Rezultatet paraprake të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tregojnë një garë të balancuar mes partive kryesore në Kosovë, ku Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia
Demokratike e Kosovës kanë siguruar secila nga tre komuna në raundin e parë të zgjedhjeve dhe po ashtu kryesojnë në disa të tjera që do të shkojnë në balotazh.
LVV ka fituar Kamenicën, Podujevën dhe Shtimën që në raundin e parë ndërsa është në avantazh në Gjilan, Fushë Kosovë dhe Pejë.
Edhe PDK-ja ka marrë tre komuna në raundin e parë, përkatësisht Skënderajn, Ferizajn dhe Hanin e Elezit dhe aktualisht kryeson në katër komuna të tjera që janë Kaçaniku, Mitrovica e Jugut, Prizreni dhe Vushtria.
Në këtë garë AAK-ja e Ramush Haradinajt ka siguruar fitoren në Deçan që në raundin e parë ndërsa është në epërsi në katër komuna të tjera që janë Gjakova, Klina, Rahoveci dhe Suhareka.
LDK-ja nga ana tjetër ka fituar dy komuna, Istogun dhe Lipjanin, por ka një pozitë të favorshme në pesë komuna të tjera që janë Dragashi, Obiliqi, Prishtina, Vitia dhe Juniku.
Ndërkohë, në Malishevë ka fituar Nisma Socialdemokrate që në raundin e parë, ndërsa në Gllogoc ka fituar kandidati i pavarur Ramiz Lladrovci.
Këto rezultate tregojnë një ndarje të fragmentuar të pushtetit lokal dhe paralajmërojnë një raund të dytë tejet të fortë në shumë prej komunave kyçe në vend.
Në orë 19:00 është mbyllur zyrtarisht procesi i votimit për zgjedhjet lokale në Kosovë. Pas mbylljes së votimit do të nisë procesi i numërimit.
739.949 mijë pjesëmarrës në zgjedhje janë raportuar në orë 19:00 nga 2.025.125 e cila ka shkuar në total 38.48 % totali.
Votat që numërohen në vendin ku qytetarët kanë votuar, dhe pritet që të paraqiten në platformën online të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Procesi zgjedhor është zhvilluar përgjithësisht pa incidente madhore. Gjatë ditës gjithashtu janë kryer arrestime lidhur me shkeljet e pikasura gjatë votimit. Disa persona janë arrestuar për fotografim të fletës së votimit.
Një rast kanosjeje është regjistruar në Shtime ku u kanos një vëzhgues i qendrës së votimit. Gjithashtu ka patur të shtëna në Deçan por kryeprokurori, Zejnullah Gashi theksoi se ngjarja nuk ka lidhje me procesin zgjedhor dhe se shkak ka qenë një mosmarrëveshje e hershme mes personave të përfshirë.
Procesi i votimit u zhvillua në 948 Qendra të Votimit, me gjithsej 2,625 vendvotime, prej të cilave 910 qendra me 2,571 vendvotime për votimin e rregullt dhe 38 qendra, nga një për çdo komunë, me 54 vendvotime, për të mundësuar votimin me kusht. Sipas Listës së Votuesve, numri i qytetarëve me të drejtë vote për të votuar sot në Republikën e Kosovës është 2,025,105, të cilët janë të shpërndarë në 38 komuna.
Procesi zgjedhor zhvillohet për të zgjedhur 38 kryetarët e Komunave dhe 942 anëtarët e Kuvendeve Komunale.
00:02-Kreu i KQZ-së: Brenda javës do të përfundojë procesi i numërimit të votave
Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, tha se beson që procesi i numërimit të votave për rundin e parë të zgjedhjeve lokale do të kryhet brenda javës.
23:29- Vetëvendosja “thyen” heshtjen, shpall fitoren në Gjilan
Kryetari aktual i Gjilanit, Alban Hyseni, nga Lëvizja Vetëvendosje shpalli fitoren në këtë komunë.
23:12-Memli Krasniqi feston në Mitrovicë: PDK-ja është fituese e zgjedhjeve lokale
Palestra “Minatori” në Mitrovicë është mbushur me simpatizantë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për të festuar fitoren e kandidatit të kësaj partie në Mitrovicë, Arian Tahiri.
23:11-Vijon procesi i numërimit në Prishtinë, ja sa kuti kanë mbetur pa u hapur
Që pas mbylljes së procesit të votimit, në të gjithë Kosovën po vijon numërimi i kutive. Në Prishtinë janë numëruar 200 kuti nga 268. Këto 68 kuti do të përcaktojnë dhe zyrtarizojnë rezultatin. Që nga nisja e numërimit kryebashkiaku, Përparim Rama ka kryesuar me rezultat të ngushtë me Hajrulla Çekon.
