Përpos përfshirjes së pakicave në programet partiake, më shumë duhet bërë në trajtimin e problemeve
Përpara zgjedhjeve të përgjithshme të 25 prillit 2021, partitë politike iu drejtuan elektoratit të tyre për të shpalosur programet politike dhe për të fituar kështu besimin me votë të të gjithë shqiptarëve.
46 subjekte politike dhe 3 koalicione u regjistruan për të garuar në zgjedhjet parlamentare, të cilat konfirmuan për një mandat të tretë qeverinë e Partisë Socialiste të udhëhequr nga kryeministri Edi Rama.
Tema që mbizotëroi gjatë fushatës ishte ekonomia, e cila zë dhe vëllimin më të madh në rreshtat e programeve politike, ndërsa çështjet e të drejtave të njeriut dhe pakicave, siç është edhe rom e egjiptian, tërhoqën më pak vëmendje.
Në 2013, përpara se të vinte në pushtet, Socialistët shpalosën një program i cili synonte të “zgjidhte përfundimisht problemin me regjistrimin e fëmijëve romë dhe ndalimin e formave të këqija të punës së fëmijëve Rom dhe egjiptianë, përgjysmimin e shkallës së analfabetizmit, trefishimin e fondeve për formimin profesional të të rinjve Rom dhe egjiptianë.”
Në programin e 2021, Socialistët premtuan të shtojnë numrin e familjeve nga komuniteti rom dhe egjiptian që kanë përparësi në programet sociale të strehimit.
Programi nuk mbeti thjesht në letër por u miratua në agjendën katër-vjeçare të qeverisë shqiptare.
“Zgjerimin e mbulimit të familjeve të cenueshme sipas skemës së ndihmës ekonomike, me prioritet për familjet rome dhe egjiptiane, nga 10 për qind në vit”.
Qendra për Advokim Social e ka vlerësuar lëvrimin e rreth 4 milionë dollarëve për vitin 2022, ose 1.5 milionë dollarë më shumë se vitin e shkuar, duke e cilësuar si një fitore të rëndësishme që do të përmirësojë kushtet e jetesës për afro 250 familje.
Gjithashtu, liderët e gjashtë ekonomive të Ballkanit Perëndimor, ku bën pjesë dhe Shqipëria, kanë ritheksuar angazhimin e tyre për të shtuar përpjekjet për integrimin e romëve duke firmosur Deklaratën e Partnerëve të Ballkanit Perëndimor për Integrimin e Romëve në kuadër të Procesit të Zgjerimit, njohur ndryshe edhe si Deklarata e Poznanit. Nisma e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, pjesë e Procesit të Berlinit në 2019, mbulon 6 fusha kryesore: punësimin, strehimin, arsimimin, shëndetin, regjistrimin civil dhe mosdiskriminimin. Këto objektiva duhet përmbushura përpara se Shqipëria të hyjë në Bashkimin Europian.
Këto objektiva ishin dhe pjesë e programit të qeverisë shqiptare:
- Qasje e barabartë në drejtësi dhe shërbime të gjendjes civile për romët dhe egjiptianët
- Përmirësimi i kushteve të strehimit për anëtarët të pakicave rome dhe egjiptiane, si dhe legalizimin i të gjitha vendbanimeve jo formale.
- Ulja e hendekut në cilësinë e shëndetit midis Romëve dhe Egjiptianëve dhe pjesës tjetër të popullsisë
- Rritja e aksesit të barabartë në arsim cilësor dhe gjithëpërfshirës për romët dhe egjiptianët në të gjitha nivelet arsimore
- Krijim i mundësive të barabarta për punësim cilësor dhe të qëndrueshëm për romët dhe egjiptianët
- Përmirësim i qasjes dhe rritja e aksesit të romëve dhe egjiptianëve në programet e mbrojtjes sociale
Në një përgjigje për Euronews Albania, Partia Socialiste theksoi se si një parti e majtë ajo promovon mundësitë e barabarta dhe mirëqenien e të gjithë qytetarëve ndërsa theksoi se i kanë dhënë vëmendje të veçantë këtyre minoriteteve.
