Vuçiç: Kosova, Shqipëria dhe Kroacia kanë nisur një “garë armësh” në rajon
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka deklaruar se Shqipëria dhe Kroacia po nxisin një “garë armatimi” në rajon, pas nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit në Mbrojtje me Kosovën. Marrëveshja trepalëshe, e nënshkruar në Tiranë më 18 mars, ka shkaktuar reagime të ashpra në Beograd.
“Është një situatë e vështirë për ne, por ne e kemi kuptuar mesazhin e tyre. Do ta ruajmë vendin tonë, do t’i pengojmë ata dhe gjithmonë do ta mbrojmë me sukses nga çdo agresor i mundshëm, pavarësisht fuqisë së tij,” tha Vuçiç më 19 mars në Bruksel, pas takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.
Presidenti serb e cilësoi memorandumit si një “shkelje të marrëveshjes nënrajonale për kontrollin e armëve”, duke shprehur dyshime se NATO ishte e informuar paraprakisht për këtë zhvillim. “Këtë çështje e ngrita në takim me zotin Rutte, por nuk mund të them se çfarë ka thënë ai për këtë,” shtoi Vuçiç.
Bashkëpunimi trepalësh dhe reagimi i NATO-s
Deklarata e nënshkruar nga ministrat e Mbrojtjes të Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës synon forcimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, përballjen me kërcënimet hibride dhe rreziqet që mund të minojnë stabilitetin rajonal. Sipas Radio Televizionit Kroat, marrëveshja përfshin:
- Promovimin e aftësive mbrojtëse dhe bashkëpunimin midis industrive të mbrojtjes
- Forcimin e ndërveprimit përmes edukimit, trajnimit dhe stërvitjeve të përbashkëta
- Kundërvënien ndaj kërcënimeve hibride
- Mbështetjen për integrimin euro-atlantik
Dokumenti gjithashtu lë hapësirë për vende të tjera që mund të dëshirojnë t’i bashkohen kësaj nisme.
Nga ana tjetër, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi pas takimit me Vuçiçin se “ruajtja e sigurisë rajonale mbetet prioritet”, duke theksuar nevojën për forcimin e marrëdhënieve mes NATO-s dhe Serbisë.
Serbia vazhdon ta kundërshtojë pavarësinë e Kosovës dhe e konsideron atë pjesë të territorit të saj, pavarësisht përfshirjes në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve.
Në vitin 2023, Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje që, mes të tjerash, i kërkon Beogradit të mos pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Megjithatë, tensionet mes dy vendeve kanë qenë të larta, me Prishtinën që akuzon Serbinë për mbështetjen e grupeve të armatosura në veri të Kosovës.
Në shtator të vitit 2023, një sulm i armatosur në Banjskë të Zveçanit rezultoi në vrasjen e një polici kosovar, për të cilin Kosova fajësoi drejtpërdrejt Beogradin. Po ashtu, nëntorin e vitit 2024, një shpërthim në një kanal të rëndësishëm të ujit në veri të Kosovës rriti edhe më tej shqetësimet për destabilizimin e rajonit.
Si do të ndikojë kjo marrëveshje në marrëdhëniet Kosovë-Serbi dhe sigurinë rajonale mbetet për t’u parë në vijim.
LEXONI GJITHASHTU:
Reagon ministrja serbe: I kërkoj falje Vuçiçit
“Pres më shumë nga Shqipëria”, Ministri Sveçla i ashpër me Tiranën zyrtare për qëndrimin ndaj
“Do bënte spastrim etnik në Kosovë”, Sveçla: Daçiç dhe Vuçiç pasardhës të Millosheviçit
- 13:32 Kremlini vlerëson Turqinë për ndërmjetësimin mes Ukrainës dhe Rusisë: Mirënjohës për përpjekjet për paqe
- 13:26 Berisha për deklaratën e ministres serbe: Kërkuam shpalljen non-grata, qeveria heshti
- 13:20 Shkarkimi i ministrit të Mbrojtjes ndez protesta në Ukrainë, qindra qytetar kundër këtij vendimi
- 13:16 Plagosja në Poliklinikën e Shkodrës, vëllai i 32-vjeçarit tentoi të vriste autorin e dyshuar, arrestohet nga policia
- 13:10 Berisha uron drejtuesit e rinj të PD: Vota e lirë në themel të kësaj force politike
- 13:05 Vdekja e 7-vjeçarit në Elbasan, Apeli konfirmon masën “arrest me burg” për Petri Bozon