23:09-Podujeva nis festën, Shpejtim Bulliqi i LVV fiton në raund të parë
22:30-Tensione në veri të Kosovës? Çerkini: Simbolet kombëtare mund të nxisin përplasje
Sipas Çerkinit, situata aktualisht paraqitet e qetë, por ajo paralajmëron për mundësi të tensioneve në komunat veriore të vendit, ku dominon Lista Serbe
“Rezultatet deri tani janë të publikuara në konferencën për shtyp që ka pasur në 19:30 nga kreu i KQZ në Kosovë. Në kryeqytetin e Kosovës, në bazë të votave që janë numëruar deri tani, është ai që kryeson. Në komunat veriore dominon Lista Serbe, në katër komunat veriore. Gjë që është pritur ku kryetarët shqiptarë priten të zëvendësohen nga ata serbë. Ndryshimi më i madh është pritur në Prishtinë dhe në komunat veriore. Deri tani është e qetë situata, por në bazë të raportimeve tani është një realitet i ri, se strukturat paralele nga Beogradi janë mbyllur edhe për kryetarët serbë. Do të jetë një realitet i ri dhe mund të sjellë përplasje në veri. Ato që mund të sjellin tensionet e para potencialisht mund të nisin për shkak të simboleve kombëtare,” – tha Çerkini.
22:20-Përparim Rama shpall fitoren në Prishtinë: Fituam besimin tuaj me punë e vizion
Kryetari aktual i Bashkisë së Prishtinës, Përparim Rama ka dalë në një konferencë në media lidhur me rezultatin e deritanishëm të zgjedhjeve. Rama theksoi se rezultati dhe qytetarët treguan se duan që Prishtina të zhvillohet dhe se planet e tyre kanë marrë mbështetje.
“Sot u vërtetua se projektet e mëdha dhe programi ynë për transformimin e Prishtinës ka marrë jo vetëm mbështetjen por edhe legjitimitetin e plotë për 4 vitet qe vijnë. Kemi fituar besimin tuaj për punën dhe vizionin qe kemi krijuar në këto 4 vite. Sot qytetarët tanë dhanë një mesazh të qartë: Ne duan zhvillim, vizion në një qytet metropolitan.
21:59-Numërimi i votave/ Shpejtim Bulliqi nga LVV-ja kryeson në Podujevë
Sipas rezultateve paraprake nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, me 26.13 për qind të votave të numëruara, Bulliqi prin me 52.70 për qind të votave, ndërsa pas tij renditet kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ekrem Hyseni, me 39.32 për qind.
21:36-LDK në avantazh në Prishtinë, simpatizantë të partisë fillojnë festën
Simpatizantë të partisë Lidhja Demokratike e Kosovës kanë nisur festën në Prishtinë, ku sipas parashikimeve, Përparim Rama i kësaj partie do ta fitojë këtë komunë në raundin e parë.
20:52-Numërohen 10 kutitë e para në Mitrovicë, Faton Peci i LVV-së merr mbi 50% të votave
Procesi i numërimit të kutive të votimit ka nisur edhe në Mitrovicë. KQZ në përditësimin e fundit ka bërë me dije se janë numër 10 kuti nga 105.
Faton Peci i LVV-së numëron deri më tani 1,049 vota, 50,10%. Pas Pecit renditet Arian Tahiri i PDK-së i cili ka marrë 46,70% ose 978 vota. Kandidati i LDK-së, Gëzim Plakolli ka marrë 53 vota, 2,53%. Qazim Nimani i AAK-së numëron 14 vota, 0,67%.
20:59-Kosovë/ Numërimi i votave në Gjilan, zbulohet kandidati që ka marrë kryesimin
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar rezultatet e para edhe në komunën e Gjilanit.
Sipas këtyre rezultateve, i pari është Alban Hyseni i VV-së me 237 vota, ndërkaq i dyti Arbër Ismajli me 122 vota.
20:20-FOTOLAJM/ Nis festa e PDK-së në Mitrovicën e Jugut, simpatizantët dalin me flamuj
Simpatizantë të shumtë të PDK-së, kanë dalë sonte për të festuar për fitoren e Arian Tahirit me rezultat bindës sipas EXIT POLL.
20:11-Zgjedhjet në Kosovë/ Hapen kutitë e para në Prishtinë, kryeson Përparim Rama
Pas mbylljes së procesit të votimit në Prishtinë ka nisur numërimi i kutive të votimit. KQZ në përditësimin e fundit ka bërë me dije se janë numër 3 kuti nga 268.
