SHBA kundër deklaratave të Izraelit se rezoluta e OKB pengoi bisedimet për pengjet

27 Mars 2024 | 08:17

Deklarata e Izraelit se një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila kërkoi armëpushim të menjëhershëm në Rripin e Gazës, i ka penguar bisedimet për lirimin e pengjeve, është e pasaktë dhe e padrejtë, tha të martën zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller.

Miller tha për gazetarë se deklaratat e zyrtarëve izraelitë se Hamasi – grupi i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – e hodhi poshtë propozimin e fundit të Izraelit në bisedimet për lirimin e pengjeve për shkak të rezolutës së OKB-së “ishin të pasakta në pothuajse çdo aspekt dhe të padrejta ndaj pengjeve dhe familjarëve të tyre”.

Ai tha se grupi radikal palestinez e përgatiti përgjigjen ndaj propozimit të Izraelit për lirimin e pengjeve para se të votohej rezoluta e Këshillit të Sigurimit të hënën, dhe jo pas saj.

Miller shtoi se SHBA-ja do të vazhdojë të punojë në përpjekje për ta mundësuar lirimin e pengjeve.

Të hënën, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara e miratoi një rezolutë për të kërkuar armëpushim të menjëhershëm mes Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës.

Netanyahu akuzoi SHBA-në se u “tërhoq” nga qëndrimi i saj “parimor” duke lejuar miratimin e rezolutës pa kërkuar që armëpushimi të jetë i lidhur me lirimin e pengjeve që mbahen nga Hamasi në Gazë.

Në shenjë proteste ndaj rezolutës, Netanyahu e anuloi vizitën e planifikuar në Uashington të një delegacioni izraelit të nivelit të lartë.

Një ditë më vonë, të martën, ministri i Jashtëm i Izraelit, Israel Katz, tha për Army Radio se rezoluta e Këshillit të Sigurimit për armëpushim në Gazë, e nxiti Hamasin ta refuzojë propozimin e Izraelit.

Rreth 1.200 njerëz u vranë dhe mbi 250 të tjerë u rrëmbyen më 7 tetor, kur pjesëtarët e Hamasit kryen një sulm befasues në jug të Izraelit, duke e nxitur këtë luftë.

Besohet se Hamasi ende po i mban rreth 100 pengje izraelite.

Më shumë se 32.000 njerëz janë vrarë në territorin e rrethuar palestinezë dhe mbi 74.000 te tjerë janë plagosur, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, e cila nuk e bën dallimin mes civilëve dhe luftëtarëve kur i numëron viktimat. Sipas saj, dy e treta e të vrarëve janë gra dhe fëmijë.

LEXONI GJITHASHTU: 

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Protestat në Tiranë, Gjyli: Mendimi ndryshe po përballet me linçim në rrjete sociale

Duke komentuar protestat në Tiranë, analistja dhe pedagogia Arsejda Gjyli tha në emisionin “Now me Erla Mëhillin” se figurat që dalin në krye të protestës...
22:35 | 24/06/2026

Analisti Lita: Protestat në Tiranë do të vazhdojnë deri në mbylljen e tranzicionit

I ftuar në emisionin “Now me Erla Mëhillin”, analisti Lavdrim Lita komentoi protestat në Tiranë, duke u ndalur te zhvillimet dhe perspektiva e tyre në...
22:24 | 24/06/2026

E rëndë në Kavajë, u godit me thikë nga vëllai, humb jetën një person

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e kësaj të mërkure në Kavajë, ku një 74-vjeçar ka humbur jetën pasi dyshohet se është goditur me...
21:37 | 24/06/2026