Aziz Pollozhani: Rasti me variantin indian në RMV është i izoluar, por kjo s’do të thotë se rreziku ka kaluar

7 Qershor 2021 | 17:06

Një rast i mutacionit indian të COVID-19 është raportuar sot në Maqedoninë e Veriut. Për pasojat që mund të ketë ky rast në situatën epidemiologjike në RMV, foli për Euronews Albania, mjeku infektolog Aziz Pollozhani.

Aziz Pollozhani tha se rasti me versionin indian është i hospitalizuar dhe po mbahet nën kontroll, mirëpo kjo nuk do të thotë që vigjilenca në raport me rrezikun e përhapjes së këtij varianti të mos jetë e shtuar.

“Rasti me variantin indian nga Iraku është i hospitalizuar në spital, në gjendje të stabilizuar dhe të gjitha të dhënat flasin për një situatë që është nën kontroll, mirëpo kjo nuk do të thotë se rreziku ka kaluar dhe duhet të mbetemi sy çelur në mundësi të tilla që mund të vijnë”, u shpreh z. Pollozhani.

Mjeku tha se situata e përgjithshme në RMV është e volitshme, mirëpo shifrat e ulëta të rasteve të reja dhe vdekjeve, kanë bërë që kujdesi ndaj virusit të bjerë.

“Ne kemi për herë të parë pas 1 viti e gjysmë, vetëm një rast që ka rezultuar me COVID-19. Vërehet një relaksim që nga njëra anë është i mirë, por nga ana tjetër kjo sjell moskujdes”, u shpreh Aziz Pollozhani.

I pyetur nga gazetarja e Euronews Albania nëse do ky rast do të ndikojë që masat kundër virusit të ashpërsohen apo të mos lehtësohen në RMV, z. Pollozhani tha se deri në datën që do të përcaktohen masat, që është 15 qershori, ekspertët do të kenë mundësi të mbledhin mjaftueshëm të dhëna nëse ky variant përben rrezikshmëri përhapjeje apo jo.

“Nga të dhënat epidemiologjike mbi personin e infektuar me variantin indian të COVID-19 në RMV, thuhet se ky person është i izoluar dhe nuk ka rrezik që ta përhapë variantin e ri. Duke marrë parasysh se Ministria e shëndetësisë ka caktuar datën 15 qershor si datën për caktimin e masave, deri në atë ditë do të përcillet ky rast dhe deri në atë kohë do të merret një vendim më i saktë. Në përputhje me të dhënat që do të vijnë nga sot e deri në atë ditë, edhe vendimet të merren duke marrë parasysh edhe këtë situatë të re”, u shpreh mjeku infektolog nga RMV.

Ai tha se duke marrë parasysh situatën e përgjithshme, sipas tij, nuk do të ketë ashpërsim të masave.

“Mirëpo, nëse ky rast jep shenja për një përhapje eventuale, atëherë duhet shqyrtuar më seriozisht nga ana e kompetentëve”, shtoi ai.

Ai tha se rishqyrtimi i masave do të analizohet dhe do të vendoset në përputhje me situatën aktuale, por edhe mbi rreziqet që mund të vijnë nga rasti me variantin indian i përmendur më sipër, hapja e aeroporteve dhe nga lëvizja e njerëzve për pushimet vjetore, pasi sipas tij, RMV ka lidhje të shpeshta me lindjen e mesme.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Deklarata e ministres serbe për spastrim etnik, reagon Ali Ahmeti: Tronditëse, çnjerëzore dhe e papranueshme

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti përmes një postimi në “Facebook” ka reaguar lidhur me deklaratën e ministres serbe Snezhana Paunoviç e cila në një intervistë...
11:50 | 15/07/2026

Policia dhe partnerët amerikanë arrestojnë në Durrës 2 të kërkuar për vrasje nga Maqedonia e Veriut

Dy shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e Republikës së Maqedonisë së Veriut, të akuzuar për vrasje, plagosje, armëmbajtje pa leje dhe pjesëmarrje...
13:31 | 11/07/2026

Tre zyrtarë shqiptarë nga RMV: Nuk na lejuan të hyjmë në Shqipëri

Tre zyrtarë nga Maqedonia e Veriut, deputeti dhe koordinatori i grupit parlamentar të VLEN-it Bekim Qoku, deputeti Adnan Azizi dhe zëvendëssekretari i përgjithshëm i Qeverisë,...
18:16 | 08/07/2026