Nga numërimi i këtyre kutive kryeson Përparim Rama i LDK-së me 197 vota, 44,27%. Pas tij renditet Hajrulla Çeko i LVV-së me 119 vota, 26,74%. Kandidati i PDK-së, Uran Ismaili ka marrë deri më tani 113 Vota, 25,39%.
19:58-Përfundon votimi në Kosovë, flet kreu i KQZ-së: U zhvillua një proces i rregullt
Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi tha se tashmë procesi zgjedhor ka përfunduar dhe sipas të dhënave të KKZ-ve kanë votuar 39.07% e qytetarëve.
“Procesi ka përfunduar në ora 19:00 nga komunikimet që kem procesi zgjedhor është zhvilluar një proces i qetë dhe i rregullt nuk janë evidentuar incidente që mund të cenonin integritetin dhe mbarëvajtjen e procesit. Gjatë ditës janë evidentuar disa probleme teknike, por janë adresuar”, tha ai.
19:41-Zgjedhjet Lokale: PDK pritet ta mbajë Ferizajn, Prizreni shkon në balotazh
Sipas exit poll-eve të para të paraqitura pas përfundimit të votimit, në Ferizaj, Partia Demokratike e Kosovës pritet ta mbajë pushtetin lokal. Sipas dy exit poll-eve të publikuara, kryetari aktual Agim Aliu parashikohet në rrugë të sigurt për ta fituar edhe një mandat sipas publikimeve.
19:34-Zgjedhjet në Kosovë, vëzhuesit DnV: Procesi i votimit ishte i qetë dhe demokratik
Vëzhguesit nga Demokracia në Veprim në përfundim të procesit të votimit për zgjedhjet lokale në Kosovë shprehen se procesi është zhvilluar në atmosferë të qetë dhe demokratike.
“Përkundër atmosferës së qetë dhe pjesëmarrjes së kënaqshme të qytetarëve në votime, procesi është përcjellë edhe me disa parregullsi. Votimi me asistencë ka qenë një dukuri shumë e shprehur, ku shumë votues, sidomos gratë dhe të rinjtë, janë asistuar nga të afërm të tyre dhe persona të tjerë. Madje, në shumë raste, votimi me asistencë nuk është evidentuar fare në Librin e Votimit”, tha DnV përmes një njoftimi për media.
19:28–Exit poll-et: Përparim Rama dhe Hajrulla Çeku në avantazh për Prishtinën
Exit poll-et e publikuara nga mediat e Kosovës tregojnë se gara për udhëheqjen e Komunës së Prishtinës do të shkojë drejt balotazhit, ku pritet të përballen Përparim Rama nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Hajrulla Çeku nga Lëvizja Vetëvendosje.
Sipas të dhënave nga këto exit poll-e, Rama mban një epërsi të lehtë ndaj Çekut.
19:18-Kosovë/ Exit poll-et e para: Në Mitrovicën e Jugut fiton garën PDK-ja
Sipas dy exit poll-eve të publikuara nga Radio Evropa e Lirë, në Mitrovicën e Jugut është parashikuar që Arian Tahiri nga Partia Demokratike e Kosovës ta fitojë garën me mbi 51 për qind të votave.
15:46- Të shtëna me armë para qendrës së votimit në Drenas të Kosovës
Të shtëna me armë kanë ndodhur para qendrës së votimit në fshatin Komoran të Drenasit. Burime të KosovaPress bëjnë të ditur se në vendin e ngjarjes kanë dal zyrtarët policore dhe nuk ka të lënduar.
11:56-KQZ në Kosovë: Ka pasur tentativa për sjelljen e votuesve nga Serbia
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës njoftoi se pjesëmarrja në votime deri në orën 11:00 ishte 7.84 për qind.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, deklaroi se nuk është raportuar për ndonjë parregullsi që mund të rrezikonte votimin ose mbarëvajtjen e procesit zgjedhor
Anëtari tjetër i KQZ, Alban Krasniqi deklaroi se ka pasur tentativa qe të votohet në procesin e këtij 12 tetori me karta identiteti serbe.
Ne lidhje me refuzimin e akreditimeve për disa medie (RTS dhe Tanjug), anëtari i KQZ Sami Kurteshi ka saktësuar se kjo gjë është bërë për shkak se në kërkesat e tyre ka pasur parregullsi dhe në disa raste kërkesat nuk njihnin shtetin e Kosovës.
lajmi në zhvillim