Një incident i dhunshëm ka ndodhur mbrëmjen e së martës në Fier, ku tre persona u arrestuan pas një përplasjeje fizike me agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Forcat Operacionale të Policisë. Personat e arrestuar janë, Ledjan Kapllanaj, Klaudio Kapllanaj dhe Gerald Kollçaku, të afërm të Agron Kapllanaj. Ndërkohë, vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në ngjarje.
Sipas të ndaluarve incidenti ka ndodhur pas një mosmarrëveshje për një vend parkimi. Në dëshminë e dhënë në polici ata kanë thënë se nuk i njihnin personat që u përfshinë në konflikt.
Edhe pasi agjentët e BKH-së u janë prezantuar, ata nuk i kanë besuar dhe kanë vazhduar t’i sulmojnë fizikisht.
Policia e Fierit ka publikuar një version të ngjarjes, ku thuhet se incidenti ka ndodhur rreth orës 19:20 të mbrëmjes, në aksin rrugor Fier-Patos. Sipas njoftimit të policisë, shërbimet operacionale të Policisë dhe hetuesit e BKH-së janë goditur nga disa persona gjatë kryerjes së detyrës, të cilët janë identifikuar dhe shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier për veprime të mëtejshme.
Policia e Fierit ka njoftuar gjithashtu se të gjitha veprimet hetimore dhe procedurale po kryhen nga Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier.
Agron Kapllanaj, ish-kryebashkiaku i Mallakastrës, ka dhënë versionin e tij të ngjarjes lidhur me incidentin e ndodhur në Fier. Ai deklaroi se ngjarja ka nisur rreth orës 18:00, kur një mjet i paidentifikuar ka mbërritur në parkimin e kompanisë dhe ka ngritur një dron. Ky veprim, sipas Kapllanajt, ka shkaktuar dyshime tek të afërmit e tij, të cilët janë afruar për të kërkuar shpjegime.
Kapllanaj ka pretenduar se një prej agjentëve të BKH-së i ka thënë rojes se po filmonin për të blerë një pronë, por më pas e ka ofenduar me fjalë të rënda. Pas kësaj, agjentët janë larguar nga vendi, duke u ndjekur nga persona të afërm të Kapllanajt.
Ai ka shtuar se më vonë, pas ndalimit të agjentëve, ka ndodhur një përplasje fizike, gjatë së cilës personat e tij nuk janë informuar se kishin të bënin me agjentë të BKH-së. Sipas tij, ata janë kërcënuar me armë dhe vetëm pas këtij momenti është bërë e ditur se ata ishin agjentë të BKH-së.
LEXONI GJITHASHTU:
- Agjentë të BKH dhe Operacionalja goditen fizikisht nga disa persona në Fier
- Ngacmoi seksualisht të miturën, Prokuroria Fier kërkon arrest me burg për autorin