Dita e 23-të e protestës, organizatorët publikojnë 5 kërkesa, reagon PS: Kërkesat nga ‘zëdhënësi’ i Republikës së Iranit
Për të 23-tën ditë me radhë, duke filluar prej orës 19:00, qytetarët u mblodhën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë për të protestuar kundër qeverisjes së kryeministrit Edi Rama.
Ashtu si në ditët e mëparshme, grumbullimi i protestuesve u bë në sheshin “Skënderbej”, nga ku më pas ata marshuan drejt godinës së qeverisë.
Në bulevard dëgjoheshin thirrjet e tyre, “Rama në burg, Berisha në burg!” dhe “Rama, jepe dorëheqjen!”.
Kërkesa kryesore e protestuesve mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe e qeverisë së tij, ndërsa në tubime marrin fjalën qytetarë të ndryshëm dhe aktivistë.
Ndërsa këtë të hënë, kur protesta e aktivistëve dhe qytetarëve ka hyrë në ditën e saj të 23-të, ka pasur një zhvillim të ri, pasi organizatorët kanë publikuar pesë kërkesat kryesore të protestës. Ato u lexuan para protestuesve nga ish-luftëtari i UÇK-së, Dritan Goxhaj.
Kërkesa e parë është dorëheqja e panegociueshme e kryeministrit dhe e qeverisë.
Së dyti, protestuesit kërkojnë krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake, me mandat 12-mujor.
Kërkesa e tretë lidhet me ndryshime kushtetuese, ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë para ligjit, si dhe miratimin e tyre me referendum popullor. Në këto ndryshime përfshihen ndryshimi i Kodit Zgjedhor, ndryshimi i ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme, si dhe kufizimi i ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se dy mandate, të plota ose të pjesshme, gjatë gjithë jetës politike të një individi.
Paralelisht, organizatorët kërkojnë anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për Zonat e Mbrojtura, anulimin e ndryshimeve në ligjin për Trashëgiminë Kulturore, shfuqizimin e paketës ligjore të njohur si “Paketa e Maleve”, si dhe shfuqizimin e statusit dhe të kuadrit ligjor për Investimet Strategjike.
Kërkesa e pestë parashikon hartimin e një kontrate të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, e cila sipas organizatorëve do të përpilohet pas konsultimit me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë, të propozuar nga sheshi i protestës.
Pas qëndrimit në shesh, protestuesit vijojnë marshimin në formë kolone në disa akse të Tiranës me thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg.”
Organizatorët kanë deklaruar se do të vijojnë protestat çdo ditë nga ora 19:00, deri në plotësimin e kërkesave të tyre, mes të cilave përfshihet edhe anulimi i ligjeve që, sipas tyre, lidhen me mjedisin, natyrën dhe zonat e mbrojtura.
“Kësaj proteste do t’i bien të tëra puplat false të flamingove”, Rama sulmon Dritan Goxhajn
Kryeministri Edi Rama reagoi pasi Dritan Goxhaj lexoi 5 kërkesat kryesore të grupit organizator të protestës, ku kërkesa kryesore dhe e panegociueshme ishte dorëheqja e kryeministrit.
Përmes një postimi në faqen e vet në Facebook, Rama e lidh Goxhajn me Iranin ndërsa përsërit atë që ka thënë më herët se të vetmit të fituar nga kjo protestë janë qeveria dhe Partia Socialiste.
“Si thoshin derrat e knaqun migjenianë të segmentit “intelektual” të protestës, nuk ka lidhje Irani ëëë….?¿
Mos harroni çfarë ju kam thënë qysh në fillim: Dy fitimtarë do dalin kur kësaj proteste t’i bien të tëra puplat fallco të flamingove, Partia Socialiste që do të bëhet më e fortë dhe qeverisja jonë që do të përmirësohet shumë ndjeshëm”, shkroi Rama në Facebook.
Taulant Balla: Kërkesat e protestuesëve u bënë nga “zëdhënësi i Iranit”
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar pas publikimit të kërkesave të grupit organizator të protestës, teksa etiketoi ish-luftëtarin e UÇK-së, Dritan Goxhaj, i cili lexoi kërkesat në emër të protestuesve si një “zëdhënës” të Republikës Islamike të Iranit në Shqipëri. Ai shkruan se Goxhaj është mbështetës i regjimit iranian dhe kundërshtar i SHBA-së dhe Izraelit.
