Zgjedhjet në universitete, në Fakultetin e Drejtësisë nuk u ruajt distanca fizike

30 Korrik 2020 | 15:45

Në kushte pandemie këtë të enjte, studentë dhe staf akademik iu drejtuan mjediseve të fakulteteve për të votuar drejtuesit e universitetit. Në 12 universitetet publike të vendit, votuesit detyrimisht duhet të ishin të pajisur me maskë.

Në hyrje të qendrave të votimit në Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë u vu re se pati grumbullime studentësh, pasi një pjesë e tyre kishin datën e dorëzimit të diplomës. Kjo bëri që distanca fizike të mos ruhej.

“Për diplomën kam ardhur, nuk e di nëse do votoj,” – u shpreh një studente.

“Nuk kemi mundësi as të distancohemi kështu që edhe me grupin shoqëror siç e shikoni po rrimë afër,” – u shpreh një studente tjetër.

“Supozohet që fakulteti e di sesa studentë ka dhe numrin e tyre, kjo tregon vërtetë se nuk kanë marrë masa dhe janë të papërgatitur,” – tha një tjetër.

Në fakultetet e tjera të Universitetit të Tiranës situata ishte më e qetë.

Pas matjes së temperaturës, studentë dhe pedagogë votuan për drejtuesit e rinj Universitetit të Tiranës. Këto janë zgjedhjet e para të mbajtura në vend në kushte pandemie.

Në udhëzuesin për votuesit të hartuar nga Komisioni Institucional i Zgjedhjeve ishte përcaktuar se votuesi pasi hyn në qendrën e votimit duhet të pajiset me doreza, por ky udhëzim nuk u zbatua.

Kjo bëri që një stilolaps të prekej me duar nga individë të ndryshëm pa u dezinfektuar më parë, duke u kthyer kështu në një rrezik të mundshëm infektimi.

Brenda çdo qendre votimi mund të votonin njëkohësisht dy persona.

Pjesëmarrja u duk se nuk ishte e plotë për shkak të situatës së pandemisë dhe pamundësisë së studentëve për të ardhur nga rrethet.

Vetëm në Fakultetin Ekonomik të Tiranës, në të cilin ka rreth 5000 studentë, deri në orën 13:00 kishte rreth 300 votues.

“Gjendja është pak e qetë të themi të drejtën, por situatës nuk kemi çfarë t’i bëjmë pasi është pandemi botërore,” – u shpreh një student.

“Shkoi shumë mirë, presim më të mirën për shkollën tonë,” – tha një studente tjetër.

“Asgjë nga çfarë kemi marrë deri tani, mjafton që kam votuar për studentët, se për dekanët dhe rektorët…” – shprehet një tjetër student pa e fshehur revoltën nga përvoja e shkuar.

Në Universitetin e Tiranës kishte vetëm tre kandidatë për rektor: dekani i Fakultetit të Drejtësisë, Artan Hoxha, pedagogia e Fakultetit Ekonomik, Kozeta Sevrani si dhe pedagogia e Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Mimoza Hafizi.

Rektori Aktual i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni i ka cilësuar këto zgjedhje si të paligjshme, por Majlinda Keta, kryetare e Komisionit Institucional të Zgjedhjeve tha për Euroneës Albania se mbajtja e zgjedhjeve sot e hedh poshtë këtë pretendim.

 “Sot Universiteti i Tiranës është përfshirë në proces zgjedhor, do të thotë tre kandidatë të nderuar për rektor, mbi një staf i cili mbi 70 konkurues në nivele të ndryshme të drejtimit dhe senatit akademik, apo studentë që janë përfshirë në proces zgjedhor kanë besuar tek kjo fuqi institucionale që ka vulosur senati dhe strukturat zgjedhore dhe sot dita e zgjedhjeve rikonfirmon edhe një herë që Universiteti i Tiranës në paketën e vet legjislative është një universitet bazuar në ligj,” – tha Majlinda Keta.

Mbyllja e votimit u bë në orën 4, ndërsa rezultatet priten në orët në vijim.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Protestuesi Erlis Sina i përgjigjet Ramës nga protesta: Nuk mund të jemi miq

Protestuesi Erlis Sina, të cilit kryeministri Edi Rama iu drejtua këtë të martë me një mesazh publik, i ka kthyer përgjigje nga protesta. Gjatë fjalës...
20:16 | 23/06/2026

Dita e 24-t e protestës, publikohen 5 kërkesat kryesore të protestuesve

Në ditën e 24-t të protestës, një nga përfaqësuesit e saj deklaroi gjatë fjalimit se protestuesit po i kujtojnë kryeministrit pse janë në këtë protestë....
20:00 | 23/06/2026

90 familje të komunitetit rom 9 muaj pa bonus strehim, ngrihen në protestë

Dhjetëra përfaqësues të familjeve të komunitetit rom dhe egjiptian u mblodhën para Bashkisë së Durrësit për të protestuar ndaj mosdhënies së bonusit të strehimit. Banorët...
20:50 | 22/06/2026