Avokati Tomë Gashi tha se kreu i qeverisë së Kosovës Albin Kurti kurrë nuk do të nënshkruaj një marrëveshje me Serbinë që do të cenonte territorin e Kosovës.
Në një intervistë për Euroneës Albania, ai shtoi ndër të tjera se presioni që po bëhet ndaj Prishtinës dhe Kosovës duhet të bëhet ndaj Beogradit.
Po ashtu ai shtoi se Kurti nuk ka faj për marrëveshjet që ka nënshkruar vite më parë Hashim Thaçi apo Isa Mustafa.
“Kurti në asnjë mënyrë nuk do të bëjë në cilësinë e kryeministrit të Kosovës atë që kanë bërë ata që ishin në pushtet para tij, Thaçi apo Mustafa për formimin e asociacionit.
Kurti nuk është individ, është populli i Kosovës pas tij. Ne duhet ta dimë se po i përsërisim gjërat për më shumë se 10 vite. Nëse do të nënshkruhej një asociacion me kompetenca të tilla ekzekutive do të ishte dita e parë e fillimit të shkëputjes së këtij territorit të Republikës së Kosovës në favor të Serbisë dhe në dëmin tonë. Ne nuk pranojmë marrëveshje të tilla sepse cenohet territori i Kosovës. Vuçiç me njërin sy po shikon Moskën dhe me tjetrin po sheh BE. Dorëheqja e Vuçiç nuk ndodh kurrë. Presioni që po bëhet ndaj Prishtinës dhe Kosovës duhet të bëhet ndaj Beogradit. Fajin i Albinit nuk është që ka nënshkruar Mustafa apo Thaçi.
Ideja është që Kurti nuk do të nënshkruaj kurrë një marrëveshje për asociacionin”- u shpreh ai.
Gashi komentoi dhe kritikat e të dërguarit të posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ndaj kryeministrit të Kosovës Albin Kurti.
“Escobar mendon se Albin Kurti ndoshta nuk mund ta ndryshojë qëndrimin e tij sepse qëndrimi është i gjithë Lëvizjes Vetëvendosje dhe mund të ketë telashe apo probleme me vetë partinë që udhëheq. Escobar flet në emër të politikave të SHBA-së dhe janë qëndrime zyrtare. Kosova është bashkëpunuese me Amerikën. Kosova do të gjejë një zgjidhje me Serbinë, por kjo e fundit e mban territorin e Kosovës si pjesë integruese në Kushtetutën e tyre”- tha ai.
LEXONI GJITHASHTU: