Ofrimi i shërbimeve qeveritare përmes internetit pritet të fuqizohet edhe më shumë në vitin 2020, sipas një njoftimi për shtyp të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacioni (AKSHI). Kjo sipas institucionit do të zgjidhë një ndër problemet kryesore të marrjes së dokumenteve zyrtare, duke përshpejtuar procedurat.
E-Albania, portal qeveritar, ku ofrohen shërbime publike në mënyrë elektronike për qytetarët dhe bizneset.
AKSHI lajmëron se deri tani janë shkarkuar elektronikisht miliona dokumente “duke u kursye qytetarëve 100 vite kohë pritjeje”.
“Brenda vitit 2020, 1261 shërbime publike ose mbi 90% e shërbimeve do të kalojnë në e-Albania,” deklaron AKSHI.
Megjithatë harrimi i fjalëkalimit dhe pyetjet për çështje teknike për marrjen e shërbimit janë disa nga pikat kryesore që shqetësojnë qytetarët aktualisht.
Portali është konceptuar si një zyrë elektronike, ku qytetari regjistrohet duke përdorur kartën e tij të identitetit dhe shërbehet duke kërkuar dhe aplikuar për shërbimin që i nevojitet. Një nga pyetje që ngrihet më shpesh nga bizneset është refuzimi i depozitimit të pasqyrave financiare dhe raporteve të auditit.
“Në këto raste shfaqet mesazhi “Ju keni një çështje të hapur” Subjektet nuk mund të krijojnë një aplikim të ri ndërkohë që e kanë një aplikim në proces”, bëhet e ditur nga AKSHI.
Ndërsa për qytetarët që ankohen për mënyrën se si mund të kryejnë ngarkim të dokumentacionit që i kërkohet, AKSHI bën të ditur se kjo u mundësohet përmes kryerjes së një aplikimi të ri.
“Qytetari duhet të aksesojë përsëri shërbimin që ka përdorur për dërgimin e aplikimit dhe të ngarkoje dokumentin në seksionin përkatës”, bëhet e ditur nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacioni.
Për vonesat e shumta që përballen në rastet e aplikimit për pasaportë apo takimet në ambasadë dhe konsullatë, AKSHI bën të ditur se për shërbimin e parë duhet pritur 6 deri në 8 javë kurse për të dyti, varet nga zyra konsullore ku dërgohet aplikimi.