LIVE| Sot dita e 23-të e protestës në Tiranë, organizatorët publikojnë 5 kërkesat kryesore

22 Qershor 2026 | 18:31

Për të 23-tën ditë me radhë, duke filluar prej orës 19:00, qytetarët u mblodhën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë për të protestuar kundër qeverisjes së kryeministrit Edi Rama.

Ashtu si në ditët e mëparshme, grumbullimi i protestuesve u bë në sheshin “Skënderbej”, nga ku më pas ata marshuan drejt godinës së qeverisë.

Në bulevard dëgjoheshin thirrjet e tyre, “Rama në burg, Berisha në burg!” dhe “Rama, jepe dorëheqjen!”.

Kërkesa kryesore e protestuesve mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe e qeverisë së tij, ndërsa në tubime marrin fjalën qytetarë të ndryshëm dhe aktivistë.

Ndërsa këtë të hënë, kur protesta e aktivistëve dhe qytetarëve ka hyrë në ditën e saj të 23-të, ka pasur një zhvillim të ri, pasi organizatorët kanë publikuar pesë kërkesat kryesore të protestës. Ato u lexuan para protestuesve nga ish-luftëtari i UÇK-së, Dritan Goxhaj.

Kërkesa e parë është dorëheqja e panegociueshme e kryeministrit dhe e qeverisë.

Së dyti, protestuesit kërkojnë krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake, me mandat 12-mujor.

Kërkesa e tretë lidhet me ndryshime kushtetuese, ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë para ligjit, si dhe miratimin e tyre me referendum popullor. Në këto ndryshime përfshihen ndryshimi i Kodit Zgjedhor, ndryshimi i ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme, si dhe kufizimi i ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se dy mandate, të plota ose të pjesshme, gjatë gjithë jetës politike të një individi.

Paralelisht, organizatorët kërkojnë anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për Zonat e Mbrojtura, anulimin e ndryshimeve në ligjin për Trashëgiminë Kulturore, shfuqizimin e paketës ligjore të njohur si “Paketa e Maleve”, si dhe shfuqizimin e statusit dhe të kuadrit ligjor për Investimet Strategjike.

Kërkesa e pestë parashikon hartimin e një kontrate të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, e cila sipas organizatorëve do të përpilohet pas konsultimit me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë, të propozuar nga sheshi i protestës.

Pas qëndrimit në shesh, protestuesit vijojnë marshimin në formë kolone në disa akse të Tiranës me thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg.”

Organizatorët kanë deklaruar se do të vijojnë protestat çdo ditë nga ora 19:00, deri në plotësimin e kërkesave të tyre, mes të cilave përfshihet edhe anulimi i ligjeve që, sipas tyre, lidhen me mjedisin, natyrën dhe zonat e mbrojtura.

9 Updates
20:55

Sindikatat e pavarura paralajmërojnë protestë para Ministrisë së Ekonomisë, kërkojnë rritje pagash

Sindikatat e pavarura të Shqipërisë kanë njoftuar zhvillimin e një proteste ditën e nesërme, në orën 10:00, përpara Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, ku pritet të kërkohet përmirësim i kushteve ekonomike dhe rritje e dinjitetit të punës.

Duke folur nga protesta para kryeministrisë, përfaqësuesi i sindikatave të pavarura, Ilir Xhemalaj, ka bërë thirrje publike për pjesëmarrje të gjerë të qytetarëve, duke iu drejtuar punëtorëve, pensionistëve dhe të rinjve që, sipas tij, përballen me vështirësi ekonomike në jetën e përditshme.