“Sot skenari u zbardh plotësisht! Deklaratën me kërkesa në emër të protestuesve e mbajti ‘zëdhënësi’ i Republikës Islamike të Iranit në Shqipëri. Personi quhet Dritan Goxhaj, i cili në media dhe rrjete sociale ka dalë prej kohësh në mbrojtje të regjimit terrorist iranian, duke sulmuar SHBA, Izraelin por edhe Shqipërinë. E paimagjinueshme se si një ish-pjesëmarrës në UÇK sot bën avokatin e regjimit terrorist të Iranit kundër aleatit tonë SHBA, pa të cilët Kosova nuk do të ishte çliruar kurrë”, tha Balla.
Ai shtoi se, sipas tij, “të vërtetat e protestës po zbulohen dita-ditës”.
“Tani ‘patriotët’ edhe ditëzinjtë ta gëzojnë vulën e turpit! Avash-avash, të gjitha po dalin! Dhe flamingot do habiten me veten e tyre si ranë me kokë mes korbave e sorrave të shqiptarisë së rreme”, përfundoi reagimin Balla.
Organizatorët publikuan 5 kërkesat, Klosi: Nuk kemi më një protestë qytetare, por një protestë politike
Sekretari i Përgjithshëm i PS Blendi Klosi tha në emisionin Now në Euronews Albania se dita e sotme, ku organizatorët e protestës paraqitën 5 kërkesat kryesore, shënon momentin e konsolidimit të një ekipi përfaqësues që do të jenë zëri publik dhe politik i protestës.
Sipas Klosit, tanimë nuk do kemi më një protestë qytetare po një protestë politik dhe alternativat e tyre do garojnë përballë PS dhe partive të tjera në zgjedhjet e radhës.
“…Si duket paskan kaluar te modeli i partisë së vjetër opozitare që një herë në javë të kalojmë ta bëjmë protestën kombëtare, e kishim një model të tillë. Ata kishin molotovin, këta s’e kanë. Sa i përket kërkesave… e vetmja e re sot është që u konsolidua një ekip përfaqësues, po përpiqen për zgjedhje të lira transparente për në komitet drejtues që do të jetë zëri publik i protestës. Deri tani nuk kemi pasur zë publik të protestës, por që të kërkosh dorëheqjen e kryeministrit besoj se është detyra numër një e çdo force politike opozitare, për të pasur mundësi të garojnë në garën e radhës. Fakti që po krijojnë një komitet demokratik do të thotë që pas 2 vjetësh do jenë pjesë e garës. Nuk kemi më një protestë qytetare por një protestë politike dhe alternativat e tyre do garojnë përballë PS dhe partive të tjera”, tha Klosi.
Dita e 23-të e protestës, qytetarët nisin marshimin në rrugët e Tiranës
Pasi qëndruan për rreth dy orë para Kryeministrisë në ditën e 23-të të protestës, ku disa prej tyre mbajtën fjalime, protestuesit nisën më pas marshimin e natës në rrugët e kryeqytetit, me pankarta në duar kundër qeverisë.
Thirrjet e tyre vijuan pa ndërprerje, ku dominonin, “Rama jep dorëheqjen dhe Shqipëri e re”.
Aktivisti: Nuk ka ultimatum për dorëhqjen e Ramës, vetëm diskutime në rrjetet sociale
Aktivisti Andi Tepelena ka deklaruar në një lidhje live me gazetaren Erla Mëhilli nga sheshi para Kryeministrisë se grupi koordinues ka ndërmarrë, sipas tij, “hapin e parë” në organizimin e mëtejshëm të lëvizjes.
Tepelena theksoi gjithashtu se, krahas kërkesës për dorëheqje të panegociueshme të kryeministrit Edi Rama, lëvizja nuk ka bërë ultimatum të drejtpërdrejtë.
