Aksidentet dhe viktimat në punë revoltojnë aktivistët e të drejtave të punëtorëve
Një grup aktivistësh nga grupimi i majtë i njohur si Organizata Politike, protestuan sot brenda Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore për të ngritur zërin për numrin e punëtorëve që kanë humbur jetën prej aksidenteve në punë kohët e fundit.
Ata mësynë institucionin me megafon ku shprehën revoltimin ndaj asaj që e quajtën mosreagim shtetëror ndaj të vdekurve nga aksidentet në mjediset e punës. Ata gjithashtu mbanin në duart pankarta si “tre punëtorë kanë humbur jetën vetëm në dy javë”, dhe lanë në muret e ISHPSHSH mbishkrimin “një staf specialistësh hesht çdo ditë për vdekjet në punë”.
Video të aktivistëve që shoqërohen me forcë jashtë institucionit publik nga punonjësi i sigurisë, u publikuan gjithashtu në mediat sociale.
Të dhënat e ISHPSHSH për periudhën janar-nëntor 2019 tregojnë se 34 persona humbën jetën në kushte pune, ndërsa sektori i ndërtimit kryesoi për nga numri i viktimave (15) pasuar nga ai i minierave (7 viktima).
Euronews Albania kontaktoi aktivistët për të mësuar më shumë rreth aksionin të tyre.
“Gjatë këtyre viteve kemi vënë re me shqetësim dhe kemi denoncuar rritjen e aksidenteve dhe vdekjeve në vendin e punës. Institucionet shtetërore kanë heshtur pothuajse gjithmonë, ose kanë mbajtur anën e pronarëve kundër punëtorëve,” deklaruan ata për Euronews Albania.
“Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, institucioni që duhet të kontrollojë kushtet e punës dhe të marra masa për sigurinë në punë të punëtorëve, funksionon vetëm për të mbajtur shënim aksidentet dhe vdekjet në punë,” shtuan aktivistët e OP.
Sipas tyre, tre vdekjet e punëtorëve në vetëm dy javë tregojnë se autoritetet shtetërore nuk po ndërmarrin masa për ndëshkimin e përgjegjësve dhe as në parandalimin e aksidenteve në punë.
“Ndërmorëm këtë aksion, për të kthyer vëmendjen e shoqërisë ndaj kësaj problematike kaq të rëndë,” u shpreh OP, një organizatë që mbështet të drejtat e punëtorëve dhe është e angazhuar në organizimin e tyre sindikal në Shqipëri.
Redaksia e Euronews Albania kontaktoi gjithashtu Inspektoratin e Punës i cili mohoi akuzat e aktivistëve.
“Sqarojmë se Inspektorati i Punës, nuk po hesht, por po kryen punën e tij nëpërmjet instrumenteve të dhëna me ligj, duke hetuar rastet dhe aktualisht duke pezulluar punën në këto subjekte [ku kanë ndodhur aksidente],” sqaroi për Euronews Albania ISHPSHSH.
“Duhet t’i japim kohën e nevojshme dhe të domosdoshme inspektorëve të punës në kryerjen e hetimit administrative të ngjarjes, ndërsa rastet e aksidenteve të fundit, fatkeqësisht me pasoja fatale janë në proces. Duhet të theksojmë se ngjarjet që ndodhin në ambientet e punës hetohen administrativisht nga Inspektorati i Punës, por nuk është i vetmi organ i përfshirë në këtë proces, pasi shpeshherë rrethanat e ndodhjes janë të paqarta dhe aksidenti nuk ndodh gjatë kryerjes së punës sipas përshkrimit të saj dhe në këto raste bashkëpunohet me organet e policisë dhe të prokurorisë për një hetim gjithëpërfshirës,” shton ISHPSHSH.
*Ky lajm u përditësua për të shtuar reagimin e ISHPSHSH lidhur me ngjarjet.
Lexoni gjithashtu:
Protestuesi Erlis Sina i përgjigjet Ramës nga protesta: Nuk mund të jemi miq
Dita e 24-t e protestës, publikohen 5 kërkesat kryesore të protestuesve
90 familje të komunitetit rom 9 muaj pa bonus strehim, ngrihen në protestë
- 22:39 “Humbësit e mëdhenj janë PS dhe PD”, Çela bën bilancin pas 24 ditë proteste
- 22:34 Studiuesi: Familja e Goxhajt iu përkushtua Kosovës, politika jonë nuk vlerëson kontributet
- 22:27 “Rama s’ka shans të dialogojë”, parashikimi i Alibeajt: Do vazhdojë luftën e fortë
- 22:07 “Rama me zor po priste që të dilte koka e protestës”, Iljazaj: Sulmi ndaj Goxhajt, strategji
- 22:02 Protestuesit vendosin shirita “skenë krimi” dhe një sirenë policie para Kryeministrisë
- 21:55 Aksident në Lungomare, motori përplas një të moshuar