“Sot kam një thirrje për çdo punëtor, pensionist, çdo të ri e qytetar të ndershëm. Në sindikatat shqiptare, nuk e kam për ato që janë lëpirë me shtetin për 36 vjet, e kam për sindikatat e reja të cilat nesër do të mblidhen përpara Ministrisë së Financave për të protestuar. Ju ftoj të jeni me ne. Nesër proteston Shqipëria që punon, punëtori që zgjohet para lindjes së diellit dhe mezi e mbyll muajin. Pensionisti që pas një jete pune, numëron ato qindarkat përpara farmacisë për të blerë ilaçet. Proteston i riu që punon, por nuk arrin të blejë një shtëpi për familjen e nuk ndërton dot një familje. Kur punëtori varfërohet nga puna e tij, ka diçka që nuk shkon. Nuk ka ekonomi të fortë dhe qytetarë të varfër. Nuk kërkojmë privilegje, vetëm dinjitet që të punojmë në vendin tonë dhe të rrisim fëmijët në vendin tonë. Një vend nuk mbahet në këmbë nga lëmosha që pushtetarët u japin punëtorëve. Një vend mbahet në këmbë nga punëtorët. Prandaj sot ftoj qytetarët që të bashkohen me protestën e sindikatave në orën 10:00. Askush nuk del për karrige apo politikë, vetëm për dinjitetin tonë”, tha Ilir Xhemalaj.

🔗 Shpërndaje
19:53

Pas 23 ditësh protestë, organizatorët publikojnë 5 kërkesat kryesore

Teksa protesta ka hyrë në ditën e saj të 23-të, grupi organizator ka dalë me një deklaratë të përbashkët, ku ka bërë publike pesë kërkesat kryesore të lëvizjes.

Deklarata u lexua nga ish-luftëtari i UÇK-së, Dritan Goxhaj, i cili tha se ishte autorizuar nga grupi koordinues i protestës për të folur në emër të organizatorëve dhe protestuesve.

Duke iu drejtuar të pranishmëve dhe qytetarëve dhe mbështetësve, Goxhaj deklaroi se grupi koordinues, pas dëgjimit të propozimeve dhe qëndrimeve të qytetarëve gjatë 22 ditëve të protestës, ka hartuar një deklaratë për të sqaruar qëllimet dhe kërkesat e lëvizjes.

Në këtë kuadër, grupi organizator ka bërë publike kërkesat e plota drejtuar qeverisë së drejtuar nga kryeministri Edi Rama, duke paraqitur pesë pikat kryesore që, sipas tyre, përfaqësojnë qëndrimin dhe objektivat e protestës.

Deklaratë e Dritan Goxhaj, ish-luftëtar i UÇK-së

“Përshëndetje bashkëkombas, bashkëqytetarë dhe bashkëprotestues. Për të gjithë ju, sot jam autorizuar nga grupi koordinues i protestës të lexoj një deklaratë në emër të tyre.

Në emër të grupit koordinues të protestës, duke dëgjuar propozimet e sovranit për 22 ditë me radhë, po dalim sot para jush me këtë deklaratë për të sqaruar protestuesit, si gjithë bashkëkombasit tanë, qofshin ata të pranishëm fizikisht apo ata që na mbështesin me zemër dhe me mendje, se kjo protestë mbarëpopullore dhe paqësore kërkon sa më poshtë:

1. Dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit dhe qeverisë.

2. Krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake, me mandat 12-mujor.

3. Ndryshime kushtetuese, ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë para ligjit, si dhe miratimi i saj me referendum popullor, duke përfshirë ndër të tjera ndryshimin e Kodit Zgjedhor, ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme, kufizimin e ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se dy mandate të plota ose të pjesshme gjatë gjithë jetës politike të një individi.

4. Paralelisht, ne nuk heqim dorë nga kërkesat fillestare: anulimi i ndryshimeve të bëra në ligjin e zonave të mbrojtura, anulimi i ndryshimeve të bëra në ligjin për trashëgiminë kulturore, shfuqizimi i Paktit të Maleve, si dhe shfuqizimi i statusit të kuadrit ligjor për investimet strategjike.

5. Një kontratë e re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, e cila do të përpilohet pas konsultimit me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë të propozuar nga sheshi i protestës.

Këto janë kërkesat tona të qarta, legjitime dhe të panegociueshme, të dala nga zëri i qytetarëve dhe vullneti i sovranit. Ne mbetemi të vendosur në rrugën e protestës paqësore, demokratike dhe qytetare deri në realizimin e tyre. Shqipëria e shqiptarëve, jo e pushtetarëve.”

Kështu e mbylli fjalën e tij Dritan Goxhaj.