“Ne grupi koordinues bëmë sot një hap të parë. Nuk kemi bërë ultimatum ndaj kryeministrit Edi Rama. Në rrjetet sociale ka kakofoni mesazhesh, por kjo është një lëvizje e decentralizuar, horizontale, e përbërë nga qindra grupe sociale. Ultimatumi nuk ka qenë e iniciuar nga grupi koordinues i protestës. Ky është një proces deri sa ai të japë dorëheqjen. Do të jetë një proces i gjatë, pak i lodhshëm, por në fund të tunelit do të ketë dritë. Edi Rama do të jetë i detyruar të japë dorëheqjen dhe të dëgjojë vullnetin popullor.Ky shesh do të shërbejë si hambar idesh. Ky shesh është i përfaqësuar nga grupe të ndryshme interesi si ekonomia, ligjet, siguria, mjedisi, kultura dhe të tjera. Këto grupe interesi do të konsultohen mes tyre, do të nxjerrin përfaqësues dhe do të krijojmë një asamble qytetare, e cila do të përmbajë përfaqësues të këtyre grupeve të interesit. Do të jetë një proces sa më demokratik, ku të përfshihet çdo qytetar dhe çdo grup interesi, ku do të sjellin problematikat që kanë dhe rrugëzgjidhjet përkatëse. Njerëzit janë çdo ditë në shesh, dhe nesër do të ketë protestë nga sindikatat. Çdo ditë do të ketë risi që do ta fuqizojnë protestën, për të arritur objektivin që të dalin në shesh 1 milion shqiptarë. Dhe atëherë nuk do të ketë Ramë që t’i bëjë ballë 1 milion shqiptarëve që do të jenë aty për të kërkuar dorëheqjen. Ky do të jetë një moment kur e gjithë Shqipëria do të jetë në shesh për të kërkuar dorëheqjen, dhe nuk do të jetë i largët. Qytetarët shqiptarë duhet të kenë besim. Ky është një proces pa kthim”, tha Tepelena.
“Qeveria po përçan dhe bullizon protestuesit”, Dash Shehi radhit fitoret e protestës
Ish-deputeti Dashamir Shehi komentoi në emisionin Now në Euronews Albania protestën qytetare që po zhvillohet prej 23 ditësh në Tiranë.
Shehaj u shpreh se qeveria po përpiqet të përçajë protestuesit, duke e lidhur me njerëz dhe rryma të caktuara, por ajo sipas tij mbetet pozitive. E kësaj proteste është fakti që njerëzit arritën të thyejnë frikën, duke refuzuar 2 partitë e mëdha.
“E shikoj pozitivisht gjithë protestën, është protesta e parë që nuk e bëjnë partitë. E kam parë shumë pozitive që pas shumë viteve po del një gjë e re, qytetarë me një ide ndryshe, që duan të çajnë mes dy partive. Kjo është e reja e kësaj proteste. Ka pasur masivizim të madh nga kjo dëshirë të rikthehet një gjë e re. Aty mund të ketë shumë rryma, por realiteti është që qeveria po mundohet t’i përçajë, t’i bullizojë protestuesit. Gjithmonë në një protestë aq të madhe ka njerëz që mendojnë në forma të ndryshme. Rezultati është pozitiv, njerëzit thyejnë frikën. Këto janë fitore, e mediatizuan, e ndërkombëtarizuan”, tha Shehi.
Sindikatat e pavarura paralajmërojnë protestë para Ministrisë së Ekonomisë, kërkojnë rritje pagash
Sindikatat e pavarura të Shqipërisë kanë njoftuar zhvillimin e një proteste ditën e nesërme, në orën 10:00, përpara Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, ku pritet të kërkohet përmirësim i kushteve ekonomike dhe rritje e dinjitetit të punës.
Duke folur nga protesta para kryeministrisë, përfaqësuesi i sindikatave të pavarura, Ilir Xhemalaj, ka bërë thirrje publike për pjesëmarrje të gjerë të qytetarëve, duke iu drejtuar punëtorëve, pensionistëve dhe të rinjve që, sipas tij, përballen me vështirësi ekonomike në jetën e përditshme.
