Dokumenti kombëtar: Krimi i organizuar zgjeron ndikimin në ekonomi

8 Korrik 2026 | 20:08

Dokumenti i ri i qeverisë, “Strategjia Kombëtare për Parandalimin dhe Luftën kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda 2026–2030”, i miratuar dhe publikuar në Fletoren Zyrtare, paraqet një nga analizat më të detajuara dhe kritike të viteve të fundit mbi gjendjen e krimit të organizuar në Shqipëri.

Në dokument pranohet se grupet kriminale nuk mbështeten më vetëm te trafiku i drogës, por kanë zgjeruar aktivitetin drejt ekonomisë, teknologjisë dhe sistemeve financiare. Sipas strategjisë, ato kanë kapacitet të gjenerojnë fitime të konsiderueshme, të veprojnë në disa fusha kriminale me shtrirje ndërkombëtare, të depërtojnë në ekonomi dhe të përdorin korrupsionin e dhunën për të ruajtur kontrollin.

Strategjia evidenton gjithashtu se organizatat kriminale janë përshtatur me presionin e autoriteteve duke përdorur komunikime të enkriptuara, portofola digjitalë dhe skema të sofistikuara të pastrimit të parave.

Një nga konstatimet më të forta lidhet me korrupsionin, i cili cilësohet si një nga kërcënimet më serioze për shtetin dhe si mekanizëm kyç që mundëson zgjerimin e krimit të organizuar. Dokumenti thekson se korrupsioni nuk realizohet më vetëm përmes ryshfetit klasik, por edhe përmes ndërmjetësve, kompanive fiktive dhe strukturave offshore.

Strategjia përmban edhe autokritikë për institucionet shtetërore. Ajo pranon se koordinimi ndërinstitucional mbetet i fragmentuar në praktikë, ndërsa sistemet e informacionit nuk janë ende të unifikuara dhe plotësisht të ndërveprueshme.

Një tjetër vlerësim i rëndësishëm është se “kërcënimet kriminale evoluojnë më shpejt se përgjigjja strategjike”, duke nënvizuar nevojën për përditësimin e vazhdueshëm të kapaciteteve shtetërore.

Për këtë arsye, dokumenti vendos si prioritete të reja luftën kundër krimit kibernetik, gjurmimin e kriptovalutave, mashtrimet online, përdorimin e inteligjencës digjitale dhe monitorimin e Dark Ëeb për zbulimin e hershëm të aktiviteteve kriminale.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është zhvendosja e fokusit nga arrestimi i autorëve drejt goditjes së pasurive kriminale. Strategjia parashikon konfiskimin sistematik të të ardhurave nga krimi dhe ripërdorimin e aseteve të konfiskuara për interesa publike brenda gjashtë muajve.

Dokumenti pranon gjithashtu se, megjithëse kultivimi i kanabisit është reduktuar, fenomeni mbetet me potencial riaktivizimi. Për herë të parë, edhe krimet mjedisore klasifikohen si kërcënim në zhvillim për sigurinë kombëtare dhe ekonominë e vendit.

Megjithatë, strategjia nuk identifikon sektorët konkretë ku krimi i organizuar ka depërtuar më shumë, si ndërtimi, pasuritë e paluajtshme apo prokurimet publike. Kjo mungesë mbetet një nga boshllëqet më të dukshme të dokumentit, pavarësisht pranimit se grupet kriminale përdorin ekonominë dhe korrupsionin për të zgjeruar ndikimin e tyre.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Mungesa e fuqisë punëtore, Shqipëria hap tregun për punëtorët nga Azia dhe Afrika (Shifrat)

Të shohësh shtetas të huaj të punësuar në Shqipëri nuk është më një fenomen i pazakontë. Vitet e fundit, bizneset kanë gjetur zgjidhje te punonjësit...
19:44 | 08/07/2026

3 zyrtarë shqiptarë pretendojnë se nuk u lejuan të hyjnë në Shqipëri, reagon Dogana e Qafë-Thanës

Tre zyrtarë nga Maqedonia e Veriut, deputeti dhe koordinatori i grupit parlamentar të VLEN-it Bekim Qoku, deputeti Adnan Azizi dhe zëvendëssekretari i përgjithshëm i Qeverisë,...
19:31 | 08/07/2026

Bardhi nga Parlamenti Europian: Kuvendi është zhveshur nga funksioni i tij, opozitës iu refuzuan pesë kërkesa

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka kritikuar funksionimin e Kuvendit të Shqipërisë gjatë fjalës së tij në Parlamentin Europian. Sipas Bardhit,...
17:56 | 08/07/2026