Nevojat e të rikthyerve në atdhe, shqiptarët pas refuzimit të azilit përballen me një sërë sfidash

24 Korrik 2020 | 15:25

Emigracioni për një pjesë të shqiptarëve është parë si një rrugë, e cila të çon drejt një të ardhmeje më të mirë. Të tilla ishin shpresat e Elton Kordollit, i cili bashkë me familjen në vitin 2019, shkoi në Gjermani për të kërkuar azil.

 “Arsyet kryesore ishin që edhe fëmijët të merrnin një drejtim të duhur, të ishin si gjithë të botës, që edhe unë të isha i kënaqur si prind me fëmijët. Unë kalova si kalova, prapë i ri jam, por për një jetë më të mirë”, tha ai.

Pas gjashtë muajsh qëndrimi në Gjermani, Eltoni kishte ndërtuar ëndrra për nisjen e një jete të re, por shteti Gjerman nuk e pranoi kërkesën e tij për azil.

 “E përjetova shumë keq, sepse nuk kisha ku të shkoja, këtu nuk kam asnjë lloj mbështetje. Këtu ka ardhur koha që nëna po hedh fëmijën nga prehri. Kështu më hodhi edhe mua nëna në rrugë, në kohë epidemie, me gjithë fëmijët kam dalë jashtë”, thekson Kordolli.

Pas rikthimit në Shqipëri Eltonit i lindi nevoja për një sërë shërbimesh.

 “Kryesorja ishte që të kisha një banesë të futja kokën, të ruaja fëmijët e mi nga kjo epidemi, të punësohesha të mbaja familjen. Kemi kërkuar ndihmë, po nuk më kanë dhënë asnjë lloj përgjigje, asnjë lloj shprese, m’i kanë humbur shpresat, thjeshtë më kanë lidhur një përkrahje sociale 5 mijë lek në muaj”, thekson ai.

Në lidhje me këto nevoja, World Vision ka marrë në studim 190 persona në 13 bashki të vendit, ku 70% e tyre kanë pohuar se pas rikthimit nga emigracioni në Shqipëri kanë patur nevojë të siguronin një strehë, të kishin lehtësime në procesin e punësimit përmes Zyrës Rajonale të Punës si dhe të siguronin informacion për shërbimet publike që u takojnë pas rikthimit në atdhe.

Drejtorja e World Vision për Ballkanin Perëndimor Eljona Boçe Elmazi na tregon se personat e  përfshirë në studim të cilët ishin kryesisht azilkërkues në Gjermani ishin në moshë të re dhe familjarë. Në momentin që këtyre personave u refuzohet azili, drejtorja thotë se për ta duhet të sigurohen një sërë shërbimesh nga shteti, qëkur përballen me policinë e kufirit, të cilët duhet t’i orientojnë drejt sporteleve të emigracionit.

 “Ato kanë mandatin që të informojnë për të gjithë gamën e shërbimeve që atyre u takojnë, nga studimi na rezulton që vetëm 8% e tyre kanë patur kontakt me këto sportele të migracionit. Gama e shërbimeve është që nga punësimi, shëndetësia, arsimi për fëmijët, regjistrimi i fëmijëve në gjendjen civile”, thotw ajo.

Për drejtoren e World Vision, në Shqipëri është parë shumë i nevojshëm rolin ndërmjetësues mes qytetarit dhe strukturave që duhet të ofrojnë këto shërbime, për këtë arsye është pikërisht qeveria Gjermane ajo që po e realizon këtë rol.

 “Ajo që kemi vënë re nga ky projekt nga puna e drejtpërdrejtë me këto familje është se mundon një bashkërendim i strukturave të cilat janë përgjegjëse për të dhënë shërbime në këto familje. Për këtë arsye një projekt si RE-IN-VEST që ka siguruar këtë ndërmjetësimin midis familjes dhe shërbimit ka qenë i domosdoshëm, sepse këto familje kanë nevojë të vihen në kontakt me shërbimin që u takon.”,  u shpreh znj. Eljona Boçe Elmazi.

Pjesë e këtij projekti është edhe familja e Eltonit, e cila tashmë duket se integrimin në shoqëri e ka më të lehtësuar.

Sipas një studimi të Institutit EPIK në Kosovë, bazuar mbi të dhënat e Eurostat, mbi 20,000 shtetas shqiptarë aplikuan për azil në vendet e Europës, vitin 2019. Kjo shifër është më shumë se dyfishi i aplikimeve nga të gjitha vendet e tjera të Ballkanit. Shqipëria shënoi edhe më shumë aplikime se Palestina dhe Sudani. 

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Protestuesi Erlis Sina i përgjigjet Ramës nga protesta: Nuk mund të jemi miq

Protestuesi Erlis Sina, të cilit kryeministri Edi Rama iu drejtua këtë të martë me një mesazh publik, i ka kthyer përgjigje nga protesta. Gjatë fjalës...
20:16 | 23/06/2026

Dita e 24-t e protestës, publikohen 5 kërkesat kryesore të protestuesve

Në ditën e 24-t të protestës, një nga përfaqësuesit e saj deklaroi gjatë fjalimit se protestuesit po i kujtojnë kryeministrit pse janë në këtë protestë....
20:00 | 23/06/2026

90 familje të komunitetit rom 9 muaj pa bonus strehim, ngrihen në protestë

Dhjetëra përfaqësues të familjeve të komunitetit rom dhe egjiptian u mblodhën para Bashkisë së Durrësit për të protestuar ndaj mosdhënies së bonusit të strehimit. Banorët...
20:50 | 22/06/2026