Liderët e partive shqiptare të Maqedonisë së Veriut priten nga Kurti në Prishtinë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i priti në një takim në zyrën e tij të martën liderët e katër partive shqiptare të Maqedonisë së Veriut, të cilët kërkuan që presidenti i ardhshëm i Maqedonisë së Veriut të jetë shqiptar.
Takimi i Kurtit me Arben Taravarin, kryetar i Aleancës për Shqiptarët (ASh), si dhe udhëheqësit e Lidhjes Evropiane për Ndryshim (LEN), kryetarin e Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, kryetarin e Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, dhe kryetarin i Alternativës, Afrim Gashi, vjen pak muaj para zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale në shtetin fqinj.
Në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, tri nga katër partitë shqiptare të Maqedonisë së Veriut që Kurti i priti sot në takim – Lëvizja Besa, Alternativa dhe Lëvizja Demokratike – paralajmëruan listë të përbashkët zgjedhore për zgjedhjet e 8 majit.
Atë muaj, këshilltari i Kurtit dhe anëtari i partisë së tij Lëvizja Vetëvendosje, Bekim Qoku, i cili ka edhe shtetësi maqedonase dhe ishte i pranishëm në takimin e sotëm, kishte thënë se Vetëvendosje do t’i bashkohet kësaj liste.
Sipas njoftimit të Kryeministrisë të martën, katër liderët e partive shqiptare shprehën propozimin e tyre për “një president të Maqedonisë së Veriut i cili mishëron bashkëjetesën mes etnive dhe garanton rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut, president i cili kësaj radhe duhet të vijë nga mesi i shqiptarëve”.
“Temë e diskutimit ishte edhe situata shoqërore e ekonomike e komunitetit shqiptar në Maqedoni, nevoja për demokraci e stabilitet si dhe përmirësim e mbarëvajtje të raporteve mes komuniteteve etnike në atë vend, gjë të për të cilën Kosova vetë është shembull, por edhe e promovon dhe e mbështet”, thuhet në njoftim.
Kryeministri i deritanishëm i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, njëherësh kryetar i Lidhjes Social-Demokrate (LSDM), ishte shprehur i befasuar me këtë angazhim të Vetëvendosjes në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut.
“Kjo mendoj se nuk paraqet një dinamikë të dëshiruar”, tha ai më 25 dhjetor.
Një tjetër reagim më 17 janar bëri ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, duke thënë se “përfshirja e politikës zyrtare të Kosovës në skenën politike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, mund të reflektohet në fragmentimin e politikës shqiptare – tendencë e nxitur nga faktorë të jashtëm”.
LEXONI GJITHASHTU:
Haziri: Vjosa Osmani mbetet emri i vetëm i LDK-së për presidente, askush mbi Republikën
Haziri: Votat e LDK-së mund të unifikohen vetëm për president nga radhët e partisë
Kreu i Veteranëve të UÇK: Dritan Goxhaj nuk ka qenë anëtar i organizatës, firma e letrës është origjinale
- 22:38 Meloni: Udhëheqësit evropianë duhet të forcojnë komponentin evropian të NATO-s
- 22:35 Protestat në Tiranë, Gjyli: Mendimi ndryshe po përballet me linçim në rrjete sociale
- 22:33 Karamuço: Është premtuar një dosje për prapavijat e protestës, do bëhet publike
- 22:24 Analisti Lita: Protestat në Tiranë do të vazhdojnë deri në mbylljen e tranzicionit
- 22:09 “Vajza e maskuar që hoqi flamurin izraelit”, Karamuço: E stërvitur, hyri nga Shtëpia me Gjethe…
- 21:50 Fermerët e kastravecit në Elbasan, diferenca mes fermës dhe tregut rrit pakënaqësinë e prodhuesve