Rikthimi i gjuhës rome në fokus të konferencës në Elbasan, kërkohet mbështetje institucionale

15 Prill 2026 | 19:14

Si i vetmi universitet në vend që ka ofruar një program studimi për gjuhën rome, Universiteti “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan rikthen në vëmendje nevojën për mbështetjen dhe zhvillimin e kësaj gjuhe. Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Romëve, në këtë universitet u zhvillua një konferencë shkencore ndërkombëtare kushtuar figurës së Marcel Courthiade dhe kontributit të tij në studimin e gjuhës dhe kulturës rome.

“Me krenari themi që Universiteti i Elbasanit është i vetmi universitet që në ofertën e tij akademike ka pasur program bachelor në gjuhën shqipe dhe rome. Për shkak të numrit të ulët të studentëve dhe njëkohësisht të kuadrit ligjor në fuqi, ky program u mbyll. Aktualisht është në diskutimet tona se çfarë mund të bëjmë për riaktivizimin e këtij programi. Ne kemi plane konkrete, duke filluar nga aktivitetet me të rinjtë romë, por edhe bashkëpunime për ofrimin e ofertave të reja akademike, ku gjuha dhe kultura rome të jenë në fokusin kryesor”, tha Anila Basha, drejtuese e Departamentit të Gjuhësisë në Universitetin “A. Xhuvani”.

Gjatë aktivitetit, pedagogë, studiues dhe përfaqësues institucionesh theksuan nevojën për më shumë promovim të kësaj fushe studimi, si dhe për krijimin e mundësive konkrete për punësimin e të diplomuarve. Profesori i gjuhës rome, Emiliano Aliu, u shpreh se një nga shqetësimet kryesore mbetet mungesa e orientimit për studentët pas përfundimit të studimeve.

“Ajo që ne mundohemi të sjellim në çdo takim institucional është mungesa e promovimit, jo vetëm të degës, por edhe të atyre personave që diplomohen nga kjo degë dhe ky fakultet. Sepse, në fund të fundit, studentët pyesin: ‘Unë po diplomohem në këtë degë, ku do të punoj?’ Pra, është një pyetje që kërkon përgjigje nga institucionet e arsimit. Ministrisë së Arsimit, nëpërmjet kësaj interviste, po i bëj thirrje për të qindtën herë që të ulemi në një tryezë dhe të sjellim rekomandimet tona, sepse sapo është miratuar edhe kurrikula. Për informacion, ajo është miratuar edhe në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, konkretisht për gjuhën rome. Pra, po bëjmë të gjitha këto dhe ajo që mungon është hapja e një rruge drejt tregut të punës”, u shpreh Emiliano Aliu, profesor i gjuhës rome.

Nga ana tjetër, u ngrit shqetësimi për rrezikun real të zhdukjes së gjuhës rome në Shqipëri.

“Shqipëria po e harron gjuhën rome. Nuk ka më romë, gjuha po zhduket. Burri im ka punuar 40 vjet për gjuhën rome. Kemi bërë abetaren, kemi botuar libra, kemi hartuar fjalorin në Budapest dhe e kemi botuar në 17 gjuhë”, tha Jeta Courthiade, bashkëshortja e Marcel Courthiade.

Konferenca riktheu në vëmendje rëndësinë e ruajtjes së gjuhës rome si pjesë e trashëgimisë kulturore, duke theksuar nevojën për hapa konkretë nga institucionet për ta mbështetur dhe për ta lidhur me mundësitë e punësimit.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Dita e tretë e protestës, qytetarët kërkojnë anulimin e projektit në Zvërnec! Dalin me pankarta në duar

Protesta kundër projektit në Zvërnec vijoi edhe këtë të martë, duke shënuar ditën e tretë radhazi të kundërshtimeve nga banorët dhe qytetarët e zonës. Të...
18:23 | 02/06/2026

Nisin provimet e Maturës Shtetërore 2026, sot provimi i Gjuhës së Huaj

Mbi 26.600 maturantë në të gjithë vendin nisin sot provimet e Maturës Shtetërore 2026, me testin e parë, atë të Gjuhës së Huaj. Procesi do...
08:14 | 02/06/2026

Protestat për Pishë-Poron, Rama: Zona është e kategorisë së pestë dhe lejon aktivitet ekonomik

Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij para grupit parlamentar të PS-së, sqaroi edhe çështjen e mbrojtjes së zonës së Pishë-Poros, për të cilën u...
10:54 | 01/06/2026