetor.

Partia do të ketë kryetarë komunash në 30 nga gjithsej 80 komuna, dhe pret që në raundin e dytë të fitojë edhe në rreth 20 të tjera, përfshirë edhe qytetin e Shkupit, ku kandidati i saj, Orce Gjorgjievski, është në epërsi të madhe.

“Premtuam fitore, kemi fitore”, deklaroi kryeministri dhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.

Ai tha se është i kënaqur, pasi numri i përgjithshëm i votave të fituara është më i madh se në zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale të mëparshme.

Mickoski gjithashtu konfirmoi se nuk ka ndërmend të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, pavarësisht insistimit të opozitës nga BDI, dhe theksoi se “politikat e etnocentrizmit janë mposhtur.”

VLEN fitoi në Çair dhe Tetovë, ndërsa BDI në Gostivar

Në bllokun politik shqiptar, kandidati i VLEN, Izet Mexhiti, fitoi bindshëm në komunën kyç – Çair, ndërsa Bilal Kasami në Tetovë. Në rundin e parë, koalicioni fitoi edhe në katër komuna të tjera. Për Mexhitin, ky do të jetë mandati i tij i katërt si kryetar komune, dhe ai do të duhet të lërë postin aktual të ministrit pasi mundi ish-ministrin e BDI-së, Bujar Osmanin, i cili ia uroi fitoren.

Koalicioni Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI), e udhëhequr nga BDI, fitoi zgjedhjet për kryetarë komunash në Gostivar, Likovë, Çashkë dhe Plasnicë që në rundin e parë – njoftoi nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi.

Ai tha se, në nivel kombëtar, “AKI është fituese absolute me mbi 20.000 vota epërsi, dhe me votat që ende po përpunohen, kjo diferencë mund të jetë edhe më e madhe.”

Dita e zgjedhjeve kaloi e qetë dhe pa shkelje të mëdha. Pritshmëritë e qytetarëve janë të ngjashme – një jetë më e mirë në komuna më funksionale.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve njoftoi se deri në orën 18:30 pjesëmarrja e votuesve ishte 46,48 për qind, çka është afër nivelit të rundit të parë të zgjedhjeve të mëparshme, kur kishte arritur 51,44 për qind.

Sipas listës zgjedhore, të drejtë vote kishin 1.832.415 qytetarë. Për 81 poste të kryetarëve të komunave garuan 309 kandidatë, ndërsa për vendet në këshillat komunalë konkurruan mbi 10.490 kandidatë nga gjithsej 576 lista.

Një veçori e këtyre zgjedhjeve është se meshkujt dominojnë në garën për kryetar komune – 277 kandidatë ose 89,64%, ndërsa gratë janë vetëm 32, që përfaqëson 10,36% të numrit të përgjithshëm.

Buxheti i përgjithshëm që shteti ndau për organizimin e këtyre zgjedhjeve lokale është 9 milionë e 760 mijë euro, nga të cilat dy të tretat janë mjete të destinuara për mediat dhe reklamat politike të paguara.

RAundi i dytë i zgjedhjeve është caktuar për 2 nëntor.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk

Territori i Bashkisë së Shkodrës është përfshirë mbrëmjen e së martës nga reshje të denduara shiu, ndërsa autoritetet lokale bëjnë me dije se strukturat e...
23:16 | 03/06/2026

Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet

Edhe pse protesta e qytetarëve u njoftua se është mbyllur pas disa orësh, dhjetëra të rinj kanë shkuar pranë ambienteve të selisë së PS-së. Ata...
22:28 | 03/06/2026

Debat në “Now”, Nurellari: Duhet mbrojtur natyra! Ish-ministri Bajrami: Ka tentativë për destabilizim, Koka: U derdh gota e durimit

Politologu, Adri Nurellari i ftuar këtë të mërkurë i ftuar në emisionin “Now” me Erla Mëhillin në Euronews Albania ka folur lidhur me protestat e...
22:14 | 03/06/2026