English

“Udhëtarët” eksplorojnë të veçantat e qytetit antik të Durrësit

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Historia e pasur me trashëgimi të periudhave të ndryshme që nga ajo antike e deri në periudhën e Luftës së Dytë Botërore, e bën qytetin e Durrësit një nga vendet më tërheqëse për turistët në Shqipëri.

- Advertisement -

“Udhëtarët” Loneta Progni dhe Renaldo Salianji sjellin në serinë e radhës një vizitë interesante në qytetin bregdetar, i cili u themelua rreth shekullit të VII para Lindjes së Krishtit nga fisi ilir i taulantëve dhe kolonialistëve grekë nga Korinti dhe për shekuj me radhë ishte porta hyrëse për në gadishullin e Ballkanit, sidomos gjatë periudhës romake dhe më vonë ajo bizantine.

Nën udhë-rrëfimin e ekspertes së turizmit, Floreta Kërtusha, pika e parë që vizituan “Udhëtarët” ishte “Amfiteatri i Durrësit”.

Ndërtuar rreth shekullit II pas Lindjes së Krishtit nga perandori romak Trajani, “Amfiteatri i Durrësit” është më i madhi që u ndërtua ndonjëherë në Ballkan, i aftë të mbante deri në 20 mijë spektatorë dhe me disa galeri ku mund të mbaheshin kafshë të egra dhe gladiatorë.

Kjo vepër e jashtëzakonshme u rrënua të paktën dy herë nga tërmete të fuqishme që tronditën qytetin në shekullin e VI dhe X, ndërsa u zbulua rreth 900 vjet më vonë nga ekspeditat arkeologjike të viteve 1960-70 dhe 1980 të drejtuara nga Vangjel Toçi apo dhe Lida Miraj. Për t’i hapur rrugë zbulimit të shkallareve u desh të shpërnguleshin mbi 50 familje ndërsa dhjetëra banesa u shembën.

Interesante për amfiteatrin janë mozaikët e jashtëzakonshëm të hyjnive që besoheshin prej banorëve të Durrësit ndërsa, një pjesë në mesjetë u kthye në kishë.

I veçantë për Durrësin është muri rrethues që pak a shumë përmbledh qindra e qindra vite histori pasi ai është rindërtuar dhe ndryshuar disa herë në periudha të ndryshme, që nga ajo bizantine, veneciane, e më vonë otomane. Për t’u veçuar është e ashtuquajtura “Tora Veneciane” e ndërtuar mbi rrënojat e një kulle bizantine në shekullin e XV-të.

Në kodrat rreth Durrësit spikat vila e Mbretit Zog, e ndërtuar mes viteve 1926-1937 me arkitekturë të Kristo Sotirit. Një ndërtesë magjepsëse për kohën, por që nuk u gëzua gjatë nga familja mbretërore pasi ajo u detyrua të largohej gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Vila, e cila ofron një pamje fantastike të bregdetit, i rezistoi me shumë pak ndryshime kohës deri kur u mësy dhe plaçkit gjatë trazirave të vitit 1997. Në fund të viteve 2000-2010 vila iu rikthye familjes Zogu, e cila është zotuar për ta rikonstruktuar.

Floreta Kërtusha thotë se vilës së stilit neoklasik i jep identitet simbolika e Skënderbeut vendosur në anën perëndimore të saj.

Më tutje spikat e ashtuquajtura “Kulla anzhuine” e ndërtuar në mesjetë nga mbreti Karl i Anzhusë (Charles d’Anjou, djali më i vogël i Luigjit të VIII të Francës). Kjo kullë, e ndërtuar mbi muret rrethuese të Durrësit ofron gjithashtu një pamje fantastike.

Por përveç trashëgimisë historike, Durrësi ofron plot mundësi edhe për t’u argëtuar me vende lojërash buzë shëtitores së plazhit, apo dhe zonës së Sfinksit, një shkallare betoni buzë detit, kthyer në pikë mjaft tërheqëse për turistët, sidomos gjatë perëndimeve.

Në episodin e radhës “Udhëtarët” premtojnë të na sjellin të veçantat e rrethinave të Durrësit. Deri më tani Loneta dhe Renaldo kanë eksploruar pothuajse gjithë veriun, ndërsa deri në fund të muajit korrik pritet të vizitojnë të gjitha vendet e tjera të Shqipërisë.

LEXONI GJITHASHTU:

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

Euro 2024| A mendoni se Shqipëria do të mund ta kalojë grupin e “ferrit” në kampionatin Evropian?