“Sot kam një thirrje për çdo punëtor, pensionist, çdo të ri e qytetar të ndershëm. Në sindikatat shqiptare, nuk e kam për ato që janë lëpirë me shtetin për 36 vjet, e kam për sindikatat e reja të cilat nesër do të mblidhen përpara Ministrisë së Financave për të protestuar. Ju ftoj të jeni me ne. Nesër proteston Shqipëria që punon, punëtori që zgjohet para lindjes së diellit dhe mezi e mbyll muajin. Pensionisti që pas një jete pune, numëron ato qindarkat përpara farmacisë për të blerë ilaçet. Proteston i riu që punon, por nuk arrin të blejë një shtëpi për familjen e nuk ndërton dot një familje. Kur punëtori varfërohet nga puna e tij, ka diçka që nuk shkon. Nuk ka ekonomi të fortë dhe qytetarë të varfër. Nuk kërkojmë privilegje, vetëm dinjitet që të punojmë në vendin tonë dhe të rrisim fëmijët në vendin tonë. Një vend nuk mbahet në këmbë nga lëmosha që pushtetarët u japin punëtorëve. Një vend mbahet në këmbë nga punëtorët. Prandaj sot ftoj qytetarët që të bashkohen me protestën e sindikatave në orën 10:00. Askush nuk del për karrige apo politikë, vetëm për dinjitetin tonë”, tha Ilir Xhemalaj.
Pas 23 ditësh protestë, organizatorët publikojnë 5 kërkesat kryesore
Teksa protesta ka hyrë në ditën e saj të 23-të, grupi organizator ka dalë me një deklaratë të përbashkët, ku ka bërë publike pesë kërkesat kryesore të lëvizjes.
Deklarata u lexua nga ish-luftëtari i UÇK-së, Dritan Goxhaj, i cili tha se ishte autorizuar nga grupi koordinues i protestës për të folur në emër të organizatorëve dhe protestuesve.
Duke iu drejtuar të pranishmëve dhe qytetarëve dhe mbështetësve, Goxhaj deklaroi se grupi koordinues, pas dëgjimit të propozimeve dhe qëndrimeve të qytetarëve gjatë 22 ditëve të protestës, ka hartuar një deklaratë për të sqaruar qëllimet dhe kërkesat e lëvizjes.
Në këtë kuadër, grupi organizator ka bërë publike kërkesat e plota drejtuar qeverisë së drejtuar nga kryeministri Edi Rama, duke paraqitur pesë pikat kryesore që, sipas tyre, përfaqësojnë qëndrimin dhe objektivat e protestës.
Deklaratë e Dritan Goxhaj, ish-luftëtar i UÇK-së
“Përshëndetje bashkëkombas, bashkëqytetarë dhe bashkëprotestues. Për të gjithë ju, sot jam autorizuar nga grupi koordinues i protestës të lexoj një deklaratë në emër të tyre.
Në emër të grupit koordinues të protestës, duke dëgjuar propozimet e sovranit për 22 ditë me radhë, po dalim sot para jush me këtë deklaratë për të sqaruar protestuesit, si gjithë bashkëkombasit tanë, qofshin ata të pranishëm fizikisht apo ata që na mbështesin me zemër dhe me mendje, se kjo protestë mbarëpopullore dhe paqësore kërkon sa më poshtë:
1. Dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit dhe qeverisë.
2. Krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake, me mandat 12-mujor.
3. Ndryshime kushtetuese, ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë para ligjit, si dhe miratimi i saj me referendum popullor, duke përfshirë ndër të tjera ndryshimin e Kodit Zgjedhor, ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme, kufizimin e ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se dy mandate të plota ose të pjesshme gjatë gjithë jetës politike të një individi.
4. Paralelisht, ne nuk heqim dorë nga kërkesat fillestare: anulimi i ndryshimeve të bëra në ligjin e zonave të mbrojtura, anulimi i ndryshimeve të bëra në ligjin për trashëgiminë kulturore, shfuqizimi i Paktit të Maleve, si dhe shfuqizimi i statusit të kuadrit ligjor për investimet strategjike.
5. Një kontratë e re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, e cila do të përpilohet pas konsultimit me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë të propozuar nga sheshi i protestës.
Këto janë kërkesat tona të qarta, legjitime dhe të panegociueshme, të dala nga zëri i qytetarëve dhe vullneti i sovranit. Ne mbetemi të vendosur në rrugën e protestës paqësore, demokratike dhe qytetare deri në realizimin e tyre. Shqipëria e shqiptarëve, jo e pushtetarëve.”
Kështu e mbylli fjalën e tij Dritan Goxhaj.
