“Udhëtarët” zbulojnë anën tjetër të Bulqizës, të pasur me natyrë dhe histori

24 Qershor 2021 | 17:02

Bulqiza është një qytet që rëndomtë njihet për minierat, mirëpo “Udhëtarët” Loneta Progni dhe Renaldo Salianji sjellin në Euronews Albania anën tjetër të kësaj zone, bukuritë e natyrës dhe anën historike.

Rreth 17 kilometra në lindje të qytetit ndodhet një pyll magjepsës, të cilin banorët e zonës e konsiderojnë të shenjtë dhe prej shekujsh nuk presin asnjë pemë aty. Pylli quhet “Zabeli i Madh” dhe ndodhet në një kodër rreth 750 metra të lartë, pranë fshatit Zerqan, një fshat i njohur për besimin në Zot dhe respektin ndaj natyrës.

Për zabelin ka gojëdhëna të shumta. Banorët thonë se dyqind apo treqind vite më parë në këtë kodër u prehën në vendvarrime të ndryshme, të paktën dy besimtarë të njohur për veprimtarinë dashamirëse ndaj fshatit. Personat mendohet të kenë qenë të ardhur nga Turqia, apo Lindja e Mesme.

Pylli është kryesisht me dushqe që shkojnë mbi 10 metra lartësi, por gjithashtu ka dhe gështenja, të cilat sikurse tregojnë banorët, nuk i grumbullojnë për t’i shitur, por vetëm për konsum familjar.

Besimi është karakteristikë tejet e veçantë për Zerqanin. Në fakt, kjo e ka dalluar të paktën që treqind vite më parë ku nga e ashtuquajtura “Shtëpia e Shehlerëve” kishte jo vetëm prijës për zonën, por edhe udhëheqës dhe veprimtarë të shquar në luftën për pavarësi.

Shtëpia në fjalë, e ndërtuar në fillim vitet 1700 – rindërtuar nga Fadil Shehu në vitin 1992 – për tre breza me radhë kontribuoi në luftën për liri me personalitete të njohura si Sheh Mustafa, Sheh Sula apo Sheh Hajredini.

“Luftën e madhe kush e bani, Dibra e Madhe dhe Sheh Zerqani,” – citon këngën popullore “Malet e Dibrës” mjeku Naim Shehu, i cili mirëmban shtëpinë monument kulture.

Pranë shtëpisë është dhe një teqe e vjetër e drejtimit Kadri (ndërtuar në vitin 1739), ndërsa Naim Shehu thotë se në fund-vitet 1800, kur lëvizja e shqiptarëve për pavarësi ishte konkretizuar me nisma si Lidhja e Prizrenit, në “Shtëpinë e Shehlerëve” kanë bujtur personalitete si Abdyl Frashëri dhe njerëz të tjerë me ndikim për lëvizjen kombëtare.

Përveç këtyre dy vendeve fantastike dhe shumë pak të njohura për vizitorët, “Udhëtarët” patën mundësi të qaseshin edhe në televizionin lokal “TV Bulqiza” ku improvizuan një edicion informativ.

Deri më tani “Udhëtarët” kanë eksploruar Shkodrën, Malësinë e Madhe, Pukën, Fushë-Arrëzin, Lezhën, Mirditën, Kukësin dhe Dibrën, ndërsa deri në fund të muajit korrik pritet të vizitojnë të gjitha vendet e tjera të Shqipërisë.

 

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Arti i qilimave dhe sexhadeve nga duart e grave kuksiane, trashëgimia që jeton

Inside Albania i Euronews Albania, me gazetaren Alice Taylor, këtë herë udhëtoi drejt Kukësit për të vizituar një ndërmarrje sociale, ku disa gra të qytetit...
17:22 | 15/02/2025

Liqeni i Lepurit në Tiranë, thesar i fshehur natyror mes maleve

Një tjetër atraksion turistik po tërheq vëmendjen e vizitorëve vendas dhe turistëve të huaj. Liqeni i Lepurit, i ndodhur shumë pranë Tiranës, është një tjetër...
22:26 | 09/02/2025

Si u zbulua në Leskovik liqeni termal nëntokësor më i madh në botë

Një ekip shkencëtarësh çekë kanë zbuluar në Shqipërinë e Jugut një liqenen termal nëntokësor ndërsa sipas tyre cilësohet si më i madhi në botë dhe...
10:54 | 07/02/2025