“Udhëtarët” zbulojnë anën tjetër të Bulqizës, të pasur me natyrë dhe histori
Bulqiza është një qytet që rëndomtë njihet për minierat, mirëpo “Udhëtarët” Loneta Progni dhe Renaldo Salianji sjellin në Euronews Albania anën tjetër të kësaj zone, bukuritë e natyrës dhe anën historike.
Rreth 17 kilometra në lindje të qytetit ndodhet një pyll magjepsës, të cilin banorët e zonës e konsiderojnë të shenjtë dhe prej shekujsh nuk presin asnjë pemë aty. Pylli quhet “Zabeli i Madh” dhe ndodhet në një kodër rreth 750 metra të lartë, pranë fshatit Zerqan, një fshat i njohur për besimin në Zot dhe respektin ndaj natyrës.
Për zabelin ka gojëdhëna të shumta. Banorët thonë se dyqind apo treqind vite më parë në këtë kodër u prehën në vendvarrime të ndryshme, të paktën dy besimtarë të njohur për veprimtarinë dashamirëse ndaj fshatit. Personat mendohet të kenë qenë të ardhur nga Turqia, apo Lindja e Mesme.
Pylli është kryesisht me dushqe që shkojnë mbi 10 metra lartësi, por gjithashtu ka dhe gështenja, të cilat sikurse tregojnë banorët, nuk i grumbullojnë për t’i shitur, por vetëm për konsum familjar.
Besimi është karakteristikë tejet e veçantë për Zerqanin. Në fakt, kjo e ka dalluar të paktën që treqind vite më parë ku nga e ashtuquajtura “Shtëpia e Shehlerëve” kishte jo vetëm prijës për zonën, por edhe udhëheqës dhe veprimtarë të shquar në luftën për pavarësi.
Shtëpia në fjalë, e ndërtuar në fillim vitet 1700 – rindërtuar nga Fadil Shehu në vitin 1992 – për tre breza me radhë kontribuoi në luftën për liri me personalitete të njohura si Sheh Mustafa, Sheh Sula apo Sheh Hajredini.
“Luftën e madhe kush e bani, Dibra e Madhe dhe Sheh Zerqani,” – citon këngën popullore “Malet e Dibrës” mjeku Naim Shehu, i cili mirëmban shtëpinë monument kulture.
Pranë shtëpisë është dhe një teqe e vjetër e drejtimit Kadri (ndërtuar në vitin 1739), ndërsa Naim Shehu thotë se në fund-vitet 1800, kur lëvizja e shqiptarëve për pavarësi ishte konkretizuar me nisma si Lidhja e Prizrenit, në “Shtëpinë e Shehlerëve” kanë bujtur personalitete si Abdyl Frashëri dhe njerëz të tjerë me ndikim për lëvizjen kombëtare.
Përveç këtyre dy vendeve fantastike dhe shumë pak të njohura për vizitorët, “Udhëtarët” patën mundësi të qaseshin edhe në televizionin lokal “TV Bulqiza” ku improvizuan një edicion informativ.
Deri më tani “Udhëtarët” kanë eksploruar Shkodrën, Malësinë e Madhe, Pukën, Fushë-Arrëzin, Lezhën, Mirditën, Kukësin dhe Dibrën, ndërsa deri në fund të muajit korrik pritet të vizitojnë të gjitha vendet e tjera të Shqipërisë.
LEXONI GJITHASHTU:
Liqeni i Lepurit në Tiranë, thesar i fshehur natyror mes maleve
Si u zbulua në Leskovik liqeni termal nëntokësor më i madh në botë
- 15:43 Përkeqësimi i ekonomisë, biznesi u rrit vetëm me 1.1% në vitin 2025
- 15:37 Prodhimi bujqësor arrin në 9,7 milionë tonë, shtohen perimet, bien drithërat dhe frutat
- 15:37 Vila legjendare e Berlusconit në Sardenjë blihet për 350 milionë euro nga dinastia Al Thani (FOTO)
- 15:27 SHBA konfiskon mbi 300 dronë gjatë Kupës së Botës, shkelën hapësirën ajrore të kufizuar
- 15:07 Rama flet për France 24: Faktorët e huaj nuk e duan investimin në Zvërnec
- 14:47 Me vlerë 350 milionë euro, familja mbretërore e Katarit blen vilën luksoze të Berlusconit në Sardenjë