Historia e Behijes, rrëfimi gruas që shet lule prej 25 vitesh në rrugën e Elbasanit
Behije Prrenjasi është 65 vjeç dhe prej 25 vitesh vjen çdo ditë nga Shkoza për të shitur lule në kryqëzimin e rrugës së Elbasanit në Tiranë.
Në mëngjes duhet të zgjedhë të marrë urbanin ose të ecë në këmbë, pasi në orën 7:30 duhet të jetë aty buzë rrugës duke shitur.
Me thjeshtësinë dhe dashurinë e saj, ajo është kthyer në një figurë të njohur për këdo që kalon aty.
Kur flet për lulet, sytë e Behijes ndriçojnë; ajo tregon me dashuri se si i mbjell dhe kujdeset për to.
“Ne mëngjes vijmë në orën 7:30, lulet i kultivojmë vetë, kemi një ambient tonin privat në shtëpi dhe i sjellim lulet të freskëta. Herë vijmë në këmbë, herë vijmë me urbanë. Është e vështirë, por sakrifica bën të vetën. Ne jemi pensionistë dhe duam të shfrytëzojmë kohën dhe të kemi një të ardhur për nevojat tona,” thotë zonja Behije.
Ajo tregon me përvojën e saj përse njerëzit blejnë më shumë lulet. Shumica i marrin për dhurata, për datëlindje, apo për të shkuar në kishë.
E pyetur nëse dikush i ka dhuruar ndonjëherë ndonjë lule, ajo u përgjigj: “Po, më kanë dhuruar djem të rinj për 7-8 marsin, trëndafila, dhe na bën qejf që na respektojnë.”
Zonja Behije tregon se përveç bukurisë, njerëzit i blejnë lulet për të shprehur respekt. “Të gjithë brezat, lulja tani në Shqipëri është respekt; nuk është si dikur që nuk i merrnin. Pavarësisht se ekonomia është e dobët.”
Kur flitet për çmimin e luleve, zonja Behije thotë se ato janë të lira dhe të përballueshme nga të gjithë në rastet kur blehen. Një buqetë kushton 500-600 lekë, një trëndafil bën 50 lekë.
“Ja, kjo është 600 mijë lekë, një luledielli është 100 mijë lekë. Kjo është lavendël, siripë, margaritar, lule dielli. Kjo kushton 600 lekë. Kush do të marrë një 100 lekë? Njerëzit ndonjëherë nuk kanë lekë për të blerë një lule, sidomos mosha e tretë, pensionistët. E shikojnë lulen dhe thonë ‘kaq kam’, ‘merre’ i them unë. Marsi-prilli është koha kur ka më shumë blerje, edhe për Krishtlindje.”
65-vjeçarja tregon me përvojën e saj si të ruash freskinë e luleve që mos të thahen dhe se ka shumë turistë që vijojnë dhe i blejnë lule.
“Po i vaditësh gjithmonë në darkë nuk prishen, në mëngjes nuk vaditet asnjëherë. Turistët vijnë dhe blejnë lule; ka shumë italianë që jetojnë këtu, orkidët i duan shumë.”
Zonja Behije tregon me sinqeritet të ardhurat e saj ditore nga shitja e luleve. “Xhiroja në ditë shkon te 20 mijë ose 30 mijë, na duket mjaftueshëm, boll i kemi për të jetuar ditën, tani të shijojmë ditën momentin – kjo është jeta.”
Behije Prrenjasi nuk është thjesht një shitëse lulesh, në rrugën e Elbasanit është një simbol i përkushtimit dhe pasionit për dashurinë për lulet.
Nëse do të kaloni te kryqezimi i rrugës së Elbasanit, patjeter do të shihni një zonjë e cila shet buqeta me lule.
Ajo është Behije Prrenjasi 65-vjeç, dhe vjen çdo ditë nga Shkoza në Tiranë për të shitur këto lule të freskëta. pic.twitter.com/uHefeEUcIq
— Euronews Albania (@EuronewsAlbania) September 4, 2025
LEXONI GJITHASHTU:
Deklarata e ministres serbe për spastrim etnik, Balla nga Kuvendi: E papërgjegjshme dhe indinjuese
Marrëveshja për Shqipërinë e re, Spiropali dorëzon mocion me debat në asamblenë e PS
Iu gjetën 4 armë zjarri dhe municione në banesë, vihet në pranga 21-vjeçari në Shkodër
- 10:37 Deklarata e ministres serbe për spastrim etnik, Balla nga Kuvendi: E papërgjegjshme dhe indinjuese
- 10:33 Marrëveshja për Shqipërinë e re, Spiropali dorëzon mocion me debat në asamblenë e PS
- 10:18 Libani kërkon ti jepet fund pushtimit izraelit
- 10:12 Kërkesa e Trumpit për largimin e trupave të Izraelit nga Libani, Siria dhe Gaza, ministri izraelit i Mbrojtjes: Nuk tërhiqemi
- 10:03 Ndërpritet pagesa me karta krediti në të gjithë Japoninë
- 10:02 Vetëm me votat e PS-së, Konferenca e Kryetarëve i çon Parlamentit shtyrjen e reformës zgjedhore