“Dorëheqje!”, qytetarët marshojnë drejt Kryeministrisë në ditën e 23-të të protestës
Me thirrjet “Dorëheqje!”, “Ju erdhi fundi!”, “Edi Rama, o tradhtar, jep dorëheqjen sa më parë!”, “Revolucion”, “Rama jepe dorëheqjen” dhe “Poshtë qeveria!”, protestuesit u nisën në marshim nga sheshi Skënderbej drejt Kryeministrisë në ditën e 23-të të protestës që po mbahet nga aktivistë dhe qytetarë në Tiranë.
Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa gjatë marshimit janë dëgjuar edhe thirrje si “Rama në burg, Berisha në burg” dhe “Shqipëri e re”.
Gjermania për protestat: Një e drejtë e qytetarëve, por janë çështje e brendshme e Shqipërisë
Në një dalje publike, Martin Giese, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë është pyetur mbi protestat e vazhdueshme që po mbahen në Tiranë
Konrketisht Martin Giese pyetet nëse qeveria gjermane është në kontakt me protestuesit në Shqipëri? Nëse e di Berlini se çfarë kërkojnë vetë protestuesit dhe çfarë pret ai nga qeveria e Edi Ramës në raport me protestat?
Në një replikë për median gjermane, Giese tha shkurtimisht se protestat janë një e drejtë e qytetarve, por i cilëson ato si një çështje e brendshme politike e Shqipërisë.
Asociacioni i Gazetarëve reagon në lidhje me sigurinë e ekipeve mediatike në protesta: Mos intimidoni gazetarët
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka shprehur shqetësimin për incidentet e regjistruara ndaj gazetarëve dhe ekipeve mediatike gjatë protestave të zhvilluara në Tiranë në javët e fundit.
Në një reagim publik, organizata thekson se, ndonëse e drejta për të protestuar është një e drejtë themelore demokratike që duhet respektuar, po aq i rëndësishëm është garantimi i sigurisë dhe lirisë së punës së gazetarëve që raportojnë nga terreni.
Berisha: Vendi i çdo demokrati është në shesh në protestën qytetare
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së tij në konferencë për mediat ka folur lidhur me protestën e cila prej 22 ditësh vijon pa ndërprerje në kryeqytet. Berisha u bëri thirrje demokratëve që të bashkohen me qytetarët në shesh për liri dhe kundër autokracisë.
Sipas tij vendi i demokratëve është në sheshin dhe rrugët e Tiranës. Berisha e cilësoi sheshin ku mblidhen protestuesit çdo ditë si vendi i nderit dhe i fushëbetejës qytetare. Ai shtoi se në këtë protestë nuk ka flamuj dhe simbole partiake dhe se e respektojnë këtë.
“Asnjë slogan, asnjë parullë, asnjë mashtrim i hedhur aty kundër opozitës së vërtetë, asaj opozite që në kushtet më të vështira të një kalvari të vërtetë, qëndroi e pamposhtur në dhjetëra e dhjetëra protesta kundër regjimit.
Të asaj opozite që u burgos, por nuk u mposht. Që u sanksionua, por nuk u mposht. Të asaj opozite që me komisionet e saj, me denoncimet e saj, depozitoi një mal dosjesh në SKAP, pavarësisht se heshtën.
Të asaj opozite që ia doli me betejat e saj të damkosë regjimin e Edi Ramës në tetë rezoluta ndërkombëtare si narkoregjim.
Të denoncojë e para narkoshtetin e tij dhe ta stipulojë atë në rezoluta ndërkombëtare. Të asaj opozite që realizoi mbrojtjen e votës së lirë dhe që bëri të mundur që zgjedhjet e 11 majit të damkosen si farsë elektorale në një përpjekje shumë të madhe.
Pra, çdo demokrate e demokrat duhet ta ketë të qartë se vendi i nderit i tij është në fushëbetejën qytetare, kësaj radhe jo me flamurin dhe simbolet e partisë pasi kjo është një protestë qytetare, të cilën ne si të tillë e respektojmë plotësisht.
Të cilën ne bëjmë gjithçka për të dhënë kontributin tonë, por vetëm e vetëm si qytetarë. Askush nuk duhet të impresionohet ndaj klithmave të atyre që janë unikë në botë që protestojnë kundër opozitës, të kompleksuar si vegël e qeverisë mendojnë se hapin rrugën e tyre duke sulmuar, duke shpifur, trilluar kundër opozitës.
Asnjë gjethe, asnjë degëz nuk duhet t’u pengojë ku të shihni trungun qytetar të kësaj proteste, kauza e të cilës në çdo pikë të paraqitur ka qenë dhe është kauza juaj, kauza e PD.
Ndaj dhe të vazhdoni si sot, pa impresion, pa asnjë hezitm, të jepni kontributin tuaj maksimal në suksesin e kësaj proteste.
Unë kam besim të madh se revolucioni apo protesta do të triumfojë dhe se Edi Rama çfarëdo që të bëjë, me çdo makinacion, çdo vegël që do përdorë, çdo mashtrim që do përdorë, do marrë atë që meriton”, tha ai ndër të tjera.
Protesta qytetare në Tiranë, një grup protestuesish kaluan natën përpara Kryeministrisë
Një grup protestuesish vijon të qëndrojë përpara Kryeministrisë edhe mëngjesin e kësaj të hëne.
Protestuesit janë vendosur në disa stola metalikë pranë godinës, ndërsa në shkallët e Kryeministrisë janë vendosur edhe këpucë, të cilat sipas organizatorëve simbolizojnë emigrimin.
Qëndrimi i protestuesve nisi pas përfundimit të protestës së zhvilluar të shtunën. Një pjesë e tyre vijuan të qëndrojnë përpara godinës së qeverisë edhe gjatë gjithë ditës së diel, duke vazhduar praninë e tyre në zonë.
Rama publikon pamjet e pastrimit të kryeqytetit pas protestës: Nisi për mjedisin, përfundoi duke ndotur vetveten
Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamjet e pas-protestës së mbajtur mbrëmjen e djeshme në kryeqytet.
Në pamjet e publikuara shihen mbeturinat e hedhura në tokë, të cilat po pastrohen nga punonjësit.
“Një natë në kryeqytet, si metafora e fundit të një proteste që nisi për mbrojtjen e mjedisit dhe bitisi me ndotjen e vetvetes…“, shkruan Rama krahas videos.
Rama: Flamingot do të habiten me veten e tyre si ranë pre e korbave të shqiptarisë së rreme
Kryeministri Edi Rama ka reaguar këtë të diel pas deklaratës së një prej protestuesve lidhur me incidentin e flamurit të Izraelit. Në postimin e tij, Rama ironizon deklaratën e njërit prej organizatorëve, Arben Kola, i cili pretendon se në protestë ka pasur persona të infiltruar.
Nga njëra anë, kryeministri ngre pikëpyetjen: “Po ky vetë?”, ndërsa më tej vijon duke thënë: Dhe flamingot do të habiten me veten e tyre si ranë me kokë mes korbave e sorrave të shqiptarisë së rreme.
Postimi i Kryeministrit Edi Rama:
“Ouuu… Po ky vetë?
Avash-avash, të gjithë do të dalin!
Dhe flamingot do të habiten me veten e tyre si ranë me kokë mes korbave e sorrave të shqiptarisë së rreme.”
“Kësaj proteste do t’i bien të tëra puplat false të flamingove”, Rama reagon pas kërkesave
Taulant Balla: Kërkesat e protestuesëve u bënë nga “zëdhënësi i Iranit”
“Me Neomalsoren kam patur afrimitet”, Klosi: Hapja e partisë me kaq shumë të rinj ka pasoja
- 22:28 “Aty ka që protestojnë edhe për Iranin, Rusinë e Serbinë”, Shehi ndaj Bashës: Mund të jesh patronazhist
- 22:26 Nafta bie me gati 4% pas sinjaleve pozitive nga bisedimet SHBA-Iran, Brent nën 78 dollarë
- 22:23 Avramopoulos pas urdhër-arresti: Nuk do ta përdor imunitetin, kërkoj hetim të plotë gjyqësor
- 22:20 Ambasadorja zvicerane: Mbështesim demokracinë dhe zhvillimin vendor në Shqipëri
- 22:06 “Kësaj proteste do t’i bien të tëra puplat false të flamingove”, Rama reagon pas kërkesave
- 21:59 Messi i fuqishëm rrëzon edhe Austrinë