English

“Udhëtarët” në gjurmët e historisë së Kepit të Rodonit dhe kalasë së Bashtovës

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Pasi eksploruan të veçantat e qytetit antik të Durrësit, “Udhëtarët” Loneta Progni dhe Renaldo Salianji, sjellin dy vende të tjera tejet interesante, të cilat nuk duhen lënë pa vizituar.

- Advertisement -

Rreth 50 kilometra në veri të Durrësit, përtej Gjirit të Lalëzit, një rrip toke shtrihet përtej në detin Adriatik duke formuar një kep që mbart plot histori. Ky kep quhet “Kepi i Rodonit”.

Arkeologë dhe studiues të njohur shqiptarë, si Hasan Ceka apo Moikom Zeqo, e lidhin etimologjinë e emrit me mitologjinë pagane ilire. Hyji ilir i detit quhej Redon, një hyjni e ngjashme si për mitologjinë greke dhe romake që ishin Poseidoni apo Neptuni.

Përveç këtij kuptimi etimologjik që ngjall tejet kureshtje për historinë e lashtë të kësaj zone, në Kepin e Rodonit ndodhet një kala mesjetare e ruajtur shumë mirë dhe gjithashtu edhe një kishë.

Kalaja në fjalë u ndërtua nga Gjergj Kastrioti Skënderbeu falë lidhjeve me Raguzën, me të cilën ai kishte marrëveshje që në rast të një pushtimi osman, kjo kala të përdorej si fortesa e fundit për t’u larguar.

Në fakt kur Sulltan Mehmeti i II-të nisi pushtimin e Krujës në vitin 1466-1467, familja e Skënderbeut u tërhoq në Rodon dhe prej andej me rreth 14 anije u largua për në Brindisi të Italisë së sotme. Historiani Marin Barleti shkruan se otomanët e prishën kalanë, por rreth 50 vite më vonë ajo u rindërtua nga venedikasit.

Për shkak të avancimit të detit ndër shekuj, një pjesë e mureve të kalasë kanë përfunduar në ujëra, mirëpo kalaja mund të vizitohet lehtësisht në pjesën tjetër ku një nga kullat e saj ka mbetur ende e lartë.

Diçka më tutje kalasë ndodhet Kisha e Shën Ndout, një kishë në të cilën, sipas gojëdhënave ka kaluar goxha kohë motra e vogël e Gjergj Kastriotit, Mamica. Kjo kishë u cilësua monument kulture në vitin 1963 dhe ishte ndër të paktat që i shpëtoi rrënimit nga diktatura komuniste pas shpalljes së ateizmit katër vite më vonë. Zona vlen të thuhet se u militarizua gjatë diktaturës dhe këtë e dëshmojnë disa bunkerë që ndodhen aty pranë.

Kisha ka ende disa vizatime në mure, sidomos ato pas altarit te pagëzimorja, ku paraqiten përveç shqiponjës simbol të familjes së Kastriotëve, edhe tre shpendë të llojit kuril.

Renaldo Salianji shpjegon se ato janë simbolikë paleo-kristiane për “krishterin e mirë” dhe vizatimi në pozicione të ndryshme, me kokë ulur, qëndrim normal dhe në fluturim ka domethënien e tre botëve, atë të nëndheshmes, botës njerëzore dhe asaj qiellore. Kisha është restauruar pas viteve 90-të.

Por nëse jeni në gjëmim të kalave dhe historive magjepsëse të Shqipërisë, rreth 90 kilometra në jug të Kepit të Rodonit, në Kavajë, ndodhet e vetmja kala e ndërtuar në Ballkan në zonë fushore, “Kalaja e Bashtovës” pranë fshatit Vilë-Bashtovë.

E ndërtuar pranë lumit Shkumbin, dhe jo shumë larg detit Adriatik, kalaja u ngrit nga venedikasit për qëllim tregtar, ku kryesisht shërbente për të ruajtur të korrat e plantacioneve të grurit dhe përgatitja e tyre për eksport në Venedik. Kjo kështjellë me mure deri në rreth 10 metra, u kthye më vonë nga otomanët në fortesë ushtarake. Ata i fortifikuan muret, ndryshuan bedenat dhe lartësuan kullat ku u vendosën dhe armatime.

Kështjella ditët e sotme është në gjendje jashtëzakonisht të mirë nga ana strukturore pasi është në formë të mbyllur prej mureve të saj dhe shpesh është përdorur për aktivitete kulturore.

Pas këtyre dy pikave tejet interesante për t’u vizituar, “Udhëtarët” premtojnë të tjera vende fantastike që nuk duhen lënë mënjanë.

Deri më tani Loneta dhe Renaldo kanë eksploruar pothuajse gjithë veriun, ndërsa deri në fund të muajit korrik pritet të vizitojnë të gjitha vendet e tjera të Shqipërisë.

LEXONI GJITHASHTU:

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

Altin Dumani paraqiti raportin e Prokurorisë së Posaçme, si e vlerësoni punën e SPAK për vitin 2023?
×