5 pikat turistike që nuk duhet t’i humbisni gjatë vizitës suaj në Kukës  

23 Qershor 2021 | 12:56

Kukësi, një qytet në verilindje të Shqipërisë, 150 kilometra larg Tiranës është vendi i radhës ku ekipi i emisionit më të ri në Euronews Albania “Udhëtarët” ka vendosur të zbarkojë për të eksploruar dhe për t’ju ofruar shikuesve mundësinë për të parë bukuritë e shumta natyrore dhe jo vetëm, që ofron Shqipëria nga veriu në jug.

Kukësi, i cili ka qenë i banuar të paktën që në kohën e neolitit e më tej në epokën e bronzit, vitet e fundit ka përjetuar një rritje të dukshme të turizmit sidomos atij malor dhe alpin. Pasuritë e shumta natyrore, prania e maleve, pyjeve, burimeve, livadheve e bjeshkëve nuk mund të mos e bënin këtë qytet, atraktiv për vizitorët vendas dhe ata të huaj.

Këto janë 4 pikat që ne kemi zgjedhur t’ju sugjerojmë gjatë vizitës suaj në Kukës.

Shkalla e Keqe

Kanioni i Shkallës së Keqe

Kanioni i Shkallës së Keqe njihet si një mrekulli e natyrës, dhe gjendet pranë fshatit Bicaj në Kukës – rreth 30 minuta me makinë. Ky kanion është një monument natyror tejet unik, me rreth 1000 metra thellësi dhe ngushtësi prej 3 metrash. Ai mund të shihet me sy të lirë nga qendra e qytetit të Kukësit dhe është një atraksion turistik mbresëlënës që nuk duhet lënë pa u parë gjatë vizitës suaj të ardhshme në Kukës.

Mali Gjallica

Mali i Gjallicës, Kukës

Mali i Gjallicës, rreth 2.489 metra lartësi ka një pamje të jashtëzakonshme dhe stoike që mund të vrojtohet nga çdo pikë e qytetit të Kukësit. Ky është mali më i lartë në Kukës dhe është pjesë e Alpeve Dinarike. Ky mal prej guri gëlqeror është i veshur me bimësi dhe pyje të shumta, sidomos pishash dhe ahu. Gjallica është mjaft i famshëm në rrethet e alpinistëve dhe për të organizuar ngjitje apo ecje në të, duhet medoemos organizimi i mirëfilltë me profesionistë të fushës.

Guri i Mëngjesit

Shishtaveci është një fshat i cili ndodhet 33 km në juglindje të qytetit të Kukësit. Një nga veçantitë e këtij fshati është prania këtu e një popullsie të ardhur sllave nga ish-Perandoria e Bullgarisë, të cilët e kanë ruajtur gjuhën dhe traditat e veta dhe tashmë janë pjesë e minoritetit bullgar të Shqipërisë.

Shishtaveci, në fakt, konsiderohet një monument natyror pasi ka një numër pikash turistike, relievesh natyrore, bjeshkët e Shishtavecit të cilat ndodhën në një lartësi prej 2130 metrash mbi nivelin e detit, por një pikë vërtetë interesante të cilën në duam t’ju sugjerojmë, është Guri i Mëngjesit. Ky masiv shkëmbor-ranor i gjendur në jug të Shishtavecit është pjesë e monumenteve natyrore shqiptare. Ky gur, i cili kë qenë një pikë referimi që në lashtësi, e ka marrë këtë emër pasi rrezet e para të diellit krijojnë një kurorë drite rreth tij. Ai gjendet në një lartësi 1900 metra mbi nivelin e detit dhe prej kohësh është kthyer në një pikë që vizitohet nga turistët që vizitojnë Bjeshkët e Shishtavecit. Hipizmi është një praktikë e kahershme në këtë zonë, ndaj dhe vazhdon të ushtrohet dhe është mjaft e kërkuar nga vizitorët.

Liqeni i Fierzës

Liqeni i Fierzës, Kukës

Liqeni artificial i Fierzës është krijuar në shtratin e lumit Drin në vitin 1978, në funksion të hidrocentralit të Fierzës. Liqeni shërben edhe si nyje lidhëse mes banorëve të rretheve Kukës, Tropojë, Has dhe Pukë. Pamja magjepsëse në të gjitha stinët e vitit nuk mund ta linte liqenin e Fierzës jashtë listës tonë. Mes klimës alpine, hipizmit por edhe bukurive natyrore si liqeni, mali, kanionet, pyjet e luginat e ndryshme, Kukësi sapo ka filluar të njihet nga turistët dhe potenciali për t’u kthyer në një nga pikat më të kërkuara në rajon është vërtetë i jashtëzakonshëm.

Shtegu i Ngjyrave

Shtegu i Ngjyrave, Kukës

Pjesë e turizmit rural është edhe kjo zonë e njohur me emrin ‘Shtegu i Ngjyrave’ pasi ky shteg ofron një pamje shumëngjyrëshe të luleve të ndryshme në këtë livadh alpin në Kukës. Ky vend gjendet pranë kufirit që lidh Shqipërinë me Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën, dhe fillon nga mali “Çaja” deri në luginën e Korabit. Edhe pse ka disa nyje lidhëse, kjo ecje alpine mund të zgjasë diku tek 7 orë gjatë të cilave grupi mund të vizitojë monumente natyrore si “Gryka e Vanave”, Ujëvara e Belës apo edhe liqenin e Kallabakut. Mos e humbisni!

LEXONI GJITHASHTU

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Arti i qilimave dhe sexhadeve nga duart e grave kuksiane, trashëgimia që jeton

Inside Albania i Euronews Albania, me gazetaren Alice Taylor, këtë herë udhëtoi drejt Kukësit për të vizituar një ndërmarrje sociale, ku disa gra të qytetit...
17:22 | 15/02/2025

Liqeni i Lepurit në Tiranë, thesar i fshehur natyror mes maleve

Një tjetër atraksion turistik po tërheq vëmendjen e vizitorëve vendas dhe turistëve të huaj. Liqeni i Lepurit, i ndodhur shumë pranë Tiranës, është një tjetër...
22:26 | 09/02/2025

Si u zbulua në Leskovik liqeni termal nëntokësor më i madh në botë

Një ekip shkencëtarësh çekë kanë zbuluar në Shqipërinë e Jugut një liqenen termal nëntokësor ndërsa sipas tyre cilësohet si më i madhi në botë dhe...
10:54 | 07/02/2025