SPAK hap garën për pasuesin e Aida Hajnajt në krye të BKH, kriteret që kërkohen

22 Prill 2025 | 16:50

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka njoftuar hapjen e procedurës për riemërimin e Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), pas skadimit të mandatit të drejtoreshës aktuale, Aida Hajnaj, i cili përfundon më 31 gusht të këtij viti.

Sipas një njoftimi të shpërndarë, një komision i përbërë nga drejtues të SPAK do të vlerësojë kandidatët për këtë post, duke u bazuar në një sërë kriteresh ligjore dhe profesionale.

Kandidatët që plotësojnë kushtet mund të aplikojnë deri më 7 maj 2025, dhe procesi i përzgjedhjes do të kalojë në shtatë faza, duke përfshirë teste të arsyetimit logjik, test mjekësor, fizik dhe poligraf.

Të drejtën për t’u aplikuar e kanë vetëm shtetasit shqiptarë, të cilët nuk kanë mbajtur funksione politike në administratën publike gjatë 10 viteve të fundit.

Komisioni i Përzgjedhjes së Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit përbëhet nga kreu i SPAK, Altin Dumani, si dhe prokurorët Arben Kraja dhe Behar Dibra.

Njoftimi i plotë i SPAK

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit te Organizuar  njofton çeljen e procedurës së riemërimit të Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Në përputhje me ligjin nr.95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar” neni 33 pika 2, ligjin nr.97/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, neni 42 germa (a), me urdhërin nr.11794, datë 07.04.2025, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme ka ngritur Komisionin e Përzgjedhjes së Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, i përbërë nga z.Altin Dumani, Drejtues i Prokurorisë së Posaçme dhe prokurorët e posaçëm z.Arben Kraja e z.Behar Dibra.

Referuar dispozitave ligjore përkatëse,  të drejtën për të aplikuar në pozicionin e Drejtorit të BKH-së, e kanë vetëm kandidatët që janë shtetas shqiptar, që gëzojnë cilësi të larta profesionale dhe morale, dhe që plotësojnë kriteret si vijon:

  • ka përfunduar ciklin e dytë të studimeve universitare për drejtësi me diplomë të barasvlershme me “Master i shkencave”, ose arsimin e lartë policor;
  • ka eksperiencë pune si prokuror, punonjës i Policisë së Shtetit apo Policisë Gjyqësore ose hetues i Byrosë Kombëtare të Hetimit;
  • ka përvojë pune të paktën 5 vjet në çështje që kanë të bëjnë me veprat penale në fushën e korrupsionit, krimit të organizuar apo krimeve të rënda;
  • nëse ka qenë apo është punonjës i Policisë së Shtetit, të ketë mbajtur për jo më pak se 3 vjet gradën “Komisar”, “Kryekomisar”, “Drejtues” apo “Drejtues i Parë”;
  • të mos jetë në hetim apo gjykim për një vepër penale, të mos ndodhet në kushtet e pazgjedhshmërisë në një funksion publik, sipas ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, të ndryshuar, si dhe të nënshkruajë formularin e vetëdeklarimit në zbatim të atij ligji;
  • nuk ka mbajtur funksione politike në administratën publike ose funksione drejtuese në partitë politike të paktën gjatë dhjetë viteve të fundit përpara momentit të kandidimit;
  • ka marrë vlerësim maksimal për aftësitë e tij profesionale, etike dhe integritetin moral, nëse i është nënshtruar vlerësimeve të mëparshme, sipas legjislacionit në fuqi;
  • ndaj tij nuk është marrë masa disiplinore e “shkarkimit nga detyra”, ose ndonjë masë tjetër disiplinore, e cila është ende në fuqi sipas legjislacionit në momentin e kandidimit;
  • të mos ketë qenë dhe të mos jetë bashkëpunëtor, informator ose agjent i ndonjë shërbimi inteligjent;
  • në periudhën 29.11.1944 – 2.7.1991 të mos ketë qenë anëtar ose kandidat i Byrosë Politike, anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, Kryetar i Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm, Kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme, anëtar i Këshillit të Ministrave, kryetar i degëve të punëve të brendshme, punonjës i organeve të ish-Sigurimit të Shtetit, bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit apo i favorizuar, anëtar i Komisionit Qendror të Dëbim-Internimeve, hetues, prokuror, gjyqtar në procese politike, denoncues apo dëshmitar i akuzës në proceset politike të posaçme;
  • të japë pëlqimin për t’iu nënshtruar testit të poligrafit. Informacioni në raportin e përgatitur nga specialisti i poligrafit mbahet në konsideratë gjatë procesit të përzgjedhjes;

Kandidati duhet të paraqesë dokumentacionin e nevojshëm brenda datës 07 maj 2025 që vërteton plotësimin e të gjitha kushteve që parashikohen në nenet 34 dhe 38 të ligjit nr.95/2016. 

Dokumentacioni duhet të dorëzohet pranë Sektorit të Arkiv-Protokollit të Drejtorisë së Dokumentacionit dhe Burimeve Njerëzore të Prokurorisë së Posaçme në një zarf të mbyllur, i cili i drejtohet Komisionit të Përzgjedhjes së Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit. 

Referuar ligjit nr.95/2016, procesi i riemërimit do të kryhet duke kaluar në shtatë (7) faza si vijon:

  1. Shqyrtimi i aplikimit;
  2. Testi i arsyetimit logjik;
  3. Kontrolli mjekësor;
  4. Testi fizik;
  5. Ese me shkrim;
  6. Intervistë;
  7. Verifikim figure, deklarim i aseteve dhe testi i poligrafit;

Komisioni i Përzgjedhjes pasi verifikon dhe vlerëson nëse përmbushen kriteret sipas neneve 34 dhe 38 të ligjit nr.95/2016, vendos nëse do të vijojë ose jo me rekomandimin për procedurën e riemërimit pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë”, thuhet në njoftimin e plotë të SPAK.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Policia del me njoftim zyrtar: Si u vra efektivi dhe u plagos kolegu i tij, detajet nga operacioni

Një punonjës policie ka humbur jetën dhe një tjetër ka mbetur i plagosur gjatë një operacioni policor në zonën e Lozhanit, në malin Boden, Bashkia...
09:08 | 04/06/2026

Një mbeti i vrarë dhe tjetri u plagos, zbardhen emrat e efektivëve që u qëlluan me armë në Maliq

Një punonjës policie u vra dhe një tjetër u plagos gjatë një operacioni për kapjen e një personi në kërkim prej vitesh në fshatin Podenë,...
08:50 | 04/06/2026

Vrasja e policit në Korçë, kush është autori dhe si hapi zjarr ndaj efektivëve pasi i pikasi

Një person në kërkim prej disa vitesh dyshohet se ka vrarë një efektiv policie dhe ka plagosur një tjetër gjatë një operacioni policor në fshatin...
08:35 | 04/06/2026