🔗 Shpërndaje
19:34

“Dorëheqje!”, qytetarët marshojnë drejt Kryeministrisë në ditën e 23-të të protestës

Me thirrjet “Dorëheqje!”, “Ju erdhi fundi!”, “Edi Rama, o tradhtar, jep dorëheqjen sa më parë!”, “Revolucion”, “Rama jepe dorëheqjen” dhe “Poshtë qeveria!”, protestuesit u nisën në marshim nga sheshi Skënderbej drejt Kryeministrisë në ditën e 23-të të protestës që po mbahet nga aktivistë dhe qytetarë në Tiranë.

Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa gjatë marshimit janë dëgjuar edhe thirrje si “Rama në burg, Berisha në burg” dhe “Shqipëri e re”.

🔗 Shpërndaje
17:19

Gjermania për protestat: Një e drejtë e qytetarëve, por janë çështje e brendshme e Shqipërisë

Në një dalje publike, Martin Giese, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë është pyetur mbi protestat e vazhdueshme që po mbahen në Tiranë

Konrketisht Martin Giese pyetet nëse qeveria gjermane është në kontakt me protestuesit në Shqipëri? Nëse e di Berlini se çfarë kërkojnë vetë protestuesit dhe çfarë pret ai nga qeveria e Edi Ramës në raport me protestat?

Në një replikë për median gjermane, Giese tha shkurtimisht se protestat janë një e drejtë e qytetarve, por i cilëson ato si një çështje e brendshme politike e Shqipërisë.

🔗 Shpërndaje
16:14

Asociacioni i Gazetarëve reagon në lidhje me sigurinë e ekipeve mediatike në protesta: Mos intimidoni gazetarët

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka shprehur shqetësimin për incidentet e regjistruara ndaj gazetarëve dhe ekipeve mediatike gjatë protestave të zhvilluara në Tiranë në javët e fundit.

Në një reagim publik, organizata thekson se, ndonëse e drejta për të protestuar është një e drejtë themelore demokratike që duhet respektuar, po aq i rëndësishëm është garantimi i sigurisë dhe lirisë së punës së gazetarëve që raportojnë nga terreni.

🔗 Shpërndaje
13:12

Berisha: Vendi i çdo demokrati është në shesh në protestën qytetare

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së tij në konferencë për mediat ka folur lidhur me protestën e cila prej 22 ditësh vijon pa ndërprerje në kryeqytet. Berisha u bëri thirrje demokratëve që të bashkohen me qytetarët në shesh për liri dhe kundër autokracisë.

Sipas tij vendi i demokratëve është në sheshin dhe rrugët e Tiranës. Berisha e cilësoi sheshin ku mblidhen protestuesit çdo ditë si vendi i nderit dhe i fushëbetejës qytetare. Ai shtoi se në këtë protestë nuk ka flamuj dhe simbole partiake dhe se e respektojnë këtë.

 “Asnjë slogan, asnjë parullë, asnjë mashtrim i hedhur aty kundër opozitës së vërtetë, asaj opozite që në kushtet më të vështira të një kalvari të vërtetë, qëndroi e pamposhtur në dhjetëra e dhjetëra protesta kundër regjimit.

Të asaj opozite që u burgos, por nuk u mposht. Që u sanksionua, por nuk u mposht. Të asaj opozite që me komisionet e saj, me denoncimet e saj, depozitoi një mal dosjesh në SKAP, pavarësisht se heshtën.

Të asaj opozite që ia doli me betejat e saj të damkosë regjimin e Edi Ramës në tetë rezoluta ndërkombëtare si narkoregjim.

Të denoncojë e para narkoshtetin e tij dhe ta stipulojë atë në rezoluta ndërkombëtare. Të asaj opozite që realizoi mbrojtjen e votës së lirë dhe që bëri të mundur që zgjedhjet e 11 majit të damkosen si farsë elektorale në një përpjekje shumë të madhe.

Pra, çdo demokrate e demokrat duhet ta ketë të qartë se vendi i nderit i tij është në fushëbetejën qytetare, kësaj radhe jo me flamurin dhe simbolet e partisë pasi kjo është një protestë qytetare, të cilën ne si të tillë e respektojmë plotësisht.

Të cilën ne bëjmë gjithçka për të dhënë kontributin tonë, por vetëm e vetëm si qytetarë. Askush nuk duhet të impresionohet ndaj klithmave të atyre që janë unikë në botë që protestojnë kundër opozitës, të kompleksuar si vegël e qeverisë mendojnë se hapin rrugën e tyre duke sulmuar, duke shpifur, trilluar kundër opozitës.

