Karantina shton dhunën, Luarasi thirrje grave dhe vajzave: Nuk është turp të denoncosh bashkëshortin

14 Maj 2020 | 14:15

Gjatë muajve të karantinës u evidentua një shtim i rasteve të dhunës në familjen shqiptare. Linja Kombëtare për Gra dhe Vajza shprehet se në muajin prill ka marrë 975 telefonata, të dhëna këto, të cilat tregojnë se izolimi ka shtuar ndjeshëm veprimet e dhunshme.

Për të adresuar shqetësimin në rritje të numrit të lartë të rasteve të dhunës me bazë gjinore gjatë kufizimeve të COVID-19, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara Yuri Kim dhe ambasadorja e Suedisë, Elsa Hastad organizuan një forum me 13 organizata që punojnë me këtë çështje.

Për këtë fenomen shqetësues, Euronews Albania zhvilloi një bisedë me pedagogen dhe drejtuesen e shoqatës “Linja e Këshillimit për Gra dhe Vajza”, Iris Luarasi. 

Ajo tha se në krahasim me vitin e kaluar janë trefishuar rastet e dhunës në familjet shqiptare. 

“Dhe këtu flasim vetëm për ato gra që guxojnë të marrin në telefon. Normalisht që karantinimi ka ndikuar te familjet sepse në këto kohë izolimi 24 orë në 24 në shtëpi, besoj se të gjithë kanë patur një zënkë të vogël, ku në shumicën e rasteve dhuna dominon nga ana e bashkëshortit por ka edhe raste të tjera ku abuzuesi është vjehrri, vjehrra apo kunati, kunata”, tha ajo.

E pyetur se cila moshë është më e prekur nga dhuna në familje dhe se nga cili rreth kanë marrë më shumë telefonata, znj. Luarasi u shpreh:  “Ne kemi bërë një statistikë të vogël që nuk është shumë e detajuar, por mosha më  e prekur në këtë periudhë varion nga 25 vjeç deri në 50 vjeç. Telefonatat i kemi marrë nga të gjitha rrethet e Shqipërisë, pavarësisht se prevalon Tirana për shkak edhe të numrit të lartë të popullsisë.”

Pedagogia Iris Luarasi tregoi procedurën se si pritet një telefonatë denoncuese në këtë qendër dhe se cila është ndihma konkrete e “Linjës Kombëtare për Gra dhe Vajza”.

“Pjesa më e madhe e tyre kanë probleme që duan ndërhyrjen e policisë dhe gjëja e parë që ne ofrojmë është ndërhyrja,  gjithmonë në rastin kur viktima është dakord. Element tjetër që ofrojmë është këshillimi ligjor sepse shumica e tyre kanë nevojë për të marrë një urdhër mbrojtje apo ndihmë ligjore për të filluar një proces. Brenda kësaj periudhe kemi marrë mbi 15 raste në gjykatë të urdhrave të mbrojtjes. Gjithashtu ne kemi përgatitur një paketë se si ta ndihmojmë një grua për të aplikuar për pagën e luftës, për ta ndihmuar me qiranë, sepse këto janë  procedura pak të vështira për shumicën e tyre për shkak se aplikohet online”, theksoi znj.Luarasi.

Ajo theksoi më tej se ka një ndërgjegjësim për denoncimin e rasteve të dhunës, por nuk është ende në nivelin e duhur. Sipas një studimi të fundit të kryer në vitin 2018, thuhet se një në dy gra në Shqipëri kanë rënë viktimë e dhunës në familje.

Znj. Iris Luarasi u bëri thirrje garave dhe vajzave shqiptare që të mos kenë hezitim, por të denocojnë çdo akt të dhunshëm.

“Nuk është turp të denoncosh bashkëshortin. Turp është të rrisësh fëmijën në një marrëdhënie dhune dhe një fëmijë i rritur në marrëdhënie dhune ose do të jetë dhunues në të ardhmen ose do të jetë viktimë e dhunës në familje.”, shtoi ajo.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Vala e të nxehtit në Shqipëri, Ministria e Shëndetësisë nxjerr masat për qytetarët: Ja çfarë duhet të bëni

Vala e të nxehtit që ka përfshirë Shqipërinë gjatë ditëve të fundit ka sjellë temperatura të larta në të gjithë vendin, duke ngritur alarmin për...
10:38 | 24/06/2026

Protestuesi Erlis Sina i përgjigjet Ramës nga protesta: Nuk mund të jemi miq

Protestuesi Erlis Sina, të cilit kryeministri Edi Rama iu drejtua këtë të martë me një mesazh publik, i ka kthyer përgjigje nga protesta. Gjatë fjalës...
20:16 | 23/06/2026

Dita e 24-t e protestës, publikohen 5 kërkesat kryesore të protestuesve

Në ditën e 24-t të protestës, një nga përfaqësuesit e saj deklaroi gjatë fjalimit se protestuesit po i kujtojnë kryeministrit pse janë në këtë protestë....
20:00 | 23/06/2026