Kush është Gilmando Dani, miku i Emiljano Shullazit i vrarë në atentat
Një atentat me pasojë një të vrarë dhe një të plagosur ndodhi pasditen e së martës pranë rrethrrotullimit të Rinasit.
Viktimë e atentatit mbeti shtetasi Gilmando Dani, i njohur si krahu i djathtë i Emiljano Shullazit. Dani ishte arrestuar bashkë me Shullazin në vitin 2015 dhe ishte liruar në vitin 2023 me kusht pasi kishte kryer 2/3 e dënimit.
Në momentin e atentatit Dani, bashkë me një person tjetër lëviznin me një automjet të blinduar dhe ndaj tyre është qëlluar me plumba tejshpues që kanë rezultuar fatalë për Danin.
Gilmando Dani, emër i njohur për autoritetet ligjzbatuese, njihet prej vitesh si një nga njerëzit më të afërt të Emiljano Shullazit, shpesh përmendur si “krahu i tij i djathtë”. Edhe pse ndaj tij nuk janë ngritur akuza të rënda në vite, prania e tij në disa episode të përbashkëta me Shullazin dhe në ngjarje të natyrës kriminale e kanë bërë figurë të dyshuar e të monitoruar vazhdimisht nga policia.
E kaluara dhe incidentet me ligjin
Precedenti i parë zyrtar për Gilmando Danin daton në shkurt të vitit 2006, kur ai u arrestua nga forcat speciale RENEA, pasi ishte shpallur në kërkim për akuzat “mbajtje pa leje të armëve luftarake” dhe “kanosje në bashkëpunim”. Në të njëjtin operacion u arrestuan edhe Emiljano Shullazi dhe D. Hate.
Gjatë kontrollit policia sekuestroi një arsenal të vërtetë armësh: pistoleta automatike “Skorpion” me silenciator, dy automatikë kroatë e kallashnikovë, radio përgjuese të valëve të policisë, fenelinë policie, dylbi nate dhe pajisje kamuflazhi, elemente që përforconin dyshimet për veprimtari të strukturuar kriminale.
Në gusht 2009, pas vrasjes së katër efektivëve të policisë në Durrës nga Dritan Dajti, banesa e Gilmando Danit u kontrollua nga policia nën dyshimet se ai mund të kishte qenë në zonë atë ditë. Hetimet më pas konfirmuan se Dani ndodhej në Tiranë, por ai nuk u gjet në banesë gjatë kontrollit, ndërsa Prokuroria e Krimeve të Rënda i bllokoi përkohësisht pasaportën.
Në prill të vitit 2011, gjatë fushatës elektorale, ai u shoqërua në polici pas incidentit ku Emiljano Shullazi pengoi një aktivitet të Partisë Socialiste në Tiranë. Deputetja Vasilika Hysi kërkoi ndërhyrjen e policisë, dhe përveç Shullazit, u ndalua edhe Gilmando Dani.
Atentatet ndaj tij
Ndaj Danit janë kryer të paktën dy atentate të mëparshme, në vitin 2011 dhe 2015, ku ai mbeti i plagosur. Pavarësisht këtyre ngjarjeve, Dani i mbijetoi dhe vijoi të jetë një figurë e njohur në botën e nëndheshme të Tiranës.
Sipas burimeve, Dani ka qenë pjesë e grupit të Emiljano Shullazit dhe u lirua nga burgu në vitin 2023, pasi kreu 3/4 e dënimit për gjobëvënie.
Atentati pranë Aeroportit të Rinasit
Ngjarja e fundit ndodhi sot, pranë Aeroportit të Rinasit, ku viktimë e atentatit dyshohet të jetë Gilmando Dani. Ai udhëtonte në një makinë luksoze të blinduar, pronë e Elvis Kosovës, gjithashtu i njohur për policinë.
Në automjet ndodhej edhe një person tjetër me mbiemrin Muça, i plagosur gjatë të shtënave.
Autorët kanë qëlluar me breshëri automatiku, në një atentat që sipas të dhënave të para, ka qenë i mirëorganizuar dhe i studiuar paraprakisht.
Çfarë është regjimi “41-bis”
Termi “41-bis” vjen nga sistemi penitenciar italian, i krijuar në vitin 1992 pas vrasjes së prokurorëve Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino nga mafia siciliane. Ky regjim i veçantë aplikohet për të burgosurit që konsiderohen krerë të organizatave kriminale.
Qëllimi i tij është të ndërpresë çdo kontakt mes të burgosurit dhe organizatës jashtë burgut, duke shmangur urdhrat apo komunikimet që mund të drejtojnë veprimtari kriminale nga qelitë.
Masa përfshin izolim total, ndalim të komunikimeve, kufizim të vizitave dhe kontroll të rreptë të çdo kontakti me botën e jashtme.
Në Shqipëri, termi “regjim 41-bis” përdoret shpesh si referencë ndaj izolimit të fortë që aplikohet për të dënuar të rrezikshëm ose për persona që konsiderohen “bosë të krimit”.
Rrufeja shkakton zjarr në Dropull, era e fortë rrëzon pemë dhe bllokon rrugën
Aktivisti Goci: Një agjent nuk del me fytyrë të kërkojë dorëheqjen e kryeministrit
Kapet në flagrancë efektivi i Burgjeve në Durrës, tentoi të fuste drogë për një të paraburgosur
- 21:58 Rrufeja shkakton zjarr në Dropull, era e fortë rrëzon pemë dhe bllokon rrugën
- 21:57 Aktivisti Goci: Një agjent nuk del me fytyrë të kërkojë dorëheqjen e kryeministrit
- 21:51 Kapet në flagrancë efektivi i Burgjeve në Durrës, tentoi të fuste drogë për një të paraburgosur
- 21:46 Vjosa Osmani flet pas kërkesave për dorëheqje të Abdixhikut
- 21:33 Përkujtohet 90-vjetori i lindjes së akademikut Rexhep Qosja, Kurti: Pa të, kultura jonë do të ishte më e varfër
- 21:33 Të shtëna me armë zjarri në Shkodër, policia rrethon zonën