“Me shall pioneri, bashkë me socialistët”| Sadushi reagon për akuzat e Rithemelimit
Kreu i Gjykatës së Lartë ka reaguar lidhur me publikimin e një fotografie të tij, ku ai shfaqet me një shall të kuq krah deputetit socialist të Vlorës, Vullnet Sinajt, kryebashkiakut të Vlorës, Ermal Dredhës dhe prefektit të Vlorës, Flamur Mamajt.
Përmes një deklarate për mediat, Sadushi thotë se ka qenë atje në një veprimtari përkujtimore të krijimit të Brigadës së Pestë antifashiste nacional-çlirimtare, në cilësinë e pjesëtarit të familjes së një prej themeluesve të kësaj brigade, babait të tij Maliqit.
Ai thotë se angazhimi profesional në fushën e drejtësisë është në shërbim të shtetit të së drejtës dhe shton se përkujtimi i fitores mbi nazi-fashizmin nderohet në gjithë Europën.
Kujtojmë se ditën e djeshme ishte deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, i cili reagoi lidhur me fotografinë e Sadushit, duke e cilësuar kreun e Gjykatës së Lartë vegël në duart e qeverisë “Rama”.
Deklaratë për media e Kreut të Gjykatës së Lartë:
Ka disa ditë që zëra publikë kanë shpërndarë në opinion fakte dhe qëndrime, të cilat janë larg së vërtetës në formulim, të njëanshme në shpjegim dhe të pasakta në interpretim, se Kryetari i Gjykatës së Lartë ka marrë pjesë në një veprimtari që është e papajtueshme me funksionin e tij, si gjyqtar.
Ndjehem i detyruar që në interes të transparencës me publikun dhe me dëshirën për të hedhur dritë në mënyrën e duhur, të sjell në vëmendje se:
Tri njësi administrative, bashkitë e Vlorës, Himarës dhe Selenicës, në datën 20 janar 2024, organizuan në mënyrë të përbashkët një veprimtari në kujtim dhe nderim të 80 vjetorit të krijimit të Brigadës së Pestë, një nga formacionet më të njohura luftarake shqiptare, pjesëmarrëse në Luftën e Dytë Botërore, që ka kontribuar në çlirimin e vendit dhe ka luftuar në Kosovë e deri në Sanxhak të Bosnjë-Hercegovinës. Në këtë aktivitet jam ftuar mes qindra të tjerëve, me cilësinë e pjesëtarit të familjes së një prej themeluesve të kësaj brigade, babait tim Maliq Sadushi.
Ngjarjet e rëndësishme të Luftës së Dytë Botërore janë pjesë e kujtesës dhe trashëgimisë historike të të gjitha vendeve të rreshtuara në aleancën e madhe antifashiste të kohës. Askund dhe askush në këto vende nuk gjykon se nderimi i asaj përpjekjeje titanike të njerëzimit dhe botës demokratike ka të bëjë me ngjyrime ideologjike të lidhura me të sotmen.
Dita e çlirimit në Shqipëri apo 9 maji, dita e fitores mbi nazifashizmin që përkujtohet në të gjithë Evropën nderohen zyrtarisht nga ata që besojnë se antifashizmi është një vlerë morale e njerëzimit. Nderimi dhe solemniteti përballë veprës së atyre të rinjve, një pjesë e të cilëve edhe martirë, që morën pjesë në luftë, njëlloj si moshatarët e tyre antifashistë kudo në botë, është detyrim moral i gjithkujt, i çdo patrioti që do atdheun. Një akt historik nuk gjykohet, duke e njësuar atë me regjimin komunist që u instalua pas çlirimit të vendit dhe për këtë nuk mund të akuzohen edhe çlirimtarët antifashistë, që si qëllim patën veçse çlirimin e vendit të tyre.
Në këtë kuptim, pretendimi se Kryetari i Gjykatës së Lartë ka marrë pjesë në veprimtari të papajtueshme me funksionin e gjyqtarit është i gabuar dhe jo logjik. Pjesëmarrja në një veprimtari përkujtimore të Luftës Antifashiste, e cila nderohet sot në të gjithë botën demokratike, nuk cilësohet si angazhim në një aktivitet politik, e aq më pak të identifikueshëm me një parti të caktuar politike në Shqipëri.
Unë ndjehem plotësisht i përgjegjshëm dhe i përkushtuar ndaj detyrimeve të mia si gjyqtar dhe si qytetar, pjesë e të cilave është dhe mirënjohja për sakrificat që populli shqiptar bëri gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Një sjellje e ndryshme nga ana ime, nëpërmjet mohimit të historisë së vendit dhe asaj familjare, do të duhej të shkaktonte më shumë shqetësim për personalitetin e gjyqtarit, sesa pjesëmarrja në aktivitetin që bëhet në nderim të luftës dhe kontributit të babait tim, të bashkëluftëtarëve të tij dhe të gjithë dëshmorëve të atdheut.
Në përfundim të këtij shpjegimi të detyruar, gjej rastin të siguroj publikun se angazhimi im profesional në fushën e drejtësisë do të jetë i njëjtë, me përkushtim maksimal, të përditshëm e të ndershëm në misionin kushtetues për garantimin e shtetit të së drejtës.
Ju faleminderit!
Sokol Sadushi
Deklarata e Flamur Nokës:
Me shallin e pionierit të Enverit, kryetari i Gjykatës së Lartë, përveç Skapit të partisë, këta nuk kanë as turp që të fshihen dhe maskohen, por tashmë dalin ashiqare se janë thjeshtë vegla të partisë të regjimit.
Siç e dimë ka një vendim të KLGJ-së që miraton kodin e etikës të firmosur nga Naureda Llagami si kryetare dhe pika 6/b në kapitullin e dytë citohet në ligjëratë të drejtë; që gjyqtari duhet të shmangë sjelljeve që krijojnë përshtypje se është i angazhuar politikisht.
Drejtësia e Edi Ramës, në dy raste, por ky është rast flagrant, po e reklamojnë si vlerë të shtuar të tyre, angazhimin politik në bandën e rilindjes.
Kush ka pasur dyshime, tashmë nuk ka.
Ky është pushteti, ky është regjimi dhe drejtësia e re është thjeshtë vegël në duart e regjimit.
LEXONI GJITHASHTU:
Fermerët e kastravecit në Elbasan, diferenca mes fermës dhe tregut rrit pakënaqësinë e prodhuesve
Ali Ahmeti për protestën në Tiranë: Shqipëria po merr goditje të forta në turizëm dhe ekonomi
E rëndë në Kavajë, u godit me thikë nga vëllai, humb jetën një person
- 22:38 Meloni: Udhëheqësit evropianë duhet të forcojnë komponentin evropian të NATO-s
- 22:35 Protestat në Tiranë, Gjyli: Mendimi ndryshe po përballet me linçim në rrjete sociale
- 22:33 Karamuço: Është premtuar një dosje për prapavijat e protestës, do bëhet publike
- 22:24 Analisti Lita: Protestat në Tiranë do të vazhdojnë deri në mbylljen e tranzicionit
- 22:09 “Vajza e maskuar që hoqi flamurin izraelit”, Karamuço: E stërvitur, hyri nga Shtëpia me Gjethe…
- 21:50 Fermerët e kastravecit në Elbasan, diferenca mes fermës dhe tregut rrit pakënaqësinë e prodhuesve