Ekskluzive/ Presidenti i Ilirisë: S’pati dhunë ndaj Skënderbeut, debati u bë dramë
Presidenti i KF Iliria, Nazmi Selmani, në një intervistë ekskluzive për Euronews Albania, ka reaguar lidhur me lajmin se pjesëtarë të klubit të Skënderbeut janë dhunuar në Fushë-Krujë.
Ai mohoi kategorikisht që të ketë pasur dhunë, duke theksuar se gjithçka ka qenë vetëm një debat mes dy futbollistëve, ndërsa sipas tij “Skënderbeu e ka bërë situatën shumë më të madhe nga ç’ka qenë”.
Selmani u shpreh se ka ndërhyrë për të qetësuar futbollistët por skuadra korçare ka refuzuar të paraqitet në ndeshje.
Sipas Selmanit, arbitrat, delegatët dhe policia i kanë konfirmuar se ndeshja mund të luhej, ndërsa Skënderbeu ka zgjeruar një konflikt mes dy vetave “në gjashtë”.
“S’ka pasur asnjë lloj dhune. Dy futbollistë kanë debatuar, por jo më shumë. I prita vetë arbitrat, delegatët dhe drejtuesit e policisë; të gjithë thanë që ndeshja të zhvillohet. Nga Korça e bënë një incident të vogël një dramë të madhe. Sporti duhet të na bashkojë, jo të na ndajë. Është turp i madh që po e bëjnë këtë gjë”, tha ai, duke theksuar se ekipi i tij ka kontribuar gjithmonë me korrektësi për futbollin.
Selmani shtoi se nuk kërkon të justifikojë klubin e tij, por situata është keqinterpretuar.
“Nuk kam qenë aty në momentin e parë, por kur shkova thashë: nëse ka pasur debat mes futbollistëve për një keqkuptim, hajde merremi vesh. Disa thonë që Gjoka ka sharë dhe ndoshta ka pasur një përplasje mes futbollistëve, por jo kjo dramë që po e bën Skënderbeu. Nëse ne kemi gabuar, le të na përjashtojë Federata. Por dëshmitarët janë aty: kanë qenë dy futbollistë që kanë debatuar, dhe kaq. Skënderbeu vjen deri te porta me provokime; kjo është gabimi i tyre”, tha ai.
Presidenti shtoi se Iliria ka luajtur kudo pa u ankuar, edhe kur tifozët i kanë sulmuar, dhe se “për dy futbollistë që debatojnë nuk mund të krijohet një situatë e tillë”.
Presidenti i “Iliria” sulmon “Skënderbeu”: Nuk u falet korçarëve! E bënë dramë! pic.twitter.com/To7Y2zUEZ3
— Euronews Albania (@EuronewsAlbania) December 3, 2025
Ndërkohë, Federata Shqiptare e Futbollit njoftoi të mërkurën se ndeshja e javës së 14-të Iliria–Skënderbeu, e programuar në orën 13:30 në Fushë-Krujë, nuk u zhvillua për shkak të shqetësimeve të ngritura mbi kushtet e sigurisë.
Sipas njoftimit, në momentin e mbërritjes së ekipit të Skënderbeut ka pasur një incident mes lojtarëve dhe stafit të Ilirisë, ku dyshohet për konfrontime fizike.
FSHF bëri të ditur se çështja po shqyrtohet nga komisionet juridike. Klubi i Skënderbeut, në një reagim në Facebook, deklaroi se lojtarët dhe trajneri Gjoka janë dhunuar nga KF Iliria.
LEXONI GJITHASHTU:
Samiti i NATO-s në Ankara, liderët botërorë bëjnë foton familjare
Zjarr masiv në Porto Palermo
Helmimi i studentëve në Akademinë e Sigurisë, reagon AKU
- 22:29 “Shkodra pret më shumë turistë këtë vit”, gazetari: Rritje deri në 25% e vizitorëve
- 22:12 “Himara thyen pritshmëritë turistike”, kryebashkiaku Tavo: Fluksi i vizitorëve është rritur me 30% krahasuar me vitin e kaluar
- 22:02 Turizmi në Vlorë, gazetari: Protestat nuk ndikuan te pushuesit, Sazani dhe Karaburuni vijojnë me fluks
- 21:57 Eksperti i ekonomisë: Numri i turistëve mbetet pozitiv, sfida kryesore janë kostot e larta
- 21:44 Stuhia e papritur godet Vlorën, pushuesit largohen me nxitim nga plazhi (VIDEO)
- 21:04 Moti i keq godet Kosovën, humb jetën 61-vjeçari pasi rrëshqiti në ballkonin e shtëpisë! Plagosen 2 të tjerë