Asnjë gjethe, asnjë degëz nuk duhet t’u pengojë ku të shihni trungun qytetar të kësaj proteste, kauza e të cilës në çdo pikë të paraqitur ka qenë dhe është kauza juaj, kauza e PD.

Ndaj dhe të vazhdoni si sot, pa impresion, pa asnjë hezitm, të jepni kontributin tuaj maksimal në suksesin e kësaj proteste.

Unë kam besim të madh se revolucioni apo protesta do të triumfojë dhe se Edi Rama çfarëdo që të bëjë, me çdo makinacion, çdo vegël që do përdorë, çdo mashtrim që do përdorë, do marrë atë që meriton”, tha ai ndër të tjera.

🔗 Shpërndaje
08:02

Protesta qytetare në Tiranë, një grup protestuesish kaluan natën përpara Kryeministrisë

Një grup protestuesish vijon të qëndrojë përpara Kryeministrisë edhe mëngjesin e kësaj të hëne.

Protestuesit janë vendosur në disa stola metalikë pranë godinës, ndërsa në shkallët e Kryeministrisë janë vendosur edhe këpucë, të cilat sipas organizatorëve simbolizojnë emigrimin.

Qëndrimi i protestuesve nisi pas përfundimit të protestës së zhvilluar të shtunën. Një pjesë e tyre vijuan të qëndrojnë përpara godinës së qeverisë edhe gjatë gjithë ditës së diel, duke vazhduar praninë e tyre në zonë.

🔗 Shpërndaje
07:46

Rama publikon pamjet e pastrimit të kryeqytetit pas protestës: Nisi për mjedisin, përfundoi duke ndotur vetveten

Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamjet e pas-protestës së mbajtur mbrëmjen e djeshme në kryeqytet.

Në pamjet e publikuara shihen mbeturinat e hedhura në tokë, të cilat po pastrohen nga punonjësit.

“Një natë në kryeqytet, si metafora e fundit të një proteste që nisi për mbrojtjen e mjedisit dhe bitisi me ndotjen e vetvetes…“, shkruan Rama krahas videos.

🔗 Shpërndaje
07:06

Rama: Flamingot do të habiten me veten e tyre si ranë pre e korbave të shqiptarisë së rreme

Kryeministri Edi Rama ka reaguar këtë të diel pas deklaratës së një prej protestuesve lidhur me incidentin e flamurit të Izraelit. Në postimin e tij, Rama ironizon deklaratën e njërit prej organizatorëve, Arben Kola, i cili pretendon se në protestë ka pasur persona të infiltruar.

Nga njëra anë, kryeministri ngre pikëpyetjen: “Po ky vetë?”, ndërsa më tej vijon duke thënë: Dhe flamingot do të habiten me veten e tyre si ranë me kokë mes korbave e sorrave të shqiptarisë së rreme.

Postimi i Kryeministrit Edi Rama:

“Ouuu… Po ky vetë?

Avash-avash, të gjithë do të dalin!

Dhe flamingot do të habiten me veten e tyre si ranë me kokë mes korbave e sorrave të shqiptarisë së rreme.”

🔗 Shpërndaje
Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Pas 23 ditësh protestë, organizatorët publikojnë 5 kërkesat kryesore

Teksa protesta ka hyrë në ditën e saj të 23-të, grupi organizator ka dalë me një deklaratë të përbashkët, ku ka bërë publike pesë kërkesat...
19:53 | 22/06/2026

Macron reagon pas takimit me Ramën: Franca riafirmon mbështetjen për integrimin e Shqipërisë në BE

Presidenti francez Emanuel Macron ka ndarë në rrjetin social X një mesazh pas takimit të zhvilluar në Pallatin Elize me kryeministrin shqiptar Edi Rama. Macron...
16:48 | 22/06/2026

Vetëvendosje i përgjigjet Ramës: Nuk kemi asnjë rol në protestat në Shqipëri

Lëvizja Vetëvendosje ka mohuar se si subjekt politik është e përfshirë në protestat që po zhvillohen në Shqipëri prej 23 ditësh. Anëtari i Këshillit të...
16:01 | 22/06/2026