Gjatë fushatës zgjedhore, Demokratët, partia më e madhe opozitare në Shqipëri, prezantuan gjithashtu programin e tyre tek palët e interesuara. Përgjatë takimeve të shumta në harkun e disa muajve, tematikat që kanë të bëjnë me ekonominë dhe luftën kundër korrupsionit ishin në qendër të vëmendjes, ndërsa të drejtat e pakicave zunë më pak hapësirë.
Euronews Albania bisedoi me deputeten e partisë demokratike Dhurata Çupi për të mësuar më shumë mbi qëndrimin e partisë së djathtë mbi komunitetin rom dhe egjiptian.
Gjatë kohës në opozitë, PD ka pranuar të votojë shumë pak ligje të propozuara nga qeveria. Një prej tyre është ligji për mbrojtjen e pakicave kombëtare, në vitin 2017”, tha deputetja ndërkohë që ky ishte dhe një prej kushteve për nisjen e negociatave me BE. Sipas znj. Çupi, ky ishte “një nga vendimet e pakta të mira të marrë nga ky parlament”
E pyetur nëse PD ka përfshirë pakicat në programin elektoral gjatë fushatës, ajo u shpreh:
“Partia Demokratike është e vetmja partia e madhe, që ka krijuar një koalicion politik me parti që përfaqësojnë pakicat kombëtare, përfshirë edhe atë rome. Ne ishim bashkë në këto zgjedhje dhe vazhdojmë të jemi bashkë në opozitë me besimin se, me marrjen e drejtimit të qeverisjes së vendit, gjërat do të ndryshojnë për mirë edhe për pakicat kombëtare”.
Sipas deputetes së PD, çështja më urgjente është krijimi i një regjistri të plotë të romëve në Shqipëri, pasi do të ndihmonte në përpilimin e politikave më gjithëpërfshirëse.
“Një identifikim i saktë çon në politika më përfshirëse në lidhje me ndihmën ekonomike, trajtimin e papunësisë, strehimin, arsimimin dhe integrimin në shoqëri, duke trajtuar me dinjitet romët dhe pakicat kombëtare”, tha znj. Çupi.
Sipas censusit të fundit të kryer në 2011, në Shqipëri jetojnë rreth 8.300 romë dhe 3.368 egjiptianë, por vërtetësia e kësaj shifre vihet në pikëpyetje edhe në plan-veprimin e qeverisë.
Megjithatë, pa një përfaqësues të pakicave në parlament, është më e vështirë të çosh përpara objektivat e agjendës.
Në Parlamentit Europian romët përfaqësohen nga 3 eurodeputetë, Romeo Franz i Gjermanisë, Livia Jaroka e Hungarisë, të cilët fituan mandatin e dytë radhazi, ndërsa Peter Pollak arriti të sigurojë një post në Sllovaki.
LEXONI GJITHASHTU:
Zvezda pa ujë të pijshëm, banorët protestojnë sërish për investimin 600 mijë euro
Reforma territoriale, banorët e Prrenjasit kundërshtojnë bashkimin me Librazhdin
Humbi shikimin dhe njërin gisht në fëmijëri, por jo ëndrrën: Historia frymëzuese e klarinetistit Nevruz Bramo
- 12:02 Operacioni “Plazhi i lirë”, policia heq qindra çadra e shezlongë pa leje në Golem (VIDEO)
- 11:59 Ndërron jetë një i dënuar me 15 vite burg në Fier, vuante nga problemet me zemrën
- 11:44 Vrasja e Albi Bashaliut, dëshmitari në GJKKO zbardh dinamikën: Personi i maskuar e qëlloi dhe i dogji makinën
- 11:22 Zinedine Zidane merr drejtimin e kombëtares së Francës
- 10:59 Procesi gjyqësor ndaj Laert Haxhiut, dëshmon në GJKKO Xhuliano Xhaferraj: Ja çfarë më tha i ati i Laertit pas ngjarjes
- 10:48 Tentativa për vjedhje llogarish në WhatsApp, Policia apel qytetarëve: Mos klikoni në linke të dyshimta